Edi Rama, me 7 sekserë personalë në kabinetin qeveritar
Më shumë se 35 përqind e anëtarëve të kabinetit qeveritar janë sekserë, që në jetëshkrimin e tyre kanë të regjistruar veç bashkëpunimin me Edi Ramën. Shitblerja e pronave, studiot ligjore që ofrojnë konsulentë për tenderat shtetërorë, si dhe ndërmarrjet “sh.pk.” që marrin pjesë në konkurrimet e investimeve publike janë aktiviteti kryesor i 7 ministrave të qeverisë Rama, janë aktiviteti i Mimi Kodhelit, Ilir Beqajt, Damian Gjiknurit, Bledar Çuçit, Ilirian Celibashit, Arben Ahmetajt dhe Niko Peleshit. Sejmenët e Edvinit janë garanci se hipoteka personale e baskisë së Edi Ramës do të jetë e mbrojtur edhe në qeverisjen e re, të siguruar përmes llurbës së mashtrimeve elektorale
Edi Rama ka bërë një qeveri me sejmenë, duke instaluar modelin e qeverisjes së bashkisë në qeverisjen e shtetit. Ministrat e rinj sejmen të Edi Ramës janë të certifikuar në besnikëri jeniçere. Ministrat Mimi Kodheli, Ilir Beqaj, Damian Gjiknuri, Bledar Çuçi, Ilirian Celibashi, Arben Ahmetaj, etj janë produkte mercenarizmi në Bashkinë e Tiranës që i janë gjendur beut në mbledhjen e lekut. Edhe për zëvendësin e tij, Edi Rama ka vënë një kryebashkiak si Niko Peleshi që ka instaluar në Korçë modelin e shefit të tij në Bashkinë e Korçës.
Kuptohet vetiu, Edi Rama ka replikuar modelin bashkiak me vendosjen e Mimi Kodhelit, një bashkëpunëtore të afërt në krye të një ministrie si një shpërblim për shërbimin e devotshëm mercenar dhe kokulur.
Ministrat e rinj socialistë që do të marrin detyrën në shtator janë në konflikt interesi, pasi kanë biznese dhe sipërmarrje që bien ndesh me detyrën shtetërore. Edhe pse formalisht Edi Rama iu ka kërkuar ministrave, Ilirjan Celibashi, Arben Ahmetaj, Ilir Beqaj dhe Damian Gjiknuri të shesin bizneset dhe aksionet që kanë në sipërmarrje të ndryshme përpara se të marrin detyrën, një gjë e tillë nuk po duket. Ilirjan Celibashi, Ministër pa Portofol, kryetar i KQZ-së që certifikoi vjedhjet e zgjedhjeve, ka të hapur studion Ligjore “Celibashi & Associates” dhe në QKR firma e regjistruar me emrin “Ilirjan Celibashi” në 2006 dhe është me statusin “aktiv”. Kësisoj, punët e Ramës me bizneset “në hall” do të kalojnë përmes zyrës së “Celibashi & Associates” për të hequr “njollën” në biografinë politike.
Po ashtu Arben Ahmetaj, ministri i ardhshëm i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, do të zhvillojë edhe firmën e tij, “H– COMMUNICATIONS”, me tendera në lidhje me telekomunikacionet dhe operacionet financiare. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Ahmetaj zotëron 65 % të aksioneve me firmën “Hermes” dhe është në konflikt interesi të qartë me detyrën e tij.
Po ashtu Ilir Beqaj, formalisht i zgjedhur si ministër Shëndetësie, prej 2001 vijon të jetë përfaqësues i firmës “INTECH +”, që tregton tregtimi i sistemeve kompjuterike për përpunim informacioni dhe transmetim, prodhim i programeve aplikative, instalimi i sistemeve të informacionit dhe të ndërlidhjes, shërbim dhe tregtim i sistemeve elektronike në çdo fushë të ekonomisë. Një nga tenderët e fundit që ka fituar kjo firmë është ajo e pajisjen së bashkisë së Durrësit, që drejtohet nga Vangjush Dako, me aksesorë IT. Ministrit Beqaj iu hoq mandati i deputetit nga Gjykata Kushtetuese sepse kishte marrë fonde shtetërore me anë të firmës private INTECH.
Një tjetër sejmen i Edi Ramës është Damian Gjiknuri, i caktuar si ministër i Energjisë dhe Industrisë. Ministri Gjiknuri zotëronte 25 % të aksioneve te firma AB – GROUP, që importon dhe eksporton, me shumicë e pakicë të artikuj të ndryshëm industrial, konfeksione, tekstile, prodhime lëkurë, tregtim të lëndëve të para për prodhimin e mobilieve dhe elementëve te tyre, artikuj shkollor, kozmetike, higjieno- sanitare, etj. që u çregjistrua në dhjetor 2009. Po ashtu ministri Gjiknuri ka çregjistruar edhe zyrën e tij të avokatisë të regjistruar në shtator 2008. Po ashtu Gjiknuri ka mbyllur aktivitetin e firmës “IMMOAIR”, regjistruar në mars 2007, ku ishte pronar i vetëm i firmës që merrej me shitblerje të pasurive të patundshme, aktivitetet e ndërmjetësimit dhe zhvillimit të turizmit, shërbime ndërmjetësimi për aktivitete të ndryshme tregtare. Fitimet e Gjiknurit në këto firma janë të pa deklaruara në gjendjen e llogarisë bankare.
Ndërsa ministri pa Portofol Bled Cuçi, ish-nënsekretar i Çështjeve Ligjore në PS, ka mbrojtur çështjet e shumta të hapura të Edi Ramës me ligjin. Të vetmen meritë që ka Bled Cuçi në PS është fakti që është burri i ish-gruas së Edi Ramës. Sidoqoftë 7 sejmenët e Edi Ramës në 7 ministri janë produkt i një rrethi të ngushtë që pazarin dhe interesin e kanë parim filozofik. Lidhja e shkurtër me kryetarin i konfirmon këto 7 sejmenë në ministra të interesit të Edi Ramës dhe jo atij publik. Rrethi i parë i Edi Ramës janë ministrat që janë “yes man”, që i thonë “po” edhe kur gjithçka është për “jo”.