Edi Rama: S’tërhiqem, bllokimi është linja ime e vetme në politikë
Pas artikulimit të tentativave politike për “prerjen e kokave” të krerëve të institucioneve kushtetuese dhe atyre të administrimit të zgjedhjeve, Edi Rama ka detajuar dje axhendën e tij të verës, duke konfirmuar se s’heq dorë nga linja e bllokimit. Bojkoti do sjellë një krizë edhe në marrëdhëniet me BE-në, ndërkohë që ndërkombëtarët po druajnë se Edi Rama, i bindur në dështimin e vet, ka vendosur të mos marrë pjesë fare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare
Pas më pak se 10 ditësh zhvillohet takimi i radhës i Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri me pjesëmarrjen e grupeve parlamentare nga Shqipëria dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian. Konkluzionet e këtij takimi do t’i paraprijnë atyre të raportit të Komisionit Evropian në tetor të këtij viti i cili do të jetë edhe baza e dokumentit të miratimit të statusit të vendit kandidat. Rekomandimet e Brukselit kanë qenë konkrete dhe koncize sikurse edhe lehtësisht të kuptueshme për klasën politike. Ultimatumi ka qenë për pakicën parlamentare, konsensusi i së cilës është i domosdoshëm për progresin evropian. Për mazhorancën detyrat janë po ato të para tre viteve në dorëzimin e kërkesës për statusin kandidat nga kryeministri Sali Berisha, presidencës çeke të Bashkimit Evropian. Gjithkush është i njohur me ecejaket dhe strategjitë bllokuese të opozitës përgjatë 3 viteve të cilat kanë patur vetëm një synim: të bllokojnë maksimalisht çdo përpjekje të Shqipërisë për t’iu afruar familjes evropiane. 2012-a shihet si viti vendimtar përmes të cilit do të kalojë perspektiva e vendit për integrimin në BE. Liberalizimi i vizave sigurisht që luan rolin e një “oguri të mirë” në kuadër të përmbushjes së “detyrave të shtëpisë” dhe Shqipëria faktoi se është në gjendje t’i përgjigjet kritereve të BE, por të mos harrojmë se ato ligje që u miratuan në parlamentin shqiptar dhe që shënuan një faqe të re në marrëdhëniet me Brukselin, u miratuan vetëm falë vullnetit të mazhorancës, pa asistimin e opozitës. Kjo e fundit bëri “shejtanin”, duke u kacavjerrë nëpër zyrat e paga-marrësve të Edi Ramës në Bruksel apo dhe gjetkë se me heqjen e vizave, vendet e “Schengen”-it do popullarizohen me elementë të krimit të organizuar si dhe do masivizohen nga mbi 1 milionë të papunë. Fatmirësisht lobi kundër vizave dështoi në mënyrë spektakolare me vendimin e 15 dhjetorit 2011 të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE. Sot flasim për një realitet pak a shumë të ngjashëm, me ndryshimin e vetëm se opozita ka në dorë mekanizmat e bllokimit të integrimit. Përpos thirrjes së Brukselit për konsensus dhe kompromis në realizimin e reformave, Edi Rama nuk tërhiqet nga kushtet e tij, duke i mëshuar aspektit shovinist, të sulmeve dhe dhunës ndaj krerëve të institucioneve. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, kryesocialisti as më shumë e as më pak, kërkoi “kokën” e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, si shenjë kompromisi për reformën zgjedhore. Rama tha se ligji elektoral ka nevojë urgjente të rishkruhet, ndërsa sipas tij, nevojitet një reformë e thellë në komisionin Qendror të Zgjedhjeve. E gjithë çështja është tek Arben Ristani. Kryesocialisti u ndal në mënyrë të veçantë edhe në aplikimin e teknologjisë në zgjedhje dhe në identifikimin e zgjedhësve, si kushte të tjera për kalimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, pavarësisht se këto propozime u rrëzuan unanimisht nga përfaqësuesit e misionit të ODIHR si dhe nga prezenca e OSBE-së. Sikurse, kryesocialisti nuk i dha përgjigje ftesës së kryeministrit Sali Berisha për t’u takuar, në mënyrë që të gjendet konsensusi për reformën zgjedhore. Të gjitha përmblidhen rreth strumbullarit anti-reformë dhe anti-integrim që mban emrin e Edi Ramës. I gjithë konteksti i sjelljes së tij politike është te përndjekja e Arben Ristanit dhe administratës zgjedhore thjesht e vetëm se kanë zbatuar ligjin, i janë përmbajtur detyrimeve ligjore dhe Kushtetuese dhe për fatin e tyre të keq Edi Rama ka rezultuar humbës në palë zgjedhje radhazi.
Dy faktorë vendimtarë që Edi Ramës i shkurtojnë ditët. Gjithsesi, edhe pse akuzat dhe kërcënimet jakobine ndaj Arben Ristanit dhe administratës së tij do vazhdojnë, nuk duket asnjë fije shprese për konsensus dhe kompromis tek një lidership politik që s’di gjë tjetër veç se të shtijë në dorë institucionet përmes mekanizmave të dhunës dhe kërcënimeve vulgare. Kjo vlen si një kambanë alarmi rreth barrierave që opozita ka ngritur kundër marrjes së statusit të vendit kandidat.