Strasburg, Panariti: Të vendosur në përmbushjen e kritereve të integrimit
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti në cilësinë e presidentit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ka raportuar sot në Asamblenë Parlamentare të KiE-së në Strasburg.
Kryediplomati shqiptar ka shpalosur përpara parlamentarëve të 47 vendeve anëtare mbi aktivitetin e Komitetit të Ministrave, si dhe mbi ecurinë e implementimit të prioriteteve të kryesisë shqiptare të KiE-së.
Në fjalën e tij, ministri Panariti theksoi se Shqipëria është e vendosur për të përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për integrimin në Bashkimin Europian. Sipas tij, qeveria është vendosur të vijojë më tej me implementimin e politikave që do të bëjnë të mundur zhvillimin e të drejtave të njeriut si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike vitin e ardhshëm.
Ai ka theksuar më tej se problemet ekonomike kanë bërë që shumë prej vendeve të BE-së të ngadalësojnë progresin e kërkuar por shtoi se vetëm bashkëpunimi mes vendeve do të bëjë të mundur përballimin e problemeve dhe sfidave. “Vetëm në mënyrë të drejtë dhe duke bashkëpunuar së bashku mund t`ia dalim për të bërë të mundur zgjidhjen e këtyre sfidave. Kjo duhet të jetë një nga pikat kyçe që duhet të përçohet në të gjitha shtetet anëtare” tha Panariti.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, ministri Panariti gjithashtu është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të KiE-së, Jagland, Presidentin e Asamblesë Parlamentare, Mignon si dhe me shtetas shqiptarë të punësuar në Këshillin e Evropës.