E Shtunë, 31 Tetor 2026

Numërimi i votave

Numërimi i votave që përcaktojnë se kush do të qeverisë vendin, është kthyer në një makth periodik, të cilin shqiptarët duhet ta kalojnë rregullisht çdo katër vjet. Sadoqë, pas çdo votimi përmirësohet infrastruktura dhe mënyra e numërimit të votave, në zgjedhjet e radhës, është e pamundur të mos kalojmë nëpër ngërçin sfilitës të kutive të fundit të votimit.


Shembull aktual: Kutia e fundit e Uznovës, kutitë e fundit të Fushë-Kuqes, të Bushatit, apo të Libofshës. Emra fshatrash këto, që rrallë na qëllon t'i dëgjojmë, por që janë bërë kaq të famshëm gjatë kësaj jave të tensionuar.

Dhe kuptohet që, si zakonisht, pa mbaruar numërimi i radhës, shfaqen sugjerimet e para për përmirësimin e procesit të numërimit. Një nga sugjerimet më të rëndësishëm (ishte i rëndësishëm se u propozua nga Kryeministri i vendit), synonte dyfishimin e qendrave të numërimit në zgjedhjet e ardhshme.


Kjo zgjidhje krijon premisa për përshpejtimin e numërimit, por nuk garanton mospërsëritjen e Uznovave, Fushë-Kuqeve, Bushatit, apo Libofshws. Sepse shkak për ekzistencën e tyre nuk ka qenë volumi i madh i punës, por dëshira për të bllokuar procesin, kur era e numrave ka filluar të fryjë në drejtim jo të duhur për njërën apo tjetrën palë.


Një sugjerim tjetër erdhi nga Dashamir Shehi, një ndër humbësit e këtyre zgjedhjeve. I skandalizuar nga fakti që Gilman Bakalli, kandidati i tij në Shkodër, kishte rezultuar me zero vota në qendrën e votimit ku ai votoi për veten, Shehi propozoi që, në të ardhmen, të mos i numërojnë votat njerëzit, por makinat elektronike. Duket një zgjidhje perfekte kjo në pamje të parë, por jo edhe aq perfekte, pasi kujton se pse nuk ecën mirë numërimi i votave në Shqipëri.


Do të jenë përsëri njerëzit ata që do të vënë në punë makinat e propozuara nga Shehi. Ndaj nuk ka garanci se procesi nuk do të bllokohet, kur era e numrave të fillojë të fryjë në drejtim jo të duhur për njërën apo tjetrën palë.


Mund të jenë hedhur në logun e diskutimit publik edhe sugjerime të tjera rreth numërimit të votave, të cilat mua mund të më kenë shpëtuar pa i dëgjuar apo lexuar. Dhe jam i sigurt që, në mos janë ofruar deri tani, do të ofrohen në të ardhmen.


Sidoqoftë, në këto rreshta, po marr guximin të sugjeroj zgjidhjen time për procesin e numërimit të votave, si një njeri që u lodh jo pak duke e ndjekur javën e fundit me shumë tension atë.

Që të shpëtojmë një herë e mirë nga bllokimet e numërimit të votave nëpër fshatra që rrallë na bie rasti t'ua dëgjojmë emrat, e mira është që të gjithë kutitë e votimit të vijnë në kryeqytet dhe të numërohen, për shembull, në Pallatin e Sportit.


Aty, të gjitha partitë (të vogla e të mëdha), mediat, si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë e të vendit, do të jenë në gjendje të monitorojnë çdo votë që do të numërohet (me makinë apo me dorë). Dhe kur të ketë ndonjë bllokim, nuk do të lipset që të transportohen kutia drejt KQZ-së, por KQZ-ja mund të vijë vetë tek Pallati i Sportit.


Kuptohet që, ky lloj numërimi i përqendruar në një pikë të vetme, do të ishte i vështirë në kushtet e sistemit aktual elektoral, ku çdo qark përbën një zonë zgjedhore më vete. Por, a nuk mund ta ndërrojmë sistemin? A nuk e kemi bërë këtë gjë disa herë gjatë 19 vjetëve të fundit?


Një sistem elektoral që do ta bënte të lehtë numërimin e të gjitha votave të shqiptarëve në Pallatin e Sportit në Tiranë, do të ishte ai proporcional kombëtar. Në këtë rast, shqiptarët, kudo qofshin ata, në Konispol apo Vermosh, mund t'i hedhin votat në vendin ku banojnë, por t'u numërohen në Tiranë.


Në një sistem proporcional kombëtar, nuk ka rëndësi se ku banon votuesi - vota e tij është thjesht për partinë që ai përkrah, dhe jo për një listë kandidatësh të qarkut të tij.


Për sistemin proporcional kombëtar, ka patur e do të ketë kritika (i juaji sinqerisht i ka bërë publike disa të tilla në të shkuarën).


Gjithashtu, mund të ketë edhe sugjerime rreth llojit të proporcionalit kombëtar që do të duhet të përdorim në funksion të krijimit të një mazhorance të qëndrueshme (tre zgjedhjet e fundit parlamentare kanë treguar se, në proporcional, gjithë partitë e majta të marra së bashku, kanë marrë një përqindje votash pothuajse të barabartë me gjithë partitë e djathta të marra së bashku).


E, megjithatë, pavarësisht nga sugjerimet e kritikat që janë bërë e mund të bëhen, vota ime është për sistemin proporcional kombëtar. Kuptohet, me numërim në Pallatin e Sportit, në Tiranë...

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›