E Diel, 1 Nëntor 2026

Lepuri s’del nga barku me një ftesë debati që s’e beson as vetë ftuesi

06-10-2011 / Nga Lavdrim Lita

Për të nxjerrë frikën, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama sajoi një ftesë atij që e ka frikësuar për zgjedhje me radhë: Sali Berisha. Si kardiolog, dr. Berisha e ka të qartë patologjinë. Frika ndahet në dy pjesë. Së pari është frika për sigurinë personale, dhe së dyti frika për rehatinë familjare dhe financiare. “Kush ka frikë çdo ditë vdes çdo ditë, kush nuk ka frikë vdes një herë në jetë” ka thënë prokurori  Paolo Borselino, i vrarë nga mafia. Për situatat e ngjarjet e vazhdueshme të “dala” jashtë kontrollit dhe për një gjendje frike permanente, Edi Rama ka çdo ditë frikë. Ka frikë nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, sepse rehatia personale dhe familjare i është vënë në dyshim qëkurse humbi Bashkinë e Tiranës, dhe është hera e dytë që humb zgjedhjet përballë kryeministrit Sali Berisha.
Frika është autostrada e rrugës së vetme për anën e zezë njerëzore. Frika të çon në zemërim, nga zemërimi në urrejtje, nga urrejtja në dhimbje. Dhe tek Rama perceptohet shumë frikë që pas 21 janarit dhe pas 8 majit. Janë dy data ku kreu i PS-së ftoi me 21 janar rrugaçët dhe 8 maj qytetarët dhe në të dy datat mori përgjigjen e merituar. Sa për ftesën për debat publik është pak vite i vonuar njeriu refuzimeve të njëpasnjëshme të kundërshtarëve, si për zgjedhjet parlamentare ashtu dhe për ato lokale. Ftesa është e pasinqertë dhe në kohën e gabuar. Kryeministri Berisha e pranoi njëherë ftesën e Ramës, për një darkë tek restorant Krokodili, për ta shpëtuar nga turpi i mbylljes së grevës së urisë. Edi Rama mendon se refuzimi i parë i Berishës do të njësohet me “refuzimin” e dytë që komisioni i BE  ka gjasa t’i bëjë Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Loja polisemantike e Ramës është e pasinqertë dhe cinike, pasi refuzimi na vjen prej frikës së tij për të qenë konstruktiv. Agjenda e PS-së për dy vitet e shkuara “dëm” ka qenë ajo që kemi parë të gjithë, me zë dhe figurë, bojkote, bilbila, protesta, greva urie, demonstrata të dhunshme dhe kinse revolta popullore. Dhe sot pas gjithë këtyre mynxyrave sesi të duket ftesa e Ramës. Mjerisht janë përçapje për t’u faktorizuar si lider politik, që deri tani nuk ka qenë dhe të bëhet i paprekshëm në të majtë, pasi përpara është dhe Kongresi.
Kuptohet vetiu që debatet publike janë pjesë e demokracisë qysh nga lashtësia dhe të pluralitetit të sotëm, sigurisht duhet kultivuar më shumë, por në rangje kaq të larta bëhet në prag zgjedhjesh, kur ballafaqohet platforma, ide dhe personalitete. Çfarë do të ofrojë Rama në një debat hipotetik të sotëm me kryeministrin Berisha platforma, ide dhe personalitet? Po bëjmë shaka? Të gjithë jetën politike Edi Rama e ka ndërtuar mbi fasadat e lyera dhe heqjen e kioskave dhe ca editoriale, çka është pak për një opozitar që kërkon të jetë nesër kryeministër i vendit. Si në zgjedhjet parlamentare të 2009, po ashtu dhe në zgjedhjet lokale të 8 majit, kreu i PS-së nuk kishte një platformë, asnjë ide, asnjë alternativë politike. Dhe ata që e nxisnin për të ideuar diçka, u thoshte se jam unë platforma, ideja, alternativa. Prandaj ka humbur në dy zgjedhje radhazi.
Sot dhe gjithmonë Edi Rama është kundër parlamentarizmit pse jo vetëm është jashtë parlamentit, por largon dhe deputetët e zgjedhur për të përfaqësuar qytetarët dhe problemet e tyre. Po të ishim një vend normal kryetari i opozitës do të debatonte publikisht me kryeministrin në Parlament dhe jo në studio televizive. Ilaçi i Berishës është guximi. Dhe trimi i mirë është me shokë shumë. A e dini sa shokë për kokë ka Rama? Asnjë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›