Nënkryetari i KLD thërret në detyrë Kolegjin Zgjedhor
Çefa: Kolegji me rëndësi për procesin zgjedhor
Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa thirri në detyrë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë. Kështu në zbatim të ligjit Nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 147.2, Kolegji Zgjedhor nisi zyrtarisht punën. Në takimin e organizuar me këtë rast në ambientet e KLD-së, përveç tetë gjyqtarëve që përbëjnë Kolegjin Zgjedhor, merrte pjesë dhe Kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë.
Çefa vlerësoi rëndësinë që institucioni i Kolegjit Zgjedhor ka në realizimin e procesit zgjedhor dhe në respektimin e lirive dhe të drejtave politike të qytetarëve. Ai theksoi se përmbushja e funksionit të gjyqtarit të Kolegjit Zgjedhor, nëpërmjet profesionalizmit dhe integritetit, duhet të ofrojë garancitë maksimale në zbatimin e ligjit, në mënyrë transparente dhe të paanshme.
Gjyqtarët shprehën angazhimin maksimal që me punën e tyre, do të kontribuojnë në zbatimin e standardeve europiane të procesit zgjedhor.
...