Topalli: Nuk më ka ardhur letër nga Ruçi. PS të votojë heqjen e imunitetit se e kemi kusht nga BE
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Toaplli ka deklaruar sot se asaj nuk i ka ardhur ndonjë letër nga kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi për çështjen e imunitetit. Topalli thotë se shpreson që letra të mos jetë e vërtetë, pasi miratimi i heqjes së imunitetit është një kërkesë e BE.
Kryetarja e Kuvendit shpreson që letra, e publikuar në media prej gati 24 orësh, të mos jetë një qëndrim zyrtar i Partisë Socialiste, pasi nëpërmjet saj kërkohet shtyrja e diskutimit për ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imuniteteve në sesionin e ardhshëm.
Duke sjellë në vëmendje se heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtaret është një nga 12 rekomandimet kyçe për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i bën thirrje Partisë Socialiste t’i bashkohet nismës së depozituar në Kuvend dhe në datën 6 gusht të votojnë unanimisht për heqjen e imuniteteve, thuhet në deklaratën e kryetares së Kuvendit.
Ajo thekson se nisma ligjore është hartuar nga misioni Euralius i Komisionit Europian dhe PACA, projekti antikorrupsion për Shqipërinë pranë Këshillit të Europës.
Zonja Topalli sjell në vëmendje se në Konferencën e Kryetarëve të organizuar për këtë çështje, Partia Socialiste nuk ka shfaqur kundërshtime dhe ka kërkuar të njihet me projektin. Prej atij momenti janë njoftuar deputetët dhe nisma është shpallur publikisht, duke respektuar të gjitha kërkesat e Rregullores për këtë çështje, e cila është miratuar me konsensusin e të dyja palëve në vitin 2008 për të shmangur veprimet e nxituara, thuhet në deklaratën e Topallit.
