E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS sajoi alibi për të bërë “pis” zgjedhjet e qershorit, komisionerët u larguan qëllimisht

Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti tregon të vërtetën e “Ruzhdijes”

TIRANE- Një fshat i vogël, i panjohur deri tani për pjesën më të madhe të shqiptarëve, “Ruzhdija”, është vendosur në qendër të debatit politik duke u kthyer prej 2 javësh në një nga zonat më të përfolura. Duke e cilësuar si sfidën ndaj mazhorancës së djathtë, socialistët kërkojnë hapjen e kutive të votimit të qendrës 3052, që i korrespondon qendrës së votimit në fshatin “Ruzhdije” në zgjedhjet e 28 qershorit, për të vërtetuar me këtë rast, sipas tyre manipulimet në zgjedhjet e qershorit.

Njazi Kosovrasti, përfaqësuesi i PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e cilëson si abuzim të ulët qëndrimin e opozitës, të cilët po kërkojnë të shfrytëzojnë rastin e “Ruzhdijes” për të bërë pis siç shprehet ai, procesin zgjedhor të qershorit.

Kosovrasti tregon në mënyrë të detajuar të gjithë zanafillën e problematikës që lindi në qendrën e votimit 3052, mëngjesin e 28 qershorit në fshatin “Ruzhdije”.

“Duke e ditur PS-ja se cili ka qenë rezultati në këtë qendër votimi dhe cili do të ishte rezultati i pritshëm në këtë qendër votimi, u mundua të bëjë ‘pis’ procesin zgjedhor në këtë qendër votimi. Për fat të keq, nuk ia arriti qëllimit. Ja se çfarë ndodhi: filloi votimi në orarin e përcaktuar dhe zgjati deri në orën 10:00. Në këtë moment sajohet një sherr midis komisionerëve të PD-së dhe PS-së dhe gjejnë një alibi komisionerët e majtë, në mënyrë që të largohen na qendra e votimit dhe shkojnë e paraqiten në Komisionin Zonal dhe dorëzojnë atje edhe vulën e komisionit të qendrës së votimit.

Komisioni Zonal, në vend që të njoftonte Partinë Socialiste për të zgjedhur komisionerët e rinj, nuk e bëri një gjë të tillë qëllimisht. Në këtë drejtim, komisionerët e djathtë u mblodhën në qendrën e votimit. Nuk kishin asnjë të drejtë që të pengonin qytetarët të votoni dhe t’u mohonin një të drejtë Kushtetuese dhe vazhduan procesin në mënyrë të rregullt para se të hapej kutia e votimit. Komisionerët zonalë e dinim të gjithë se çfarë ndodhej në kuti. Do t’u dilnin 85 fletë votimi që nga pas do të kishin 2 vula dhe do gjenin 430 fletë votimi që nga pas do të kishin vetëm një vulë, sepse dihej që vula tjetër ishte në sirtarin e kryetarit të komisionit zonal dhe ata vendosën të njohin të vlefshme vetëm 85 fletët e votimit me 2 vula. Partia Demokratike e ankimoi këtë situatë në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, ky institucion vendosi që kjo kuti votimi të hapej. U shpallën të vlefshme të 439 fletët e votimit që ishin me një vulë. Në të drejtën e saj, Partia Socialiste e ankimoi këtë vendim të KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor, ky i fundit i shpalli përsëri të pavlefshme. Ne s’na pëlqen kjo, por s’kemi çfarë të bëjmë. Jemi të detyruar të respektojmë vendimin e gjykatës”, u shpreh anëtari i PD-së në KQZ, Kosovrasti.

Duke shprehur qëndrimin e mazhorancës, Kosovrasti tregohet i prerë në vlerësimin e tij, në rast se konstatohet se komisionerët e djathtë, kanë shkelur Kodin zgjedhor, duke bërë parregullsi gjatë procesit të votimit, ata duhet të shkojnë para drejtësisë.

Bazuar në Statistikat e KQZ, për zgjedhjet e zhvilluara në 5-vjeçarin e fundit, Ruzhdia mund të cilësohet si një bastion i së djathtës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›