Edi Rama, njeriu i orëve të fundit
Edi është jo vetëm i orëve (apo minutave) të fundit, por edhe i skandaleve në vigjilje të ngjarjeve me rëndësi të jashtëzakonshme: 21 Janarit të shmangshëm dhe i vetëdjegies së individëve të paautorizuar nga Shoqatat e ish-të përndjekurve politikë. E.Rama e ka sistem “pune” këtë mënyrë të të sjellurit si kryetar të opozitës, gjë që e ka vënë në vështirësi mospranuese édhe ndër elitarë brenda radhëve, të cilët kryetari i PS-së i ka përjashtuar, u ka hequr mandatet e deputetëve, apo i ka diskriminuar rreptësisht. Natyrisht që këto vërejtje duhen argumentuar. Konsensusi për statusin e vendit tonë për në BE, është lënë për në orët e fundit. Ceremonia e festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë është lënë, po ashtu, për në orët e fundit. Ndërkaq akuzon mazhorancën për mosshkundjen e tij nga pasiviteti. Ndërsa mazhoranca ka nxjerrë një program festimesh të detajuar, program i cili përmban aq imtësira, sa ka zënë dy faqe të tëra të gazetave. Duke shkuar më larg në kohë, zgjedhja e Presidentit të Republikës, u la pa asnjë propozim nga ana e PS-së, kur dolën emra të shumtë që kërkonin edhe të tjerë, për të vendosur midis atyre emrave, kur mungonin emrat e palës tjetër, asaj të opozitës së Edvinit. Pastaj, pas djegieve të kohës në skandencë, kujtohet kryetari i PS-së se nuk paska qenë bërë zgjedhja më e mirë. Po emrat e tij, që të diskutoheshin edhe ata, ç’u bënë? Nuk kishte kohën e mjaftueshme që të bënte edhe ai propozimet e tij, sa pa rënë endé gongu i mbarimit të kohës? Ceremonia për festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë akoma nuk ka një program të nxjerrë nga pakica parlamentare.
Mjaft komentatorë, nga të dyja palët, ia kanë vënë në dukje këtë dukuri të shndërruar në letargji të njeriut pa program. Apo, sa për të saktësuar dukurinë, të individit partiak që ka një strategji të xhepit rezervë të kostumit të tij misterioz: Atë të befasisë, të panjohur as nga kongresistët e tij. Kuptohet se është fjala për atë bllokimin e valëve elektronike të pjesëmarrësve në mbledhjen më të rëndësishme të P. Socialiste. Pati pjesëmarrës që e kritikuan rëndshëm këtë surprizë alla-Rama. Por ai është përbaltur si tepër si një person që nuk konsultohet veçse me vetveten!
Njëri ndër njerëzit më me prestigj, i përjashtuar nga radhët e PS-së nga Rama, z. Kastriot Islami, doli në mediet tona dhe e tha, hapur fare, se kjo nuk është sjellja e fitimit të zgjedhjeve të 1913-s. “Mënyrat radikale” të kryetarit të PS-së, z. Islami i quajti si “joproduktive”. Të tjerë mendonin se, ndonëse kreu i minorancës vepron sipas trurit të tij, pa u konsultuar me askënd, nuk është në rrugën e duhur për të përballuar zgjedhjet që po afrojnë. Dhe ajo “m’i kanë vjedhur votat” po bëhet gjithmonë e më e pabesueshme. Të tjerë, më të prerë kundër Ramës, po flasin më vrazhdë. “Hajt! Se koka bën, koka pëson!”.
Duke përmendur sërish konsensusin për statusin e kandidatit për në BE, Edi Rama i ka vënë të gjithë shqiptarët, si ata të mazhorancës, ashtu edhe ata të pakicës parlamentare, në një ankth, për të cilin ai as që do t’ia dijë. Ka gjasa që ai t’i shkaktojë për të tretën herë vendi tonë, largimin e kësaj ngjarjeje për të cilën afërsisht 90 % e shqiptarëve dihet se janë të etshëm për t’u futur pa vonesë në komunitetin evropian. Dihet sa lëshime ka bërë shumica parlamentare për të bërë të mundur këtë konsensus. Por fjala konsensus nuk përafrohet aspak me fjalën tjetër “Pazar politik”. Fjalët e Ramës, “Më jep Fierin që të të mundësojë këtë apo atë tjetrën”, shkurt “ç’më jep që të të jap”, do-s’do Edvini, ka domethënien e një pazari ordiner. Paçka se ai nuk kujdeset asfare për njohjen e përkufizimit të shprehjeve. Fieri është në proces gjyqësor. Askush nuk ka të drejtë që, para se të jepet një vendim juridik, të vendosë për një problematikë që është në shqyrtim të organeve gjyqësore. Për më tepër “Hane Shan, Hane Bagdad”. Tjetër gjë janë të tri problemet e konsensusit, të bëra gati në komisionet parlamentare, tjetër gjë është hezitimi në orët e fundit të Edit, që të ndërlidhë mundësitë për t’u hapur rrugën kërkesave të BE-së, me kërkesat që kanë të bëjë me interesat vetjake të E. Ramës, për fuqizimin e tij vetjak në zgjerimin e tij elektoral! Zonja Klinton e tha troç dhe hapur fare: Interesat kombëtare, mbi “ambiciet vetjake!”.
Edi Rama kujtoi se fitoi pikë me atë ngjarjen e dhimbshme të 21 Janarit. Ata që thonë “na vratë katër jetë njerëzore” janë ripetitorë të militantëve fanatikë të Ramës, për t’i shpëtuar përgjegjësisë. Sikundër ata të ’97-s me ato absurditetet “na vratë, na dogjët”, pa përfillur fare statistikat se “cilët vranë, cilët dogjën!”. Edi Rama nuk ka shpjeguar asnjëherë atë thënien e tij vetëfajësuese se “si e qysh situata atij mund t’i dilte atij jashtë kontrollit”, thënie e 20 janarit! Së dyti, pas shpërthimit të portës së hekurt të kryeministrisë, ç’priste ai që me një sinjal celulari të ndërpritej kjo mësymje “paqësore”(!)? Kërkonte të shpërthehej edhe dera e drunjtë e Kryeministrisë?
Të gjitha këto do të sqarohen plotësisht. Koha nuk ecën me Ramën!