E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti ”Unë Votoj”: Ja shkeljet e Kuvendit për muajin tetor

Në brendësi të këtij raporti gjenden të dhëna mbi rastet e dhunimit të Rregullores së Kuvendit; cenimi i etikës parlamentare si dhe deputetët “antikonformistë”, të cilët kanë votuar ndryshe nga pjesa tjetër e grupit parlamentar

TIRANË Veprimtaritë e komisioneve parlamentare vijojnë të mbeten problematike

e po aq edhe seancat plenare, duke shkelur në shumë raste rregulloren e Kuvendit. Lëvizja “Mjaft” ka publikuar dje raportin e saj “Unë votoj” për muajin tetor, një traditë kjo e monitorimit publik, e cila përqendrohet tek një sërë kategorish dhe indikatorësh që e kanë burimin tek vëzhgimi sistematik i seancave plenare dhe mbledhjeve të komisioneve parlamentare. Në brendësi të këtij raporti gjenden të dhëna mbi rastet e dhunimit të Rregullores së Kuvendit; cenimi i etikës parlamentare si dhe deputetët “antikonformistë”, të cilët kanë votuar ndryshe nga pjesa tjetër e grupit parlamentar. Në raportin e muajit tetor është evidentuar shqetësimi për mosrespektimin e Rregullores së Kuvendit, si kuadri ligjor rregullator brenda të cilit duhet të funksionojë ky institucion. “Gjatë këtij sesioni parlamentar, rezulton të jenë miratuar në kushtet e dhunimit të pikës 1 dhe 2 të nenit 34 të Rregullores se Kuvendit të Shqipërisë, ku përcaktohet vlefshmëria e mbledhjeve të komisioneve të përhershme parlamentare, 3 nisma ligjore, të cilat së pari duhet të ishin shpallur të pavlefshme dhe së dyti, ndaj kryetarit të komisionit që ka shkelur këtë përcaktim taksativ të Rregullores duhet të ishte dhënë masë disiplinore”, - thuhet në raportin përmbledhës “Unë Votoj”.

Etika

Ajo çka bie në sy sipas raportit, është gjykimi i njëanshëm i kryetares së Parlamentit në zbatimin e Rregullores se Kuvendit sa i përket dhënies së masave disiplinore për deputetët etik-cenues. Konkretisht, seanca plenare e datës 13 tetor është shoqëruar me debate të ashpra mes kryeministrit Sali Berisha dhe deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, ku Kryeministri i vendit iu drejtua këtij të fundit me fjalët “ ta bëj fytyrën më të zezë se këpuca”. “Për këtë incident që cenon rëndë etikën parlamentare nuk u shënua asnjë tërheqje vëmendjeje, vërejte apo masë tjetër nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë për Kryeministrin dhe njëkohësisht deputet, z. Sali Berisha, pavarësisht se në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë përcaktohet në nenet 64 dhe 65 detyra e drejtuesit të seancës plenare për të ndërhyrë në raste të tilla, si dhe masat që mund të merren në varësi të nivelit të cenimit të rregullave dhe normave të etikës “parlamentare”, - thuhet në raportin “Unë Votoj” të lëvizjes “Mjaft”.

Kuorumi& Grupet e interesit

Ndërsa në mbledhjet e komisioneve parlamentare është evidentuar një problematikë e njohur tashmë, ajo e mungesës së grupeve të interesit gjatë diskutimit të projektligjeve.

Gjatë veprimtarisë parlamentare të muajit tetor, nga skuadra e monitorimit është vërejtur mungesa absolute e grupeve të interesit në mbledhjet e komisioneve, edhe pse disa prej projektligjeve të trajtuara në to klasifikohen lehtësisht si iniciativa ligjore me impakt publik, siç është projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, apo dhe projektligji “Për një ndryshim në ligjin ‘Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Nga monitorimi i mbledhjeve të komisioneve janë evidentuar gjithashtu shkelje të përsëritura, të Rregullores së Kuvendit, më konkretisht të nenit 34 pika 1 dhe 2, ku thuhet se: Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të komisionit; (...) vendimet merren me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të komisionit. Në raport përfshihet komisioni parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, komisioni për Politikën e Jashtme dhe komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat, që sipas monitoruesve kanë kaluar marrëveshje por edhe projektligje pa kuorumin e nevojshëm.

Vota “kundër”

Raporti “Unë Votoj” përfshin për herë të parë edhe rastet kur deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare, në mënyrë individuale ose në grupe të vogla, kanë votuar ndryshe nga pjesa tjetër e grupit parlamentar apo koalicionit, para dhe pas-zgjedhor ku bëjnë pjesë. Sipas Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, deputetëve u njihet e drejta e shpjegimit të votës kundër, e drejtë kjo që shfrytëzohet pak ose aspak nga parlamentarët shqiptarë. Raporti përfshin votën kundër pa asnjë shpjegim të deputetit të PS-së, Saimir Tahiri, për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë i përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e projektit “Furnizimi me ujë i Bilishtit - kontratë me çelësa në dorë”, votën “kundër” të deputetit tjetër të PS-së. Blendi Klosi. për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve”, si dhe e njëjta votë “kundër” edhe nga deputetët Damian Gjiknuri e Arben Isaraj për projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”

Komisionet që miratojnë ligjet pa kuorumin e duhur:

Mbledhja e komisionit parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, e mbajtur në datën 10 tetor 2011, ka nisur në kushtet e mungesës së kuorumit, e po në këto kushte është kryer edhe procesi i votimit të projektligjit të përcaktuar në rendin e ditës, projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.

Mbledhja e komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, e mbajtur në datën 4 tetor 2011, ka nisur konform përcaktimeve ligjore, me praninë e 8 nga 12 anëtarëve që ka ky komision, por procesi i votimit të projektligjit të parashikuar në rendin e ditës, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, për realizimin e një sistemi kompjuterik për Regjistrin Themeltar të Gjendjes Civile në Shqipëri”, është kryer pas largimit të dy prej anëtarëve, pra votimi është bërë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe nenit përkatës të saj, ku përcaktohet nevoja e kuorumit për zbatimin e një procesi legjislativ normal.

Mbledhja e Komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat, e mbajtur në datën 25 tetor, ka nisur në kushtet e mungesës së kuorumit, po në këto kushte është kryer dhe procesi i votimit të projektligjit të përcaktuar në rendin e ditës, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës për zgjidhjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë për shlyerjen e shumave në llogarinë e shkëmbimit të mallrave ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe ish-Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›