E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, analfabet në ekonomi, reforma dhe ligje

02-06-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha prezanton në Pogradec kandidatët e PD për deputetë

Kreu i qeverisë Sali Berisha u shpreh dje nga Pogradeci se, shumë shpejt do të bëhen realitet dy prej projekteve më të mëdha të vendit, projekti i Kaskadës së Devollit, investim 1 miliardë dollarë si dhe projekti i gazsjellësit TAP, një projekt mbi 1.5 miliardë dollarë

Mandatin e ardhshëm, 250 mijë vende të reja pune

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot nga Pogradeci, ku prezantoi kandidatët për deputetë të PD-së në këtë qytet se, alternativa e kreut të PS-së, Edi Rama përbëhet nga tre shtylla. “Në shtyllën e parë është ofendimi ndaj qytetarëve. Në një vend i quan injorantë, në një vend nxënësit dele, në një vend tjetër policët bagëti, në tjetrin qytetarët i quan robër. Këtu nuk është fjala e sharjeve ndaj Sali Berishës, se për ato ia hedh të gjitha në kazan, nuk ka gjë të keqe, por fyerjet kolektive janë të papranueshme”, tha Berisha. “Shtylla e dytë e programit të tij ka nxjerrë krye këto ditë në mënyrën më të shkëlqyer”, vijoi kryeministri duke shtuar se, këtu duket analfabetizmi total i Ramës në ekonomi, reforma dhe ligje. “Çfarë po deklaron këto ditë? Po deklaron se do t’ia ulë taksat 95% të shqiptarëve dhe paratë do t’ua marrë 5% të shqiptarëve. Shoku autobuzit mavi mësoje se është a-ja e çdo ekonomie të lirë, e doktrinës së ekonomisë së lirë. Ekonomia e një vendi të lirë, nuk rritet kurrë nga lart poshtë. Ekonominë e një vendi të lirë e rrit klasa e mesme e vendit. E rrisin qytetarët, ata gra dhe burra që ngrihen që pa gdhirë për të punuar. Ata fermerë që ngrihen që me natë për të punuar. Ata janë zotërit e ekonomisë. Ata e rrisin ekonominë. Jo ai 5% që urren ti”- tha kryeministri Berisha. “Kolona e 3-të e programit të tij, vijoi kreu i qeverisë, “janë sharjet, shpifjet dhe trillimet ndaj Sali Berishës. Por një gjë do t’i them. Në 2009-ën nxora një urdhër. Ndalova zyrtarët të përdorin në fushatë elektorale mjetet publike dhe mora makinë me qera. Atij makina ime iu duk helikopter dhe vinte thoshte se Berisha po bën fushatë me helikopter. Tani e njëjta makinë i duket si autoblindë dhe çdo ditë thotë, Kryeministri ecën me autoblindë. Është po ajo makinë që po rend nga mitingu në miting, nga fushata në fushatë. Fushatë që ti nuk e ke më. Dhe kjo xhaketë apo një triko, i duket si parzmore. Ato janë parzmore. Ti je i humbur siç ke qenë i humbur deri sot”- tha Berisha.
Kreu i qeverisë deklaroi se, programi i PD-së, për 4 vitet që vijnë për Pogradecin e zhvilluar, për Pogradecin europian, përfshin krijimin e 250 mijë vende pune. “Do të bëjmë gjithçka që çdo qytetar që ka ide për një biznes ta mbështesim, motivojmë, ndihmojmë në suksesin e tij. Vitet që shkuan ishin vite të një krize të paparë në Europë, por ju me punën tuaj, reformat që mbështetët ia dolët të ruajmë rritjen ekonomike në Shqipëri. Ia dolëm që Shqipëria të jetë ndër më të paktat vende që pati ulje të papunësisë”, tha Berisha. “Do të krijojmë 250 mijë vende pune, shtoi Kryeminstri, sepse ne në këto vite kemi rritur me 2-3 herë bizneset e mesme dhe të mëdha. Kemi hequr taksa për çdo makineri dhe material që iu nevojitet bizneseve për prodhim. Kjo bëri që bizneset të shtohen dhe investimet e huaja do të shtohen nga 4 miliardë në 6 miliardë në 4 vitet e ardhshme”. Berisha theksoi se shumë shpejt do të bëhen realitet dy prej projekteve më të mëdha të vendit. “Nisi projekti i Kaskadës së Devollit, investim 1 miliardë dollarë. Do të nisë edhe projekti i gazsjellësit TAP, një projekt mbi 1.5 miliardë dollarë”. “4 vitet e shkuara ia dolëm të subvencionojmë 42 mijë fermerë në Pogradec dhe mbarë Shqipërinë. Subvencionet sëbashku me mbështetjen për bizneset private krijuan 100 mijë vende pune. Do të trefishojmë grantet për bujqësinë. Nga 56 milionë, dollarë do të financojmë 165 milionë dollarë. Do të krijohen së paku 130 mijë vende pune”, tha Berisha. “Do të krijojmë 250 mijë vende pune, vijoi kreu i qeverisë, sepse sëbashku realizuam Pogradecin turistik, Shqipërinë turistike. Në pak vite turistët u rritën nga 300 mijë në 4.7 milionë. Shqipëria sipas BB renditet në një nga 10 vendet me rritjen më të shpejtë të turizmit në botë. Pas ndërtimit të autostradës Tiranë - Elbasan, cili do jetë Pogradeci? Pas ndërtimit të autosradës Qafë Plloçë – Qukës, cili do jetë Pogradeci? Mbarë Shqipëria do të derdhet në Pogradec për bukuritë mahnitëse”. “Do të krijojmë 250 mijë vende pune, tha Kryeministri, sepse bëmë realitet Shqipërinë e informacionit dixhital. Sot Shqipëria ecën e sigurtë për t’u bërë 4 vitet që vijnë vend lider në Rajon për shoqërinë e informacionit dhe teknologjinë e lartë.  Të punësuarit do të dyfishohën në këtë sektor”. Duke folur për sektorin e energjisë, Kryeminstri Berisha u shpreh se “qeveria ka firmosur kontrata për ndërtimin e 363 hidrocentraleve në lumenjtë dhe burimet ujore të Shqipërisë. Vetëm në Pogradec, Korçë, Kolonjë, Bilisht, po ndërtohen dhe do të ndërtohen 60 Hec-e”. Në lidhje me projektet për Pogradecin, Kryeministri theksoi se, “kemi për të finalizuar shëtitoren më të gjatë të Shqipërisë buzë liqenit. Do ta përfundojmë brenda vitit. Do të ndërtojmë autostradën Qafë Plloçë - Qukës. Fshatrat e Pogradecit duan të gjitha rrugë moderne, shkolla moderne, kanalizime, ujësjellësa. Qytetarët duan të ecin si qytetarë europianë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›