Edi Rama nuk do hapjen e kutive, sepse e di se i ka humbur zgjedhjet

Deklaron anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS, Ylli Manjani
Anëtari i Asamblesë së PS, Ylli Manjani deklaron se kreu i selisë rozë Edi Rama, nuk ka asnjë qëllim të bëjë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Për të forcuar këtë deklarim, Manjani thotë se Rama nuk përdori qëllimisht mekanizma ligjorë, të cilët çojnë tek ky objektiv. Logjikë, që sipas tij, të sjell në arsyetimin se kryetari i PS nuk është aspak i interesuar të hapë kutitë e votimit pavarësisht depozitimit të kërkesës për këtë qëllim në Kuvend.
“Sipas Kushtetutës vlefshmëria e zgjedhjeve gjykohet nga Gjykata Kushtetuese, këtë nuk ka nevojë të na e thotë askush, sepse e thotë Kushtetuta e Shqipërisë. Z.Rama insistoi në një kauzë jo për të hetuar zgjedhjet, por për të krijuar një ndjesi publike, një perceptim publik që sipas atij, një diçka e madhe ka ndodhur. Nuk është se nuk ia ka arritur qëllimit, për hir të së vërtetës. Hetimi i zgjedhjeve ka shumë aspekte që nuk lidhet me kutitë dhe që janë shumë më të rëndësishme se sa kutitë, të cilat z.Rama nuk pati asnjëherë vullnetin më minimal për t’i trajtuar ato çështje. Të gjitha këto së bashku për këdo që mendon, të çojnë tek konkluzioni se ky zotëri nuk ka dashur me hetuar zgjedhjet. Nuk do z.Rama që të hapen kutitë, sepse po të donte i kishte të gjithë instrumentet në dorë dhe nuk i përdori. Nga kjo pikëpamje kjo duket si një lojë që përpiqet më shumë të mbajë peng stabilitetin politik në vend. Karikatura politike që shfaqet në parlament në emër të Ruzhdies, është e papranueshme”, deklaron Manjani.
Për Manjanin edhe më shqetësuese duket situata e krijuar në PS.
Ai akuzoi Ramën se po hakmerret politikisht ndaj atyre që mendojnë ndryshe.
Sipas anëtarit të Asamblesë rozë, e vetmja rrugë për të forcuar Partinë Socialiste dhe për t’i shpëtuar disfatës së radhës elektorale, është largimi i Edi Ramës nga drejtimi i PS.
“Sot flamurin e të keqes në politikën shqiptare e ka marrë z.Rama, për fatin e keq. Rruga për të marrë qeverisjen e vendit dhe për të mposhtur Berishën është forcimi i PS-së dhe jo dobësimi i PS. PS forcohet vetëm duke larguar z.Rama, nuk ka rrugë tjetër.
Manjani akuzon Ramën për mungesë strategjie politike, për fund të palavdishëm të politikës së re, sikundër dhe strategjisë së bojkotit.
...