Edi Rama bën gratë socialiste të Sarandës lesh e li
Nga prishja e takimeve të deputetëve socailistë në Kombinat, dhe shpullat e grushtet në degët lokale të Elbasanit, Kavajës, Korçës e Shkodrës, lidershipi i PS-së u është turrur shkërmoqjes së organizatave të grave. Pas Lushnjes, “shkulja e flokëve” u eksportua drejt Sarandës, atje ku gratë socialiste akuzuan lidershipin socialist se manipuloi procesin e zgjedhjes së strukturave të reja drejtuese
Nga prishja e takimeve të Arben Malajt dhe Andis Harasanit në Kombinat, shpullat dhe grushtet në degët lokale të PS-së në Elbasan, Kavajë, Korçë apo dhe Shkodër, shkarkimet arbitrare të kryetarëve të degëve të FRESSH në rrethe, Edi Rama shënon një tjetër rekord historik në kultivimin e dhunës si formë mbijetese në PS. Fjala është për dhunën e paprecedentë që ka përfshirë së fundmi strukturat drejtuese të Forumit të Gruas të PS në degët lokale. Pas Lushnjes, “shkulja e flokëve” u eksportua drejt Sarandës, atje ku jo më larg se dje, gratë socialiste akuzuan lidershipin socialist dhe delegatët e tij nga Tirana, se manipuluan procesin e zgjedhjes së strukturave të reja drejtuese. Nuk është fjala për një rast banal dhe të izoluar apo qoftë edhe për një përplasje të momentit mes grave karrieriste, por gjithçka i referohet një skenari të mirë-organizuar me qëllim shtrembërimin e votës së anëtareve me të drejtë vote të forumit të gruas. Jo pa qëllim Edi Rama ka zgjedhur diktatin më të egër ndaj votës së anëtarësisë së PS. Ai nuk i beson vullnetit të lirë dhe të pavarur të anëtarësisë së PS, ashtu sikurse nuk i beson komisionerëve socialistë, për të cilët një vit më parë kërkoi 8 vjet burg! Filozofia për të shtirë në dorë dhe diktuar çdo strukturë, forum apo instrument tjetër vendimmarrës në Partinë Socialiste, ka bërë që Edi Rama të fusë në sherr edhe forumin e grave, aty ku ka plasur një luftë e paprecedentë shkulje-flokësh mes grave ambicioze, për të kryesuar forumin e gruas. Jo më larg se zgjedhjet e kaluara parlamentare, Edi Rama e shihte Forumin e Gruas si ‘celulë partiake’ që ishte nën kontrollin e Fatos Nanos dhe për këtë shkak vendosi pezullimin e funksionimit të forumit, duke realizuar kështu me sukses përjashtimin e “butë” të Edlira Haxhiymerit apo dhe Majlinda Ketës të cilat sot s’kanë asnjë lidhje me nomeklaturën 99-she që sundon në PS, FRESSH dhe tashmë së fundmi edhe në Forumin e Gruas. Incidenti i Sarandës kurrsesi s’duhet injoruar dhe hedhur pas shpine si ndodhi e cekët apo e motivuar nga prirja karrieriste e grave. Fundja, nëse procesi i zgjedhjes së strukturave drejtuese respekton me përpikmëri rregullat statutore, në Lushnje dhe Sarandë s’do shihnim gra të bëra “lesh e li” dhe në prag konfrontimesh fizike me njëra-tjetrën, për mohimin e të drejtës së votës apo për imponimin e votës drejt një kandidaturë të vetme; asaj që plotëson kushtet e nomeklaturës 99-she të PS-së. “Vetë shkruajnë, vetë vulosin”- u shpreh njëra nga delegatet e forumit të gruas të Sarandës, duke akuzuar lidershipin socialist për shtrembërim të vullnetit të votueseve. Sepse vetëm pak minuta para votimit, deputetja e PS, Luiza Xhuvani në rolin e delegates së Partisë Socialiste, ndryshoi listat e votueseve si dhe deklaroi se do votohet për një kandidaturë të vetme. Pas Lushnjes dhe Sarandës “shkulja e flokëve” do vazhdojë në qytete të tjera ku do zgjidhen strukturat drejtuese të Forumit të Gruas. S’ka pikë dyshimi se ato gra delegate me të drejtë vote, do pranojnë imponimin e dhunshëm të grarisë së Tiranës që në thelb shkel çdo të drejtë të shprehjes së votës. Fundja, këtu s’ka asgjë të re, pasi përmes një procesi të tillë të diktuar dhe imponuar, Edi Rama zgjodhi kryetarët e degëve lokale të PS-së, sot po zgjedh kryetaret e degëve të Forumit. Thjesht është duke përgatitur terrenin që të qëndrojë në krye të PS edhe pas 2013-ës, pasi rezultatin zgjedhor askush s’e di më mirë se ai...
Kronika - Zgjedhjet në FGS, procesi i manipuluar
Pas zgjedhjes së kryetares së forumit të grave socialiste për qytetin e Sarandës vetë gratë socialiste të qytetit jugor kontestojnë procesin dhe kërkojnë mbledhjen e asamblesë së partisë. Sipas një pjesë të votuesve procesi ishte i manipuluar, koha deri ne votime ishte shumë e shkurtër, është shkelur statuti me lista të tej mbushura dhe ku mungojnë emrat e 500 anëtarëve të Partisë Socialiste, militante të njohura. Burime zyrtare nga Partia Socialiste Sarande thane se deputetja, Luiza Xhuvani ishte deleguar si drejtuese e një procesi që u zhvillua i përshpejtuar dhe mbi lista të ndryshuara. Sipas koordinatores Rajmonda Gjoni, në fillim procesi ka qenë demokratik. Nga organizata bazë e gruas janë zgjedhur dy kandidate Enkelejda Vasili, mjeke, këshilltare e PS në këshillin bashkiak dhe Mira Karalliu, sipërmarrëse. Po ne shkelje të statusit te PS procesi vijoi vetëm me një kandidaturë, zonjën Karalliu, e cila në fund u shpall dhe fituese. Por kryetarja e organizatës së gruas, Vojsava Vasili, thotë se kjo u bë me një urdhër të brendshëm me firmën e Edi Ramës të cilin e realizoi deputetja Xhuvani. Deputetja Luiza Xhuvani, e cila ka qenë edhe pjesë e komisionit të votimit vetëm për një kandidate, ka heshtur.
...