Edi Rama: Meta bëri një turp, PS nuk do të ndalet para asgjëje

Tiranë, 4 Korrik NOA - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, që vjen pak orë pas pranimit nga kreu i LSI, Ilir Meta, të ftesës që kreu i PD dhe kryeministri, Sali Berisha, i bëri për të qenë pjesë e koalicionit që do të krijojë qeverinë e re shqiptare.
Rama është pritur me ovacione në nisje të konferencës për shtyp nga militantë që brohorisnin për emrin e tij, sot kur edhe Edi Rama kishte ditëlindjen dhe mbushi 45 vjeç.
Z.Rama fillimisht u tha të pranishmëve se këtë ditëlindje nuk do ta harroj asnjëherë, duke u kërkuar militantëve të ndalin duartrokitjet për shkak se ishte jo një miting por një konferencë për shtyp.
Më tej, z.Rama siguroi se kjo nuk është fjala e fundit për këtë proces zgjedhor, duke theksuar se dilte para mediave në një reagim për paktin qeverisës, Meta-Berisha që theksoi se është bërë me kohë mes PD dhe LSI.
Rama tha se Meta nxitoi të bëhej paterica e kryeministrit të rrëzuar, duke ngritur më këmbë atë që vetë Meta e quante deri para gjashtë ditësh qeveria e Gërdecit.
Rama tha se ky pakt erdhi kur ende shqiptarët, nuk kanë marrë rezultatin final të zgjedhjeve pasi siç tha ai, nuk janë shpallur rezultatet e votave edhe për 83 mijë shqiptarë.
Pa u zbardhur për të gjithë e vërteta e kutive të 28 qershorit, Partia Socialiste nuk do të ndalet para asgjëje, - tha Rama duke përmbyllur deklaratën për media dhe i lënë mundësi gazetarëve për të bërë pyetje.
Rama refuzoi të komentojë mundësinë e një dorëheqjeje të tij duke thënë se gjithsesi, kjo nuk është fjala ime e fundit.
Kurse shtoi: Do të udhëheq Partinë Socialiste deri në fund të procesit zgjedhor, duke shtuar se vetëm më pas, kjo familje politike, pas pazarit të sotëm, më i neveritshmi i këtyre 15 vjetëve të fundit, është një familje më e madhe, sepse të gjithë ata që votuan për LSI dhe Ilir Metën por vota u shkoi te Berisha, nga sot nuk do të ndjehen vetëm, sepse tani vjen një betejë, mes botës së re që meritojnë qytetarët pavarësisht për kë votojnë dhe botës së vjetër të mekanizmave që prej 18 vjetësh i ka ndarë dhe përçarë shqiptarët dhe sot, i dhanë jetë kësaj qeverie monstër, një trup i krijuar mbi bazën e një mutacioni që është transmetimi i një virusi edhe më i rrezikshëm se ai i pari, pra kapërcimi nga Lufter Xhuveli te Ilir Meta.
Vijon...