"Edi Rama: Ndihmoje ti vajzën e Vilson Blloshmit!"
Pas heshtjes së kryeministrit Berisha, ish-të burgosurit politikë i bëjnë apel kreut të PS-së
Ka kaluar gati një muaj dhe shteti nuk bëzan për asnjëlloj ndihme. Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Enerieta Blloshmit, vajzës 34-vjeçare të poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi është rënduar edhe më në një spital privat në Itali, ku po vuan nga një sëmundje e pashërueshme. Këtë përgjigje jep xhaxhai i saj, Bedri Blloshmi, i ripyetur nga gazeta 'Shekulli' rreth gjendjes së mbesës.
Edhe pse nëna e Enerietës, Diana Hyka Blloshmi dhe xhaxhai iu drejtuan me letra të njëpasnjëshme kryeministrit, bënë apel edhe nëpërmjet gazetës 'Shekulli', ndihma të vogla u dhanë vetëm nga ish-të persekutuarit dhe dashamirës që lexuan shkrimin në internet. Por, në fakt, të pamjaftueshme. Ndërkohë që shpenzimi që nevojitet në spitalin privat është i madh dhe i papërballueshëm nga familja e saj.
E ëma u shpreh se nuk kishte as vizë dhe as para madje edhe për biletën e avionit, thjesht për të parë vajzën e sëmurë e jo të mund të paguante me mijëra euro detyrimet spitalore. "Iu drejtuam edhe Sali Berishës, edhe atij që na dënoi, ish-prokurorit Aranit Çela, por nuk na ndihmuan për vajzën simbol të vuajtjeve tona.
Po i drejtohemi tani kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe të Partisë Socialiste, Edi Rama, të ndihmojë ai po mundi me 20 mijë euro pagesën e spitalit të vajzës së poetit të pushkatuar, Vilson Blloshmi", lëshon një tjetër apel të fundit, Gjergj Ndreca.