E Shtunë, 31 Tetor 2026

KUR S’TË PËLQEN PËLQIMI!

Këtë javë deputetët e mazhorancës në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve cilësuan dekretet e Presidentit për emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, si të pabazuara në ligj, sepse ata i referohen një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, Presidenti më parë duhet të konsultohet me Parlamentin. Në krahun tjetër ka analistë të ndryshëm që e cilësojnë këtë “konflikt” si të panevojshëm dhe si një presion që kreu i ekzekutivit i bën Presidentit. Në opinionin tuaj, duke vendosur këtë marrëdhënie në një tryezë shahu, cila është e vërteta e raporteve Kryeministër-President, të shprehura në çështjen e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë?

Këtu kemi një seri të tërë problemesh, po ku më i mprehti mbetet ai i tensionit politik, si dhe ai mes pushteteve e mes personave që karakterizon gjithë shtet-bërjen shqiptare.

Problemi i parë është ai i përcaktimeve kushtetuese. Pa qenë ndonjë ekspert adapt i botës juridike, e ca më pak ndonjë kushtetues, kushdo e kupton që Kushtetuta jonë është tepër e çuditshme. Formulimi i shumicës së neneve e paragrafëve të saj është kaq amorf e kaq i papërcaktuar, sa që nisur nga i njëjti përcaktim, mund të bëhen jo vetëm gjëra të ndryshme, por edhe dy gjëra krejt të kundërta me njëra-tjetrën. Kjo është arsyeja bazë se përse sa herë ndodhemi para një vendimi madhor, me pikë referimi Kushtetutën, kryesisht ato që kanë të bëjnë me zgjedhjet, emërimet e largimet e anëtarëve të institucioneve të pavarura ne bllokohemi. Kjo punë na ndodhi me emërimet në KLD, në KQZ, me trajtimin hetimor të imunitet-mëdhenjve etj. E njëjta gjë ndodh tani edhe me emërimet në Gjykatën e Lartë. Presidenti zbaton nenin 136, pika 1 e Kushtetutës dhe i dërgon Kuvendit listën e të përzgjedhurve të vet, për këtë gjykatë. Gjithnjë ajo pikë thotë se emërimi quhet i mbaruar, kur Kuvendi “jep pëlqimin”. Mirëpo Kuvendi as që merret me procesin e dhënies së pëlqimit. Ajo i duket punë e dorës së dytë, nëse për nga radha vjen e dyta. Kështu që i merr dekretet dhe fillon e përtypet. Pastaj ripërtypet. I duket çudi që Presidenti paska një kompetencë që vjen para asaj të Kuvendit. Fillon e lexon paragrafët e nenet më poshtë, që të gjejë diçka patjetër. Nuk e gjen. Atëherë shpik diçka. Thotë se Presidenti duhet të ishte konsultuar qysh më përpara me Kuvendin. Po pse? - pyet Presidenti. Ma thoni ku e keni lexuar ju këtë detyrim timin, që ta lexoj edhe unë. Heshtje. Kushtetuta nuk ka asgjë të tillë. Dikush sjell një fakt që ngatërron edhe më tepër. Gjykata Kushtetuese – thotë ai, e ka parë ndryshe një rast të tillë “të ngjashëm”. Po cilin rast konkretisht? Dhe sa i ngjashëm është ai me rastin në fjalë? Shkurt Kushtetuta nuk i jep “dum” kësaj pune. Dhe sikur palët vendimmarrëse të mos lëshojnë pe për ndonjë arsye, ne mbetemi pa Gjykatë të Lartë. Dhe pa Kolegjet e saj, të cilat sipas një eksponenti të PS qenkan borde të domosdoshme të punës së përditshme. Për vete nuk e dija këtë gjë.

Problemi i dytë është politik, natyrisht. Nuk ka zgjedhje e emërim personash të veçantë tek ne, që të mos kalojnë së pari nga “prizmi politik”. Ne ky prizëm na ka mbajtur. Na mbajti pesëdhjetë vjet, pse të mos na mbajë edhe nja tridhjetë të tjera. Është e qartë pra, se disa prej emrave të dekretuar nga Presidenti i Republikës nuk janë në “shijet” e hierarkisë së Kuvendit apo të pushteteve të tjera më të forta brenda mazhorancës. Të tjerë emra kanë ata në mendje. Me të cilët “punohet më mirë”. Dhe e ardhmja politike bëhet më e garantuar. Kështu që do të bëjnë çmos për t’i sjellë ata në poltronat e Gjykatës së Lartë. Mirëpo nuk kanë mandat për ta bërë këtë gjë. Ja që ai nen i Kushtetutës, me gjithë boshllëqet që ka, fillon me kompetencën e Presidentit. Kuvendit nuk i jep as të drejtën e propozimit të emrave. Këtë të drejtë ia ka lënë qartas dikujt tjetër: Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky i hedh emrat mbi tavolinën e Presidentit, ndërsa njëshi i shtetit i vë vulën dekretit, i cili pastaj, merr pëlqimin e Kuvendit. Natyrisht nëse krerëve të Kuvendit u pëlqen pëlqimi.

