E Diel, 1 Nëntor 2026

Prioriteti/Çdo pasuri kombëtare do shndërrohet në mirëqenie për shqiptarët

27-12-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha, në bashkëbisedimin e fundvitit me gazetarët, shpalli edhe prioritetet e ekzekutivit për vitin e ardhshëm, ku prioritet absolut mbetet “shndërrimi i çdo pasurie kombëtare në mirëqenie për shqiptarët”. Tregues i performancës vlerësohet renditja e Shqipërisë në vendet e para për rritjen e mirëqenies, sipas një raporti ndërkombëtar, hartuar në Çikago 


Deklarata/ “Do të investohet në favor të mirëqenies së qytetarëve çdo dollar që do të përfitohet nga privatizimi “Albpetrol”


Rritja e të ardhurave - nga 3900 dollarë 7 vjet më parë, në 9300 dollarë sot



Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një bashkëbisedim të hapur me gazetarët, e fundit për vitin 2012-ë, duke analizuar bilancin e qeverisë gjatë dy mandateve të qeverisjes së Shqipërisë nga Partia Demokratike. Duke prezantuar para gazetarëve, përmes një video-projektori, raportin e SEDA – për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm – të përgatitur nga Boston Consulting Group, Berisha tha se Shqipëria në këto 6-7 vitet e fundit ka bërë një ndryshim thelbësor të zhvillimit të saj ekonomiko-social. Ky raport, ka marrë në shqyrtim 150 vende të globit dhe është bazuar në raportimet e FMN, Bankës Botërore, OKB apo Forumeve të ndryshme ekonomike dhe iniciativave studimore prestigjioze për të nxjerrë përfundimet e tij. Në shumë prej indikatorëve të marrë në shqyrtim, Shqipëria me reformat që ka aplikuar në këto 6-7 vitet e fundit, ka arritur të renditet ndër vendet me më shumë zhvillim. Duke cituar pasazhe nga parathënia e librit të ish-kryeministrit britanik, Tony Blair dhe duke iu përmbajtur disa pikave kryesore të raportit, pjesë të këtij ndryshimi cilësor, kryeministri deklaroi infrastrukturën rrugor me mbi 10 mijë kilometra rrugë të asfaltuara; rritjen e rrogave dhe pensioneve për kategori të ndryshme sociale; nivelin e të ardhurave për frymë nga 3900 në 9300 dollarë në këtë periudhë; furnizimin me ujë të pijshëm për mbi 97% të popullatës; luftën pa kompromis me krimin dhe korrupsionin; zbatimin e ligjeve të ekonomisë së tregut; zhvillimin e sistemit arsimor e shëndetësor, etj. Sipas kryeministrit Berisha, prioritet absoluti i qeverisjes së këtyre viteve ka qenë që çdo pasuri kombëtare të kthehet në mirëqenie ekonomiko-sociale për shqiptarët. Ndër treguesit më sinjifikativ të këtij progresi të jashtëzakonshëm, sipas kryeministrit, ka qenë penetrimi i internetit në mbi 63% të popullatës dhe telefonia celulare në mbi 186%.  


Në vlerësimin e tij, perfomanca e vendit në fusha të ndryshme e suksesshme.


Në këtë panoramë një vend të veçantë zinin hapat e ndjekura nga ana e qeverisë “Berisha” me qëllim nxitjen dhe tërheqjen e investitorëve të huaj në vendin tonë.  


“I jemi përmbajtur të vërtetave. Kam deklaruar para shqiptarëve se nuk ka qëllim më madhor sesa zhvillimi dhe ia kemi arritur. Shpesh jam kritikuar se po përdor nota euforike, por theksoj se i jam përmbajtur të vërtetës. Ne një hark kohor të tre vjetëve rroga mesatare është rritur dyfish dhe ato nën mesataren nga 120 - 150%, pensionet janë dyfishuar. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka pasur ulje të papunësisë, fale reformave të qeverisë. Shqipëria ka ruajtur një rritje konstante ekonomike edhe në kushtet e krizës”- u shpreh kryeministri Berisha. 


Kreu i qeverisë shprehu angazhimin e tij se do të investohet në favor të mirëqenies së qytetarëve çdo dollar që do të përfitohet nga privatizimi “Albpetrol”.


