Ofensiva e sulmeve opozitare s’e prish dot sezonin e pushimeve
Ofensiva e opozitës para pushimeve të verës është tentativa e fundit për të rikuperuar një grimcë besueshmërie publike. Shpërdorimi i kapitalit politik gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit të Republikës e ka kthyer kreun e opozitës në stadin primitiv të luftës politike pa parime. Me një llaf, “kursi i ri” përfundoi në kthim të kursit të vjetër. Me një bilanc fitoresh të munguara, shefi i socialistëve, Edi Rama, ka nisur një tjetër fushatë akuzash të pandershme. Fushata e mëparshme e akuzave pa prova vend e pavend solli vetiu ndëshkimin gjyqësor të një grupi jo të vogël deputetësh socialistë. Dura lex, sed lex, “ligj i rëndë, por ligj”, thoshin latinët.
Mirëpo gjobat milionëshe duket se nuk e kanë frenuar përgojimin, përkundrazi. Deputetët e Partisë Socialiste e kanë lëshuar fare gjuhën për të akuzuar pa asnjë provë si Ministrinë e Mbrojtjes, po ashtu edhe Bashkinë Tiranë. Këto dy institucione, Ministria e Mbrojtjes dhe Bashkia Tiranë, edhe pse kanë performancë pune të paqortueshme gjenden nën shënjestër të përgojimit destruktiv vetëm pse janë të suksesshme. Anëtarët e opozitës në Komisionin e Sigurisë Kombëtare me një papërgjegjshmëri Kushtetuese dalin e thurin intriga mediatike për të penguar reformën e thellë modernizuese të Forcave të Armatosura. Kurse anëtarët e këshillit bashkiak të Tiranës kanë vërshuar në prokurori çdo ditë me një padi në dorë.
Megjithatë mbledhja e radhës e grupit parlamentar të PS-së nxori në dritë frymëzuesin e kësaj fushate denigruese. Edi Rama nxori kokën dje kur tha: “Edhe skandali më i fundit që hedh dyshime të rënda mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes është një kambanë alarmi për aktivitetin e kësaj ministrie”. Ndonëse kreu i PS nuk shpjegoi ku ishte skandali, cilat ishin dyshimet dhe cilat ishin provat që tundin kambanën e alarmin. Kjo opozitë e papërgjegjshme që lëshon akuza pa prova thjesht demonstron dëshirën për të njollosur anëtarët e kabinetin qeveritar. Me çfarë besueshmërie dhe përgjegjësie paraqitet opozita përballë partnerëve ndërkombëtarë (NATO) të cilët për çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë janë të përditësuar çdo moment dhe për çdo gjë? Minimumi i seriozitetit do t’i bënte t’ju skuqej faqja.
Gjithashtu, alter-egoja e Edi Ramës, Edi Shalsi me një fytyrë të hutuar veçse përforcoi me zë, por jo me prova, akuzat e kryekëshilltarit socialist për bashkinë Tiranë. Imituesi i Ramës tha se kishte “dyshime” për një çështje, prandaj po akuzonte. Afërmendsh deputeti Shalsi foli “për zëra”, por s’kishte prova. Këto “zërat” që dëgjon veç partia Socialiste dhe që Edi Rama i kthen në misione luftë-nxitëse dëften për një mesianizëm plot halucinacione të opozitës.
Sidoqoftë të gjitha këto akuza kanë për qëllim mbajtjen gjallë të një tensioni bezdisës për qytetarët, të cilën duken të lodhur me Ramën, i cili veç tregon me gisht “fajtorët” e pagjykuara. Rikthimi në filozofinë jakobine të Partisë Socialiste demonstron reflekset e kushtëzuara të një frymë totalitare.