Dimensioni i tretë nuk ka se si të mos jetë ai ndër-personal, ngritur jo aq mbi mëri e inate private, sesa si luftë për pushtet individual. Që mund të ketë në sfond ndoshta edhe objektiva më konkrete, fjala vjen luftën për të siguruar gradën e “dyshit” në PD. Se për një luftë për “njëshin” atje as që bëhet fjalë. “Njëshin” në PD as që guxon njeri më ta mendojë. Pa le pastaj ta synojë. Kjo punë u mbyll njëherë e mirë qysh andej nga ’95-a. Kur i fundit kandidat për “njësh” mezi iku përtej oqeanit. Sot pra, të gjithë kryesorët e PD-së, sado karizëm e mbështetje popullore që të kenë, sado ambiciozë që të jenë, sado të fortë e të kompletuar që të ndihen, sado të stërvitur e të gatshëm për ta marrë situatën në dorë, shumë-shumë mund të synojnë deri nivelin e dytë. Pra “dyshin” e PD-së. Pos sherri është njëlloj për nga natyra e vet. Sepse në rastin tonë, kur njëshi është i akaparuar, pra i hequr nga konkurrimi, “dyshi” bëhet “njësh”. Ambicia pra, të verbon njëlloj, si atëherë kur lufton për njëshin, ashtu edhe kur punon për “dyshin”. Të njëjtat janë sulmet, fërkimet, shantazhet, bllokimet, intrigat e minimet, që kandidatët për “dysh” mund t’i bëjnë njëri-tjetrit.

Nga aq sa e njoh unë situatën në mazhorancë, vetëm kështu mund ta shpjegoj tensionin ndërpersonal që i shtohet tensionimit për shkaqet e tjera të dhëna më lart. Po të më pyesni pastaj se ku më konkretisht, tek cili person nga personat në fjalë, e shikoj më të ndezur e më të fortë ambicien për “dysh”, natyrisht që kam një përshtypje timen. E cila nuk do edhe shumë punë të lexohet. Mjafton të shikojmë veprimet. Sidomos karshillëqet dhe bllokimet. Zvarritjet dhe demonstrimet. E forcës. Si dhe sedër-përkëdheljet nga epitetet metalike, “e bronztë” apo “e hekurt”, të cilat kujtdo tjetër, sot në mijëvjeçarin e “softit” do t’i kishin ngjallur krupën.

Tensioni ndërpersonal në krye të PD-së (pavarësisht tërheqjes së përkohshme “juridiko-formale” të zotit Topi), sot bëhet më i fortë ër dy arsye. E para sepse pas mënjanimit të ashpër apo vetëtërheqjes së kujdesshme të zotit Bode, në ring sot kanë mbetur vetëm dy njerëz nga tre-katër, që ishin pak më parë. Dhe dihet, sa më pak që mbeten në shesh-betejë aq më e ashpër bëhet lufta. Jo më kot “finalet” janë edhe ndeshjet më të ashpra të turneve. Fjala është, o ti, o unë! Nga ana tjetër dy të mbeturit tani në duel nuk janë thjesht dy eksponentë me emër të PD-së. Ata janë edhe dy njerëzit me gradat shtetërore më të lartat në vend.

Arsyeja e dytë është pikërisht ajo që referoni ju. Edhe pse debati i dukshëm është ai mes Presidentit e Kuvendit, më saktë mes kreut të Kuvendit dhe kreut të shtetit, ju jo më kot sillni emrin e Kryeministrit mbi “tryezën e shahut”. Ju ashtu si gjithë media dhe opinioni në fakt e dini që përplasje të tilla, “në kohëra të Berishës” s’mund të bëhen vetvetiu. Pa e lejuar, pa e mbajtur dhe pa e ndezur edhe më fort... pikërisht ai vetë. I cili në fakt jo vetëm “njëshin” që e ka nxjerrë nga tregu dhe e mban me vete kudo, ose në kasafortë, por i ruhet edhe një “dyshi” të fortë. Në fakt madje, nuk do të donte as një “dysh” rreth e rrotull. Kryesisht sepse “dyshi” është shumë afër njëshit. E mira fare-fare, do të ishte që renditja në hierarkinë partiake të kalonte direkt nga njëshi tek dhjeta. Mirëpo këtë s’e ka as ai në dorë. Sepse dyshi si numër ekziston edhe pa leje. Atëherë? Atëherë më mirë dy “dysha” të dobët, të cilët nëse i shtyjmë të përplasen vazhdimisht, dobësohen edhe më shumë.