“Të gjitha ofertat u hapën para kamerave. Një ofertë u paraqit, po zbatohet ligji, i cili parashikon për firmën ofertuese  zgjatjen e afatit edhe me një muaj. Është dhënë ky muaj,  në këtë proces ne kemi konsulencë, ndjekim ligjin. Në rast se përfundon me sukses çdo dollarë do të kthehet në mirëqenie për qytetarët. Asnjë dollarë prej tij nuk është përfshirë në buxhetin e shtetit. Sa u takon HEC-eve mund të them se është një proces kryekëput transparent, ofertat janë hapur para kamerave televizive, konsulenti është tepër serioz. E njeh apo jo Rama procesin, e rëndësishme është të njohë veten e tij”, veçoi Berisha, lidhur me këtë çështje. Po kështu, duke pasur si prioritet pikërisht infrastrukturën rrugore, kryeministri garantoi se ashtu siç janë ndërtuar me dhjetëra kilometra rrugë në Kukës ashtu do të vijojë dhe ndërtimi i rrugëve të tjera ku në fokus do të jetë financimi i “Rrugës së Arbërit”.




“Siguria në vend”, U eliminuan 204 grupe kriminale të qeverisjes socialiste


7 vite më parë vendi ishte i kapur nga krimi, me një vendim të madh të të gjitha organeve  për zbatueshmërinë e ligjit u arritën të shkatërrohen 204 grupe kriminale, duke e shndërruar Shqipërinë në një ndër vendet më të sigurta në rajon  e më gjerë. Natyrisht ky është një proces në vazhdim.


“Papunësia”, Shqipëria i vetmi vend në rajon që ka njohur ulje


Ne një hark kohor të tre vjetëve rroga mesatare është rritur dyfish dhe ato nën mesataren nga 120 – 150%, pensionet janë dyfishuar. Është e njohur tashmë botërisht se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka pasur ulje të papunësisë, fale reformave të qeverisë. Shqipëria ka ruajtur një rritje konstante ekonomike edhe në kushtet e krizës.


“Infrastruktura”, në një hark të shkurtër ndërtuam mbi 10 mijë km rrugë


Infrastruktura ka qenë një arritje madhore. Një herë, po drekoja me Kryeministrin e një vendi të madh, një vendi që është në sipërfaqe pothuajse 25 herë më e madhe sa Shqipëria, një vendi që është, për numër banorësh, 30-40 herë më shumë se sa Shqipëria. Kryeministri më tha se ata kishin ndërtuar shumë rrugë dhe kur e pyeta sa, m’u përgjigj se kemi ndërtuar 8 mijë kilometra. Unë iu përgjigja se në atë periudhë, ne kishim ndërtuar mbi 5 mijë kilometra dhe ai mbeti i habitur. E vërteta është se nuk besoj që të ketë ndonjë vend tjetër me përmasat e Shqipërisë, që të ketë ndërtuar, në një hark kohor të shkurtër, 10 mijë kilometra, aq sa ka ndërtuar Shqipëria, për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të saj. Përsa i përket ujit, sot mbi 97% e qytetarëve shqiptarë marrin ujë rubineti. Natyrisht, jo 24 orë, por po ecet me shpejtësi drejt synimit për furnizimit me ujë 24 orë. Transporti po ecën me ritëm të ndjeshëm, falë rritjes së infrastrukturës. Higjiena është në përmirësim e sipër, edhe pse duhen përpjekje më të mëdha. Komunikimi ka një hov të jashtëzakonshëm cilësor, të panjohur ndonjëherë më parë. Të mos harrojmë se, në vitin 2005, vetëm 38% e shqiptarëve kishin telefon celularë dhe vetëm 4.8% e tyre lundronin në internet. Sot shqiptarët, për celularë për frymë, tejkalojnë shumicën e vendeve më të zhvilluara, me  186%. Sot shqiptarët në Facebook - më lejoni të shfrytëzoj rastin të falënderoj nga zemra të gjithë miqtë e mi të këtij netëork-u të mrekullueshëm social- lënë pas  17 vende të zhvilluara të Bashkimit Evropian. Sot shqiptarët, në internet, lundrojnë me një mesatare 63%, shumë afër me mesataren e Bashkimit Evropian. Pra, komunikimi ka njohur një zhvillim të furishëm dhe ka një rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shoqërisë.


Privatizimi i “Albetrol”, të ardhurat do shkojnë për qytetarët


Kreu i qeverisë edhe në këtë konferencë të fundvitit, ka përsëritur se tenderi për privatizimin e kompanisë “Albpetrol”, ishte transparent, ndërsa nënvizoi se të ardhurat nga ky privatizim, do të shkojnë për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. “Të gjitha ofertat u hapën para kamerave. Një ofertë u paraqit, në mënyrë absolute që po zbatohet ligji, i cili parashikon për firmën ofertuese  zgjatjen e afatit  edhe me një muaj. Është dhënë ky muaj, në këtë proces ne kemi konsulencë, ndjekim ligjin. Në rast se përfundon me sukses çdo dollarë do të kthehet në mirëqenie për qytetarët. Asnjë dollarë prej tij nuk është përfshirë në buxhetin e shtetit prej 410 miliard lekë”- tha ai. 


