E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Çfarë “Rilindjeje”, synimi “Të mbetemi gjallë”

03-04-2013 / Gazeta 55

Pas “Përtej të majtës e të djathtës”, vdes edhe platforma e dytë elektorale e Ramës, ajo e Rilindjes. I sigurt se po shkon drejt një falimentimi zgjedhor, mesazhi i djeshëm për deputetët e tij ka qenë krejt i zhveshur nga etika e nga morali. Ai u ka thënë hapur socialistëve se s’është momenti i fitores, por i mbijetesës, i të mbeturit gjallë në politikë, prandaj edhe ishte i detyruar të bashkohej me kundërshtarin e tij më të flaktë në të majtë, pa marrë parasysh sa do t’i kushtonte kjo zgjedhje në elektorat

Edi Rama është në kufijtë e mbijetesës së tij personale në politikë. Pavarësisht se flet në emër të “të interesit kombëtar dhe publik, si edhe në emër të interesit të PS-së”, hallin e tij, që të gjithë ia dinë dhe ia njohin, ai nuk e fshehu as dje kur artikuloi “unë dua të fitoj për të gjithë ju”.
Prej rreth 8 vjetësh në politikën aktive, kohë që korrespondon edhe me katapultimin e tij në krye të PS-së, Edi Rama vetëm shijen e fitores nuk ka ndjerë ende..., ndërsa nga ana tjetër është shndërruar në një “degustator” shijesh humbjesh.
Pas “Përtej të majtës e të djathtës”, slogan i cili dukej se katër vjet më parë u sajua vetëm për inat dhe kundër Ilir Metës e LSI-së, katër vjet më pas, as slogani “Rilindje”, nuk ngjiti. I bindur se vdiq ende pa u “rimëkëmbur” edhe platforma e dytë elektorale, ajo e “Rilindjes” së tij, Edi Rama po mundohet, duke u sforcuar shumë, për ekzistencën e tij pas 23 qershorit 2013.
Për këtë nuk njeh më as “din e as imam”, por as parime e as moral.
I sigurt se po shkon drejt një falimentimi zgjedhor, mesazhi i djeshëm për deputetët e tij ka qenë krejt i zhveshur nga etika e nga morali.
Duke folur për kapërcime e trajtime çështjesh, “pa moralizime apolitike”, Edi Rama ishte vetë i ndërgjegjshëm se jo të gjithë do i jepnin të drejtë. Por, kjo nuk e pengoi atë, që të gjithëve, gati sa nuk u lutej, që ai  duhet të fitonte, të paktën një herë të vetme. Dhe këtë fitore, ai tashmë ka krijuar bindjen, se nuk mund ta arrijë pa ndihmën e LSI-së.
Këtë mesazh të rëndësishëm, ëpr fatin e tij personal, ai ua ka përcjellë, duke tentuar edhe tua imponojë hapur socialistëve, sipas të cilit, s’është momenti i fitores, por i mbijetesës, i të mbeturit gjallë në politikë, prandaj edhe ishte i detyruar të bashkohej me kundërshtarin e tij më të flaktë në të majtë...
Për Edi Ramën, nga dje, slogani “Rilindje”, merr një kuptim dhe një “translate” tjetër..., “të mbetemi gjallë”...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›