Këtë javë kemi hyrë në sezonin e provimeve të Maturës Shtetërore. Tashmë është viti i tretë që arsimi funksionon sipas kësaj skeme të re për traditën tonë. A mund të na përshkruani një tablo të arsimit dhe edukimit në kontekstin e ri të krijuar nga ky ndryshim, gjithmonë në funksion të përcjelljes së një mesazhi mbi aftësitë që ky sistem (me përparësitë dhe të metat e tij), instalon tek individi për të qenë i aftë në tregun e punës?

Të përshkruaj një tablo të arsimit dhe edukimit? Po unë as që e njoh platformën dhe debatin mbi këtë temë. Nuk e di pse s’më tërheq fare kjo çështje, po sinqerisht nuk di shumë nga skema në fjalë. Me përjashtim të faktit që “matura shtetërore” është një skemë që funksionon prej dy vitesh. Dhe që kritikat ndaj saj janë më të dobëta sesa ato që i bëheshin arsimit, në kohën kur kjo skemë nuk ekzistonte. Shoh gjithashtu që kritikët e sidomos kritizerët më inatçorë të skemës në fjalë, janë ca drejtues arsimi që kanë gjetur pikërisht këtë rrugë, për t’iu rënë në sy “shefave” e për të realizuar synimet e tyre arriviste e gjysmëpolitike. Futja “maturës” se mos kushedi, i zëmë vendin ministrit. ǒka indirekt më bën të besoj pikërisht të kundërtën. Që vetë “matura shtetërore” është një hap më përpara. Kërkoj ndjesë sidoqoftë, që nuk di më shumë.

Ajo për të cilën mund të sjell një koment është pjesa e fundit e çështjes suaj. Pra, lidhja e shkollimit shqiptar me nevojat e tregut të punës. Ky po që më duket një problem sa me vlerë aq edhe i kuptueshëm. Ndoshta për shkak të afërsisë dhe lidhjes direkte që ka me fushën ku hamë bukë të gjithë. Me tregun dhe ekonominë.

Më habit trajtimi në fakt pak naiv që i bëhet shpesh kësaj teme, nga nivele të larta jo vetëm të ekzekutivit, por edhe nga organizata eksperte. Ajo trajtohet si çështje krejt administrative. Si një program masash për të përgatitur njerëz sipas nevojave të tregut. Ministria e Arsimit thotë se po shkollon kaq njerëz në këto zanate, të cilët do të plotësojnë nevojat e filan tregu. Ministria e Punës thotë se do të po mbështet edhe ajo aq e kaq trajnime “vokacionale”, pikërisht në degë e drejtime që i duhen tregut.

Të gjithë të shqetësuar për kualifikimin sipas kërkesave të tregut. Ajo që të gjithë harrojnë është pikërisht vetë tregu! Jo se në strategjitë, platformat, fjalimet e intervistat mungon fjala treg. Jo, aspak. Si numër fjalësh, si bollëk terminologjie, “tregu” në këto letra gjendet, madje me shumicë. Por shërben vetëm si referim teorik. Edhe si i tillë shfaqet i cunguar. Sepse shumë shumë flitet vetëm për “tregun e punës”! Po kush xhanëm e studioi dhe si i rezultoi kërkesa e këtij tregu të punës? Kjo ende mbetet një mister. Dhe s’ka si të mos mbetet e tillë për vetë natyrën tepër tekanjoze e shumë të paparashikueshme që ka ky tregu i punës. Kërkohen të dhëna modele e kërkime shumë të thelluara. Ndryshe si mund të konkludosh se në pesë vitet e ardhshëm tregu i punës kërkon kaq kamerierë, aq infermierë, kaq bojaxhinj e aq riparues kompjuterësh. Askush s’mund ta thotë me përgjegjësi këtë dhe me një afërsi të kënaqshme. E para sepse s’i kemi këto studime dhe nuk po i kërkojmë ato që t’i vëmë në bazë të vendimeve e të politikave në shërbim të tregut të punës.

E dyta sepse ka diçka tjetër më të madhe. Vetë tregu i punës s’mund të studiohet i veçuar. Ai është pjesë e një qarku më të madh: tregut të mallrave e të shërbimeve. Midis dy “rrathëve” ka prerje dhe veprim reciprok natyrisht. Tregu i mallra-shërbimeve sjell sinjalet për tregun e punës. Por edhe ky i fundit ndikon që tregu i mallra-shërbimeve të zhvillohet e shtrihet me sukses më tutje.

