E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama mbajti peng statusin për tre vjet, do ta ketë barrë në qafë për gjithë jetën”

27-12-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha shprehet në mbledhjen e qeverisë se mazhoranca u është përmbajtur premtimeve dhe se pengmarrja e statusit merr fund në 23 qershor


“Gjatë këtij viti qeveria shqiptare i është përmbajtur besnikërisht programit të saj, duke konsoliduar më tej fytyrën njerëzore dhe zemrën e dhimbsur, si një qeveri e cila në kushtet e një krize të paprecedent në Evropë, ia doli që ekonomia shqiptare të mos ta njohë recensionin”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, për vitin 2012. Kryeministri tha se në sajë të reformave të ndërmarra nga qeveria, Shqipëria e meritoi plotësisht statusin e vendit kandidat për Komisionin Evropian, përveç tre ligjeve të depozituara në parlament, por të pa votuara për shkak të politikës bllokuese të ndjekur nga Edi Rama. Kjo politikë bllokuese, tha Berisha, do marrë ndëshkimin e duhur në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. “Ne vijmë në këtë mbledhje si një qeveri, e cila i është përmbajtur besnikërisht programit të saj, e cila ka konsoliduar më tej fytyrën njerëzore dhe zemrën e dhimbsur, ndofta edhe më mirë, sipas gjasave se dhjetëra e dhjetëra qeveri të tjera, si një qeveri e cila në kushtet të një krize të paprecedent në Evropë dhe në botë ia doli që në sajë të reformave te saj ekonomia shqiptare të mos njohë recensionin dhe në vitin më të vështirë, si një qeveri e cila përfundoi një vepër tjetër madhore, pas rrugës së kombit, tunelin e Kërrabës, ëndërr shekullore kjo e shqiptarëve dhe qindra kilometra autostradë, rrugë kombëtare, mijëra kilometra rrugë dytësore dhe tretësore në mbarë vendin, si një qeveri e cila me ambicie të mëdha ndryshoi në mënyrë rrënjësore sistemin arsimor të vendit. Këtë vit u inaugurua një zinxhir i tërë shkollash ndër më modernet në Shqipëri, por dhe më gjerë. Një qeveri e cila ndër më të paktat rriti rrogat dhe pensionet dy herë më shumë se indeksi i çmimeve, si një qeveri e cila me reformat  e saj meritoi për KE plotësisht statusin e vendit kandidat, përveçse tre ligjet që  qeveria i ka depozituar në parlament, por që zoti Rama, që parandien një disfatë të thellë dhe i pashpresë në zgjedhjet e 23 qershorit mendon se duke lënë vendin pa status do të ndihet më mirë, si ai që të keqen e vet do ta shndërrojë në të keqe për të gjithë të tjerët. Por kjo nuk do të ndodhë, 23 qershori do të shembë murin e bllokimit të zotit Rama dhe shqiptarët do të ecin të sigurt drejt integrimit. E mbajti peng për tre vite me radhë, do ta ketë barrë në qafë për gjithë jetën këtë që i bëri vendit, por demokracia kjo është, funksionon mbi bazën e rregullave paqësore dhe në këtë kontekst nuk ka zgjidhje përveçse zgjedhjet  e përgjithshme, rrëzimin e murit të bllokimit me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe shpresën dhe besimin se socialistët do të kenë zërin e tyre, në mbrojtje të interesit kombëtar dhe shoqëror, pasi në fakt kanë fatkeqësinë më të madhe të qeverisen jo nga socialistë, por nga neobllokmenë dhe 99-sha sepse këtë nuk e bënin dot kurrë socialistët e vërtetë shqiptarë, ata të cilët 20 vite kanë kontribuar në ndërtimin e socializmit me qëndrimet e tyre, me veprimtarinë  tyre, kanë kontributin e vet për ndërtimin e pluralizmit politik në Shqipëri”, u shpreh Berisha. Rezultatet e Censusit, për kryeministrin Berisha, dëshmuan një Shqipëri tjetër, shumë më të avancuar. Kësisoj, Berisha tha gjithashtu se Shqipëria nuk njohu krizë ekonomike, ndërsa fuqia blerëse është edhe më e fortë se një vit më parë. “Ky ishte një vit suksesi për shqiptarët, një vit në të cilën ekonomia shqiptare nuk njohu recensionin, por përkundrazi njohu një rritje të qartë dhe të padiskutueshme. Jo të paktë janë ata, të cilët bërtasin se ka rënë fuqia blerëse. Dua tu shtroj një pyetje, në një vit që blihen rreth 538 mijë vetura cila është rënia e fuqisë blerëse? Fuqia blerëse është rritur në mënyrë të ndjeshme dhe këtë e fakton në mënyrën më të qartë dhe më të kristaltë libri i shitjeve, në republikën e Shqipërisë që bazohet në deklarata të bizneseve të vendit që dëshmojnë se shitjet në Shqipëri kanë një rritje dyshifrore. Atyre të cilët duan të na thonë se borxhi duhet të llogaritet si përqindje GDP, unë dua tu them se rritjet e sivjetshme krahasuar rritjet e vjetshme janë dy shifrore dhe fuqia blerëse është më e fortë. U shpallën rezultat e Censusit të cilat treguan se kemi të bëjmë me një Shqipëri tjetër shumë, shumë më të avancuar”, vijoi kryeministri. Në një bilanc të 2012-ës në kuadrin diplomatik, kreu i qeverisë shqiptare vuri theksin te përpjekjet në rrafshin ndërkombëtar, për njohjen e Kosovës. “Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha në rrafshin ndërkombëtar për njohjen e Republikës së Kosovës. Shqipëria ka qenë dhe mbetet një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan. Në të gjitha fushat ka pasur një konsolidim të mëtejshëm të progresit”, tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›