“Edi Rama do ta shtysh votimin, sa të harrohet që po t’i fusin këmbët në një këpucë?!”

3 ligjet e statusit, Bregu: Rama po zhgënjen pa filluar, garantët e marrëveshjes së re
Deklarata e Edi Ramës dje se, s’ka asnjë kusht nga Lëvizja Socialiste për Integrim, për votimin e 3 ligjeve të Brukselit, ka sjellë reagimin e ministres së Integrimit, Majlinda Bregu e cila deklaroi se kryesocialisti po përgënjeshtron deklaratat e Ilir Metës. Sipas saj, ditën kur Ilir Meta zyrtarizoi koalicionin me PS tha se LSI ka si prioritet miratimin e 3 ligjeve të integrimit, brenda këtij mandati. “Kandidati për draft kryeministër, i “madhi” Edi Rama, sot na tha: votimi i tre ligjeve as nuk ka qenë e as është kusht mes PS-së dhe LSI-së. Mos ja fut kot o Edi Rama! Ilir Meta ka pohuar të kundërtën, pra që t’i ka vënë si kusht! Ditën kur zyrtarizoi koalicionin me ty Meta tha se LSI ka si prioritet të parë miratimin e tre ligjeve brenda mandatit të këtij Parlamenti”, u shpreh Bregu. Duke sjellë në vëmendje rolin destruktiv të Edi Ramës në kursin e integrimit europian të vendit, Bregu i shtroi pyetjen Ramës; “’Do ta shtysh dhe ca ditë votimin, sa të harrohet që po t’i fusin të dyja këmbët në një këpucë?!’, Bëj si të bësh e bëje shpirtin gur e votoji tani tre ligjet! Zaten, pasi u sigurove nga kush munde, që statusin e dogje për të tretën herë, votoji e mos i zhgënje pa filluar, garantët e marrëveshjes së re!”, përfundon komentin e saj në “Facebook”, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.