Mediu kërkon heqjen e imunitetit, Topalli: Prit edhe dy javë
Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti Fatmir Mediu është shprehur dje në Kuvend se, për të, procedurat parlamentare për heqjen e imunitetit nuk kanë rëndësi, ndaj dhe i kërkoi këtij të fundit që të hiqte imunitetin e tij. Sipas Mediut, kjo do të ishte mënyra e vetme për t’u mbyllur gojën shumë personave, që kërkojnë të luajnë politikisht me kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të tij. “Heqja e imunitetit nuk kërkon asgjë më shumë të qartë se ajo që unë kam kërkuar të vihem në dispozicion të Prokurorisë. Nuk kam asnjë lidhje me Delijorgjin, as të drejtpërdrejtë as të tërthortë, asnjë marrëdhënie me të, siç mund të kenë disa që paradite e shajnë, dhe pasdite i çojnë haberet në qeli. Për mua, procedurat e Parlamentit kanë pak rëndësi, për të mos thënë aspak. Ju kërkoj ju, të gjithë Kuvendit, që sot të votojë për heqjen e imunitetit tim”, - tha Mediu. Kryetarja Topalli ka reaguar duke thënë se Kuvendi ka një procedurë parlamentare, e cila duhet të respektohet. Ajo vuri theksin se nuk mungon vullneti për heqjen e imunitetit të deputetit Mediu, por përkundrazi. Topalli tha se nisur nga procedura, në Kuvend mund të vijë me shpejtësinë më të madhe të mundshme, brenda dy javësh, raporti për heqjen e imunitetit. Nga ana tjetër, deputetët e opozitës kërkojnë që procedura të përshpejtohet, por Topalli u kërkoi atyre që të jenë korrektë në Këshillin e Rregullores. Deputeti Mediu ka akuzuar edhe eksponentë të opozitës, të cilët sipas tij, kërkojnë të përfitojë politikisht me imunitetin e tij. “Bazuar në thashethemet e njerëzve që kërkojnë të rrinë afër pozitës dhe opozitës, njerëzve që kërkojnë të kafshojnë pushtetin për qëllimet e tyre, tregon se një pjesë e politikës kërkon ta përdorë këtë çështje thjesht për qëllime politike dhe njëkohësisht kërkojnë të vendosin nën presion institucionet e drejtësisë. Në këtë kontekst i gjithë debati që bëhet rreth imunitetit tim parlamentar, është një lojë e pistë me qëllime të qarta politike”, - tha Mediu. Në fundin e muajit prill, prokuroria dërgoi në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, i cili akuzohet se me veprimet dhe mosveprimet e tij si ish-ministër i Mbrojtjes ka përgjegjësi në vdekjen e 26 personave të pafajshëm në tragjedinë e Gërdecit.