E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama kërkon pushtet në tavolinë”

05-10-2011 / Gazeta 55

Jemin Gjana, deputet i PD-së

Deputeti demokrat Jemin Gjana, ish-hartues i Kodit Zgjedhor thotë se Shqipëria nuk e ka luksin, që të ndryshojë sistemin elektoral në çdo prag zgjedhjesh

Deputeti i Partisë Demokratike Jemin Gjana, ish-hartues i Kodit Zgjedhor, thekson se ndryshimi i sistemit elektoral nuk është pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Në një deklaratë për mediat, Gjana shprehet se Shqipëria nuk e ka luksin, që të ndryshojë sistemin elektoral në çdo prag zgjedhjesh.
Ligjvënësi demokrat shprehet se reforma zgjedhore duhet të nisë, pasi ekspertët e caktuar nga Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, të ndërtojnë termat e referencës, duke marrë për bazë 52 rekomandimet e propozuara nga OSBE/ODIHR. Por, sipas Gjanës, kryesocialisti Edi Rama, kërkon vetëm pushtet në tavolinë.
“Në 2008-ën Partia Socialiste insistoi për ndryshimin e sistemit. Kërkuar sistem proporcional rajonal se kishin humbur në atë mazhoritar - proporcional. Sistemi aktual është bipartizan dhe ka eliminuar shumë probleme të sistemit të mëparshëm. Lidhur me administratën zgjedhore, palët duhet të kenë besueshmëri tek njëra-tjetra. S’ka mënyrë tjetër për organizimin e administratës zgjedhore, përveç formulës bipartizane të saj. Gjërat janë për tu lexuar siç janë. Para 3 vjetësh e ndryshuam sistemin me kërkesë të socialistëve. Ata shkuan në ndryshimin e këtij sistemi sepse humbën në dy zgjedhje radhazi, në 2011 dhe 2005-ën. Ne nuk kemi luksin të ndryshojmë në çdo palë zgjedhje sistemin zgjedhor. Dhe e dyta, ndryshimi i sistemit nuk zbatohet në zgjedhjet e radhës, por në një palë zgjedhje të mëvonshme, në mënyrë që asnjëra nga palët politike të mos ketë mundësi të abuzojë me zgjedhjet. Janë 52 rekomandime të OSBE/ODIHR, për reformën e re zgjedhore, të cilat duhet të përmbushen”, u shpreh Gjana.
Lidhur me modifikimin e problemeve të vërejtura gjatë zgjedhjeve të kaluara, ku procesi i numërimit është konsideruar si pjesa zgjedhore më problematike, Gjana thotë se kjo duhet parë në Kod.
“Edhe në zgjedhjet 2009-ës dhe 2011-ës, dita e votimit është konsideruar ditë e qetë, numërimi ka qenë transparent, por problemi më thelbësor që ka dalë më pas, ka qenë se numërimi është zgjatur më shumë se një javë. Kjo ka cenuar Kodin Zgjedhor, pasi neni i tij parashikon që ditën e martë, pas zgjedhjeve, të jetë i mbyllur procesi. Ndërhyrjet në Kod, në mënyrë që komisionerët të mos kenë mundësi të bllokojnë, marrin vulën dhe pengojnë numërimin e votave. Duhet të ketë penalitete dhe ndëshkueshmëri. Gjithashtu numri i vend numërimeve dhe grupeve të numërimi është një çështje të mund të zgjidhet në Kod. Pra, e gjithë çështja është që ditën e martë të kemi rezultatin. Procesi i numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit nga komisionet zonale dhe qendrat e numërimit të votave të mos zgjatet më”, theksoi deputeti demokrat.
Deputeti i Partisë Demokratike shprehet se reforma zgjedhore, votimi i ligjeve të rëndësishme për integrimin apo dhe rishikimi i Rregullores së Kuvendit, nuk kanë nevojë për një pakt mes mazhorancës dhe opozitës, pasi janë detyrime për palët.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›