E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, pothuajse fushatë për Erion Veliajn

I dhënë fort pas demokracisë direkte, Edi Rama po i përvishet për herë të dytë fshatrave dhe qyteteve të Shqipërisë. Duke shmangur lidhjet me elektoratin përmes strukturave të bazës së partisë dhe strukturave drejtuese të saj, ai niset vetë së bashku me grupe miqsh, sipas rastit apo krahinës, për të ndërtuar një “kabëll” mes tij dhe anëtarëve të PS-së.

Të lë shijen se nuk ka ndërmend të lodhet për freskimin apo forcimin e strukturave në bazë, bile po lodhet për të kundërtën, dobësimin e tyre, duke i dhënë me këtë rast edhe një goditje tjetër gjithë asaj infrastrukture, e cila mund të zgjidhet në rast se kundërshtarë të Ramës shtojnë përpjekjet e tyre për të marrë pjesën e vet në parti.

Por kjo nuk është ndonjë strategji e fshehur e Ramës. Ai ka lënë të kuptohet, ose është shprehur hapur, se do ndryshojë në themel partinë që drejton, gjë që është ndjekur ose do të ndiqet edhe me ndryshimin e protagonistëve të saj në të gjitha nivelet.

Por një strategji e fshehur e Edi Ramës përbën faktin se pavarësisht se po i kthehet për së dyti marshimit të tij, ai nuk ka ndryshuar, reformuar apo përsosur tezat e marshimit të parë. Sërish ai po thërret bashkimin e gjithë shqiptarëve kundër politikës së vjetër, bashkimin e shqiptarëve pa dallim ideologjik, po kërkon një frymë të re të shkëputur tërësisht prej këtyre frymëve, që kemi pasur deri tani dhe gjëra të këtij lloji, që përgjithësisht janë të natyrës kontestuese në pamje të parë, por që shfaqen ashiqare se nuk iu drejtohen fort socialistëve, popullit në përgjithësi, por kategorive të caktuara, të cilat nuk kanë shfaqur kushedi se çfarë sentimentesh politike përgjatë këtyre viteve të tranzicionit, apo janë grupe që kanë interesa të qarta individuale, por shfaqen të ftohtë përqark interesave politike të partive të ndryshme.

Pavarësisht se tezat e tij janë kritikuar jo vetëm nga drejtues të lartë të PS-së dhe vëzhgues të vëmendshëm të zhvillimeve të majta, por edhe nga mbështetës të rëndësishëm brenda PS-së, siç janë Dritëro Agolli, Servet Pëllumbi, Rexhep Meidani e ndonjë tjetër, Edi Rama nuk e ka ndryshuar fjalorin, nuk ka ndryshuar apo përshtatur tezat e marshimit të tij, por ka këmbëngulur fort në njëfarë bashkimi mbiplural, zakonisht bashkime që iu kërkohen qytetarëve në raste të kërcënimeve të rënda fatkeqësish natyrore, pushtimesh etj. Por po ashtu, brenda kësaj teze lulëzon edhe tjetra, e cila shtyn për në vend të parë ata qytetarë të paangazhuar politikisht dhe të pakonsumuar në ndjesitë e tyre politike, mbi ata të tjerët që kanë qenë të angazhuar dhe që për shkak të këtyre angazhimeve ata janë ndotur me politikën e vjetër dhe duhet të qëndrojnë më pas në radhë.

Nëse ideologët socialistë si Agolli, Pëllumbi e deri diku edhe Meidani, i kanë kushtuar vëmendje pjesës së parë të kuptimit të tezave të Ramës, oponencë që pak a shumë lë të kuptohet se për kurrfarë motivi, dikush i frymëzuar djathtas nuk ka pse të shkojë majtas e anasjelltas, dhe, nëse ndodh, një konvertim i tillë nuk i bën mirë demokracisë, e cila është përparësia kryesore e shqiptarëve sot; ata nuk janë marrë fare me pjesën e dytë që rendit elektoratin e ardhshëm ndryshe nga deri më sot.

Pra socialistë dhe demokratët, mbështetësit apo simpatizantët e tyre, edhe të përkohshëm, nuk janë të parët apo të dytët, siç jemi mësuar deri tani, bile nuk janë brenda këtyre renditjeve edhe trupa të tjera votuesish brenda këtyre dy ideologjive, apo krahas tyre, por të tjerë, të cilët të kujtojnë më së shumti grupe jovotuesish, të cilëve iu drejtohet herë pas here partia më e re, ajo e Erion Veliajt, “G99”.

Ky i fundit nuk ka fjalor aq të rafinuar sa Edi Rama, por nëse kultivojmë pak shprehitë e tij dhe thjeshtojmë pak ato të Edi Ramës, shkojmë në një mesatare të barabartë kuptimore: ata kanë të njëjtat teza, i drejtohen të njëjtit grup votuesish, kanë të njëjtat qëllime dhe qëndrime ndaj politikës së derisotshme dhe kërkojnë një pikë-këputjeje me ato çfarë kanë ndodhur më parë përgjatë tranzicionit. Nëse Veliaj e kërkon këtë pikë-këputje me qartë, duke iu drejtuar atyre njerëzve që nuk kanë manifestuar lidhje emocionale apo politike me partitë kryesore shqiptare, Rama po kërkon që kjo pikë-këputjeje të ndodhë edhe tek elektorati i angazhuar, aq sa mund të ndodhë, duke bërë thirrje patriotike ndaj elektoratit të angazhuar, jo vetëm socialist, por edhe demokrat.

Kjo ndërlidhje mes tyre është e drejtë për qëllimet e secilit, por padrejtësi për socialistët dhe artificë për partinë e Veliajt. Përdorimi i krediteve të një partie të madhe në favor të një partie të re, që mund të shkojnë kundër kësaj partie të madhe, siç është PS, vë në diskutim ndershmërinë politike të Edi Ramës më shumë, si dhe thekson përfitimin e panevojshëm dhe të pasigurt të “G99”-s.