E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi mbyll konsultimet, në maj emrat e rinj të gjyqtarëve

Presidenti ka mbyllur konsultimet publike për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese

Presidenti Bamir Topi pritet t’i dorëzojë Kuvendit në mesin e muajit maj, dhjetë emrat e rinj të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Burimet bëjnë të ditur se Presidenti do të presë deri në përfundimin e mandatave të atyre anëtarëve të gjykatave, të cilët mandati u mbaron në fillimin e muajit maj dhe më pas do të depozitojë në Komisionin parlamentar të Ligjeve gjashtë emra gjyqtarësh për Gjykatën Kushtetuese dhe katër emra për Gjykatën e Lartë. Po kështu, burimet bëjnë të ditur se me mbledhjen e tryezës së ekspertëve, pak ditë më parë për të diskutuar për këto kandidatura, kanë përfunduar edhe konsultat publike të kreut të shtetit për emrat e gjyqtarëve të rinj. Takimi, në të cilin përfaqësuesit e lartë të gjyqësorit shqiptar diskutuan mbi kriteret e publikuara nga Institucioni i Presidentit për përzgjedhjen e profesionistëve më të spikatur, ishte edhe i fundit publik, për t’ia lënë radhën takimeve konfidenciale që Presidenti Topi mund të zhvillojë për kandidaturat. Aktualisht në Gjykatën Kushtetuese iu ka mbaruar mandati këtë muaj anëtarëve Fehmi Abdiu, Kujtim Puto dhe Sokol Sadushi. Ndërsa anëtarëve Xhezair Zaganjori, Petrit Plloci dhe Admir Thanza pritet që mandati t’ju përfundojë në fillim të muajit maj. Nga ana tjetër, në Gjykatën e Lartë, prej disa muajsh mandati i gjyqtarit i ka përfunduar Spiro Spiros dhe Perikli Zaharasi. Aktualisht kjo gjykatë po e vijon punën me 15 nga 17 anëtarë, dy nga të cilëve po kështu do t’ju përfundojë mandati në fund të muajit prill dhe në fillim të muajit maj. Procesi i dorëzimit të dosjeve në presidentë është mbyllur rreth një muaj më parë dhe burimet bëjnë të ditur se janë rreth 70 kandidatura të cilët kanë dorëzuar dosjet e tyre për të qenë anëtarë të Gjykatës së Lartë apo Kushtetueses. Mësohet se mes emrave të 70 aplikantëve janë përfshirë edhe ish-deputet të Kuvendit, ish-drejtues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, drejtorë në drejtoritë juridike të institucioneve dhe përfaqësues të tjerë të njohur të jurisprudencës në vend.Me protokollimin e dekretit të Presidentit në Parlament, fillimisht me shqyrtimin e emrave të kandidaturave do të merret Komisioni parlamentar i Ligjeve, i cili pritet t’i kalojë në “sitë” këta emra, përmes seancave të pyetjeve që do të zhvillojë me secilin prej tyre. Përfaqësuesit e mazhorancës theksuan se ata do të tregojnë kujdes të madh për sa i përket përzgjedhjes së kandidaturave. Kështu, përfaqësuesit e mazhorancës në këtë komision, do të tregojnë rëndësi shumë të madhe edhe ndaj së kaluarës profesionale të kandidaturave. Sipas tyre, kandidaturat e ardhura nga Presidenca do të shqyrtohen mbi disa kritere bazë, atë të pastërtisë së figurës dhe atë të dinjitetit dhe aftësisë profesionale dhe kërkesës që kandidaturat të jenë jopolitike. Më pas anëtarët që do të miratohen nga Komisioni parlamentar i Ligjeve do të shkojnë për votim në seancën plenare. Emërimi i tyre për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese sipas ligjit, bëhet me një shumicë të thjeshtë votash, pa pasur nevojë që në sallë të jenë përfaqësuesit e opozitës. Pavarësisht thirrjeve të Presidentit Topi për pjesëmarrjen e opozitës në seancën dëgjimore për këta emra dhe më pas për votimin në Parlament, opozita duket se nuk do të marrë pjesë në emërimin e gjyqtarëve, të cilët do të jenë pjesë e institucioneve kyç të drejtësisë në vend.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›