Privatizimi i HEC-eve, procesi transparent, pak rëndësi nëse i njeh apo jo Rama 


“Lidhur me akuzat, zoti Rama është unik për të krijuar mundësinë e cilësorëve nga më të ndryshëm. Një ditë paraqitet si “mister bllokuesi”, bllokatori, ditën tjetër si mister prokurori etj. Të vetmen gjë që nuk bën është se nuk paraqitet kurrë se çfarë do të bëjë vet,. Këtë mos ia kërkoni, mos e pyesni, sepse do t’ju thotë se do kërkojmë që borxhi të vlerësohet si përqindje e GDP-së dhe këtë ta bëjë Banka e Shqipërisë.  Lidhur me HEC-et, ky është një proces kryekëput transparent, ku të gjitha ofertat janë hapur para kamerave televizive. Ka një konsulent ndërkombëtar që është Korporata Financiare Ndërkombëtare, krahu tregtar i BB-së dhe një komision vlerësues kompetent e serioz. Unë nuk do t’i lejoj vetes komente të tjera, në një proces në vazhdim. Nëse e njeh apo jo zoti Rama procesin, nuk është e rëndësishme kjo. E rëndësishme është që zoti Rama të njohë veten e tij, por këtë ai e ka të pamundur. 


Shpenzimet për 100-vjetorin, çdo qindarkë e fondeve publike është e botuar online


Lidhur me faturën për festimet e 100 vjetorit, çdo qindarkë e fondeve publike e shpenzuar për 100 vjetorin e pavarësisë është e botuar on-line në thesarin e shtetit. Kanë qenë të planifikuara rreth 500 milionë lekë dhe nuk besoj që të jenë shpenzuar qindarkë për qindarkë, por çdo qindarkë e shpenzuar nga qeveria qendrore është e botuar online në thesarin e shtetit. Po flas për shpenzimet e qeverisë qendrore, pasi kanë shpenzuar bashkia e Vlorës, bashkia e Tiranës, qytetarët, kompanitë, etj. Ne jemi një nga më të paktat vende, që botojmë të nesërmen çdo shpenzim që bëhet sot. E botojmë si dëshmi e respektit tonë të palëkundur ndaj parave të taksapaguesve shqiptarë, por edhe për t’i dhënë mundësinë çdo qytetari, çdo biznesmeni, të gjykojë e vlerësojë mbi mënyrën e shpenzimit të parave të buxhetit të shtetit. Janë me dhjetëra e mos më shumë  qeveri që kanë mundësinë ta bëjnë këtë, por nuk e bëjnë. Ne e bëjmë.


Ndërtimi i Rrugës së Arbërit, prioritet i qeverisë


Kryeministri Berisha garantoi se rruga e Arbërit do të përfundojë dhe është një prioritet tjetër i qeverisë. Ai theksoi se shkak për vonesat është bërë ndërtimi i tunelit në autostradën Tiranë-Elbasan, i paparashikuar më parë me tunel dhe që doli 4 herë më i shtrenjtë. “Ka ndodhur një ngadalësim sepse autostrada Tiranë –Elbasan ka qenë e parashikuar pa tunel. Ka qenë një trajektore e cila kalonte Tiranë-Baldushk-Paper dhe aks kombëtar. Një trajektore e cila duhet të pranojmë se për kosto e kishe 4 herë më të ulët në mos 5, se sa autostrada me tunelin e Kërrabës. Por besoj se qytetarët e të gjithë vendit bien dakord plotësisht  se kjo nyje dhe ky tunel ka impaktin më të jashtëzakonshëm në zhvillimin e vendit në tërësi. Sepse nuk po marr këtu, po marr Shqipërinë, nga Leskoviku deri në Elbasan, nga Berati në Skrapar e gjithë ky pellg që ka mbi 1 milionë banorë fitojnë një orë kohë në mbërritjen e tyre në metropolin e vendit. Dhe një orë është një kohë shumë e çmuar përveçse ka një infrastrukturë moderne për të kap tregjet më të mëdha dhe më të  fuqishme të vendit. Por po ky aks është dhe pjesa më nevralgjike e korridorit të 8 më e vështira dhe më nevralgjikja dhe përfundon e para. Po ky aks u shërben shqiptarëve të Maqedonisë në tërësi në mënyrë të ndjeshme. Duke thënë këto në asnjë rast dhe asnjë rrethanë nuk gjen t’i punë të nisura nga unë dhe të mbetura, ti dhe askërkush. Unë jam njeri që presistoj kjo është natyra ime çka do të thotë se rruga e Arbërit do të ndërtohet me siguri. Dhe këtë vit janë parashikuar fondet për ndërtimin e saj. Për fat të keq ne  një moment kritik kur ajo mund të fillonte 3 vjet më parë, mund të fillonte. Por duhet të kemi një gjë parasysh se tunelet janë problemet më kryesore ndonëse  trajektorja tjetër është thellësisht malore por nuk është problematike sa tuneli.


