E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Objektiv për LSI, para dhe pas zgjedhjeve, përshpejtimi i integrimit evropian”

08-04-2013 / Gazeta 55

Ilir Meta takon Sekretarin e Përgjithshëm të Internacionales Socialiste, Luis Ayala

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi dje se objektiv kryesor i forcës politike që ai drejton është përshpejtimi i integrimit evropian para dhe pas zgjedhjeve. Në një prononcim për mediat pas takimit që zhvilloi mëngjesin e sotëm me Sekretarin e Përgjithshëm të Internacionales Socialiste Luis Ayala, i cili sipas Metës e ka përgëzuar për iniciativën më të fundit që ka të bëjë me një koalicion të ri që synon rritjen e mundësive të alternativës të së majtës së bashkuar për të fituar në zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas Metës, fitorja e zgjedhjeve të 23 qershorit janë një mundësi për të kontribuar dhe përballuar të gjitha sfidat që vendi ka në të ardhmen, sidomos në raport me përshpejtimin e procesit të integrimit europian. Kreu i LSI-së falënderoi z. Ayala për interesimin e vazhdueshëm të internacionales socialiste për zhvillimet e demokracisë në Shqipëri, por edhe për zgjedhjet e 23 qershorit. “Për ne është i rëndësishëm ky bashkëpunim, i cili jam i bindur do të kontribuojë edhe në forcimin e marrëdhënieve të Shqipërisë, jo vetëm me familjen socialiste evropiane e botërore, por në tërësi për të gjitha proceset integruese të vendit”, tha Meta. I pyetur nga mediat se kur do të votoheshin “tre ligjet e integrimit”, Meta u shpreh se “objektiv është përshpejtimi i integrimit evropian para dhe pas zgjedhjeve”.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›