Edi Rama: Ta flakim Berishën, do të na vjedhë zgjedhjet lokale

“Nuk është një sherr midis dy palëve për disa kuti, por është një betejë midis dy botësh, botës së re që ne duam të ndërtojmë për një Shqipëri të re, ku të gjithë të jenë të lirë dhe të barabartë përpara ligjit dhe botës së vjetër, ku kërkojnë të marrin peng me zgjedhje të vjedhura”. Kështu ka deklaruar dje kreu i opozitës Edi Rama nga Gjirokastra, ku ka vijuar turin e takimeve në jug të vendit në vigjilje të mitingut të madh të 30 prillit në Tiranë. Në fjalën e tij, Rama është ndalur te domosdoshmëria që paraqet aksioni i madh politik i opozitës për transparencën e zgjedhjeve të manipuluara nga Sali Berisha. “Dikush që nuk kishte votuar për PS-në tha sot se ‘kam ardhur në protestë, jo sepse Sali Berisha ju vodhi votat, por sepse me votat e vjedhura ai po na vjedh të gjithëve, duke na rrënuar dita-ditës ekonominë tonë e të çdo familjeje. Me votat e vjedhura, Sali Berisha nuk po hap 160 mijë vende pune që premtoi, por deri më sot, para një viti, ka bërë të mbyllen mbi 100 mijë vende pune dhe tre muajt e fundit 71 mijë shqiptarë e kanë humbur vendin e punës. Me votat e vjedhura, Berisha nuk po i liberalizon vizat, siç premtoi që do ta bënte në korrikun e vitit të kaluar, por vazhdon ta mbajë Shqipërinë peng’”, ka vijuar në fjalën e tij kreu i PS-së. Më tej ai ka premtuar se PS-së do t’i kthejmë qeverinë e popullit përmes votës, në mënyrë që qeveria t’i shërbejë popullit dhe jo populli të bëhet shërbëtor i qeverisë. “Më 30 prill ne do të mblidhemi në Tiranë për transparencën e atyre kutive, ku nuk shihet thjesht fitorja jonë e 28 qershorit, po ku Sali Berisha mban të fshehur armën me të cilën vrau zgjedhjet e shkuara. Në rast se ne nuk e nxjerrim nga ato kuti për ta flakur dhe për ta bërë të papërdorshëm, ai do të vrasë edhe zgjedhjet e ardhshme, si dhe për të ndalur rrënimin ekonomik”, ka theksuar kreu i selisë rozë. Në tubimin e Gjirokastrës, i cili vinte pas takimeve në Përmet e Tepelenë, kanë folur edhe deputetët socialistë prezentë, Arta Dade e Ethem Ruka, si dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule.
Ndërsa në Kukës, dega e PS-së ka zhvilluar mesditën e së shtunës një miting në sheshin para prefekturës. Protesta ka pasur në qendër akuzat ndaj qeverisë aktuale për korrupsionin në rritje, papunësisë, mashtrimit me pronat e zonave të përmbytura nga hidrocentrali i Fierzës, kundër abuzimeve në infrastrukturë si dhe kundër dhunës, që siç u nënvizua po ushtrohet ndaj nëpunësve të majtë në administratën publike. Sipas tyre, familjet kuksiane i ka pllakosur mjerimi ekstrem dhe vetëm në qytetin e Kukësit më shumë se 40% e tyre trajtohen me ndihmë nga shteti, ndërsa më shumë se 5400 familje që humbën pronat dhe banesat nga hidrocentrali i Fierzës ende nuk janë kompensuar dhe po mashtrohen çdo vit nga qeveria. Në mitingun e socialistëve në Kukës mbajti një fjalim edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Qarkut të Kukësit, Beqir Basha, i cili u ndal në klimën armiqësore, që siç tha, qeveria ka krijuar kundrejt biznesit, duke zvogëluar vendet e punës dhe varfëruar edhe më tej familjet kuksiane. Ndërkohë deputeti i qarkut, Asllan Dogjani, në fjalën e tij u përqendrua në dështimet, siç i konsideroi ai, investimet e nisura në rrugën e Hasit dhe atë të Shishtavecit, ndërkohë që ka mëshuar në faktin që qeveria duhet të bëjë të njohur sa më parë ditën e hapjes së Tunelit të Kalimashit.
#