Për fatin e keq tuneli nuk u fillua dot sepse lëvizte struktura. Dhe kompania daneze që ishte konsulent kryesor dha me shkrim se tuneli në udhën e parashikuar 720 metra nuk mund të niset sepse do mbetemi në tunel. Ne u detyruam, u bë projekti i dytë në një kuotë më të lartë rreth 60 metra. Po kur u bë gati kuota e re, filloi tuneli i Elbasanit i cili ka ndryshuar disa plane, ndryshoi dhe projektin për parlamentin. Ky projekt i Elbasanit ishte katër herë më i kushtueshëm se sa projekti i parashikuar për lidhjen Tiranë-Elbasan. Rruga e Arbërit është përparësi madhore absolute e kësaj qeverie dhe ne që e nisëm ne do e sosim.



Rritja ekonomike, tre herë më e lartë se parashikimet e FMN dhe BB


Mos harroni një gjë. Ka dy personalitete në Shqipëri, bashkëpunëtorë të mi të ngushtë, që janë të klonuar nga FMN dhe BB dhe këta janë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe Ministri i Financave. Këta janë të klonuar. Nuk e kam dëgjuar Ridvanin ta thotë këtë, por besoj se e ka thënë, edhe pse nuk është absolutisht e vërtetë. Rritja ekonomike do të jetë të paktën 2 herë më e lartë, madje edhe 3 herë më lartë se ky parashikim. Unë takova para disa ditësh një përfaqësues të lartë të këtyre institucioneve dhe e pyeta; A është tejkaluar çdo vit rritja ekonomike nga ajo që keni parashikuar ju? Po tha, kjo gjë ka ndodhur. Por këta bashkëpunëtorë të mitë, harrojeni se mund të dalin zyrtarisht të thonë ndonjë shifër tjetër, përveçse në fund, kur e shohin. Por  gjatë vitit ata janë në sintoni e harmoni të plotë me FMN e BB, ndonëse duhet t’i njoh një meritë Guvernatorit, i cili u tregoi atyre një histori ndër më interesantet për prosperitetin, në një mbledhje shumë të rëndësishme. Kjo është si historia e Nastradinit; “shtrëngo e shtrëngo rripin”. Erdhi koha që nuk ka nevojë të kërkoj më ushqim e ta shtrëngoj më tha, Nastradini sepse ngordhi gomari.


Qëndrueshmëria ekonomike


Qëndrueshmëria ekonomike – inflacioni dhe luhatjet e rritjes së PBB. Ju jeni dëshmitarë se Shqipëria është një nga vendet me inflacion më të ulët konstant në Europë dhe është luhatur gjithnjë midis 2.8-3.5 %. Shqipëria ka mbajtur një rritje konstante edhe në kulmin e krizës ekonomike, e cila në 5 vitet e fundit shkon rreth 22% dhe është më e lartë se e çdo vendi në 5 vjet në Europë.


Rritja e të ardhurave nga 3900 dollarë 7 vjet më parë, në 9300 dollarë


Te ardhurat – Pasuria, PBB/për frymë. GDP për frymë në Shqipëri është rritur me një shpejtësi marramendëse. Në rast se 7 vjet më parë ajo ishte 3900 dollarë për frymë, sot ajo llogaritet rreth 9300 dollarë për frymë. Në asnjë vend tjetër nuk ka ndodhur një rritje kaq e madhe, në një hark kohor kaq të shkurtër, përjashto vende të cilat kanë pasur fatin të kenë shpërthime të papritura të burimeve kolosale të naftës apo gazit në territoret e tyre. Dëshmi e kësaj është qëndrimi ynë me politikën agresive të rritjes së rrogave dhe pensioneve. Ne kemi bërë që, në një  hark kohor nga 2006 deri në 2012, rroga mesatare të rritet rreth dyfish. Të gjitha rrogat nën mesatare të kenë një rritje nga 120 deri në 150 për qind. Me politikën tonë agresive të shndërrimit të pasurisë në mirëqenie të qytetarëve, ne kemi bërë që pensionet minimale të mbi-dyfishohen dhe pensionet e tjera të njohin një rritje prej 70-80 për qind.


...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›