Edi Rama: Do dalim me një koalicion të plotë antiregjim
Kryetari i PS shprehet i hapur për aleatët aktualë dhe potencialë, për tu bërë lëshimet e duhura për të bërë betejën e duhur
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar të kësaj partie, vlerësoi marrëveshjen e arritur për Kodin Zgjedhor.
Së pari, zgjedhjet nuk i fiton dhe as i vjedh kodi zgjedhor. Kush thotë që ky kod e lë PS në opozitë, unë i them se e ka gabim. Ne do i fitojmë zgjedhjet se do fitojmë më shumë vota dhe këtë pushtet nuk ka vjedhje që e shpëton.
KQZ do të ndryshojë në shtator dhe Arben Ristani nuk do jetë më në krye të KQZ, ndërsa hapjen e dokumenteve zgjedhore nuk do e pengojë më askush pasi është sanksionuar qartë e prerë liria që përmes dy anëtarëve të KQZ kjo të bëhet e mundur. Çdo komisioner që do guxojë të përfshihet në falsifikime të rëndomta, do përballet me kodin penal. Dhe kodi penal nuk ka më gjobë, por deri tetë vjet burg për korrupsion elektoral.
Listat zgjedhore nuk do jenë monopol i strukturës së manipulimit me Ferdinand Ponen në krye, por do jenë të hapura dhe opozita do mund të realizojë ndryshime në to.
Së fundmi, dy prioritete të tjera, identifikimi i votuesve dhe numërimi elektronik nuk u realizuan vetëm për arsye të skepticizmit të ekspertëve të ODIHR. Ata kanë nënvizuar se këto risi mund të mbartin edhe risqe që mund të çojnë deri në dështim të procesit, tha Rama.
Rama deklaroi se ai do të punojë për një koalicion të plotë antiregjim. Ai u shpreh i hapur për të dëgjuar aleatët dhe për ti vendosur ata në pozita të favorshme.
Mbeti e paadresuar çështja e sistemit zgjedhor. Ne e kemi pasur që në krye të herës të qartë se jemi për rishikim të sistemit. Por kemi thënë se nuk do kushtëzojmë procesin e rishikimit të kodit me sistemin. Tani është koha për të arsyetuar së bashku me aleatët tanë një proces bashkëpunimi dhe bashkërendimi të energjive për të dalë me një koalicion të plotë antiregjim dhe mbi të gjitha me një koalicion që të përçojë në gjithë Shqipërinë vizionin dhe idetë tona.
Çdo forcë politike që është e gatshme të bashkohet me ne mbi këtë program, është e mirëpritur. Beteja jona do zhvillohet mbi programin dhe për programin për Rilindjen Shqiptare. Dyert janë të hapura për aleatët e sotëm dhe aleatët potencialë dhe mundësitë e bashkëpunimit janë aty. PS është e vetëdijshme për kontributin e aleatëve të saj në këtë periudhë të vështirë të presionit të pushtetit. Jemi plotësisht të hapur ti dëgjojmë dhe gjejmë me gjithë aleatët tanë rrugët e bashkëpunimit për ti vendosur ata në pozita të favorshme për të bërë betejën e tyre, tha Rama.