Dhe këtu vijmë sërish tek nevoja e studimeve komplekse mbi prioritet dhe drejtimet prioritare të zhvillimet. Natyrisht që më mirë se kushdo këtë punën e nevojave e drejtimeve e përcakton vetë tregu. Por ama vetë tregu në radhë të parë duhet studiuar. Dhe pastaj, sipas drejtimeve të suksesit që ai “sugjeron”, duhet edhe punuar. Së pari duke krijuar strategji prioritetesh që i qëndrojnë kohës. Dhe jo gjëra të lehta që i merr era vitin tjetër. Së dyti, me paketë masash fleksible që adoptohen sipas sinjaleve të tregut. Duhet gatishmëri e përhershme në të gjitha nivelet; qeveria me politikat, biznesi me plan e strategji biznesi.

Ajo që dua të them është: jo kurse për kurse, jo zanatçinj për zanate, por instrumente që ndihmojnë përgatitje fleksible. Sipas sinjaleve të tregjeve të mallrave e shërbimeve, të cilat duhen ndjekur e paraprirë me punë të thelluara kërkimore-shkencore.

Jo më kot, në raportimet mbi nismat në mbështetje të tregut të punës ka çdo gjë të mundshme, përveç shifrave për suksesin e kësaj pune.

Këtë javë u mbyll tenderi i shitjes së paketës kontrolluese të aksioneve të ARMO-s. Ndërkohë në horizont po shfaqet shumë shpejt procesi i shitjes së divizionit të shpërndarjes së KESH-it. Në këtë të fundit është thënë se kompania fituese nuk do të dalë vetëm nga sasia e vlerës financiare, që do të ofrojë për blerje, por edhe nga mënyra se si do të menaxhojë çështjen e çmimit të energjisë elektrike. Pra, mesa shihet ende shtrohet çështja nëse duhet apo nuk duhet ngritur çmimi i energjisë elektrike. Cili është opinioni juaj për këtë çështje?

E para, është shumë mirë që privatizimi i sektorëve të mbetur po hyn më në fund konkretisht në proces zbatimi. Sepse në fakt ky proces është i vonuar në të gjitha hapat e tij. Për ne që kemi punuar në zyrat e shtetit, është mjaft zhgënjyese të shikojmë që hapa, që pesë-gjashtë vjet më parë raportoheshin si “në përfundim e sipër” si privatizimi i ARMO-s, INSIG-ut, Degës së “shpërndarjes” së KESH-it, deri madje edhe privatizimi i Albtelekom-it, mbetën për kaq kohë punë të hapura. Them punë të hapura sepse privatizimi nuk është ndonjë qëllim më vete. Më shumë edhe se vlera e shitjes fillestare, qëllimet e privatizimit janë dy: eficienca më e lartë e kompanisë private dhe shërbimi më i mirë i qytetarëve konsumatorë. Askujt nuk i duhet një privatizim që nuk i sjell këto efekte. Madje sa më shpejt. E them këtë, sepse opinionet kritike për privatizimin e Albtelekomit deri tani kanë qenë lidhur vetëm me dy aspekte: vlerën e shitjes dhe vonesën. Ato aspekte kaluan tashmë dhe për mua si qytetar i rëndësishëm mbetet vetëm një aspekt: shërbimi i shpejtë dhe i mirë. A e shohim këtë rritje shërbimi? Akoma jo. Jam i bindur se kjo nuk lidhet me kompaninë e zgjedhur, ajo me siguri është në gjendje ta marrë në dorë situatën dhe të sjellë një përmirësim të shpejtë. Që në fund të shohim një Albtelekom, që vërtet të sillet si një kompani private. E cila vë në qendër klientin. E që mezi pret t’i afrohet një blerës i ri për ta shërbyer shpejt e me cilësi. Ky për ne do të ishte fryti i parë i privatizimit. Reagimi ndaj tregut. Kam marrë vetë shtëpi të re prej pak kohësh dhe është hera e tretë në tre-katër muaj që paraqitem në zyrat e kontraktimit. Më duhet telefon. Besoni apo jo, po nuk e marr dot. Pallati im nuk është as në Kamëz, as në Sauk. Vetëm pesë minuta në këmbë nga “Sheratoni”. Tre minuta nga Bar-Pastiçeri Venecia. Një minutë nga Fakulteti Filologjik. Tre sekonda nga restoranti Lion Park. E di ç’më thonë në Albtelekom-in, tashmë të privatizuar? Së pari, nuk e dimë – më thonë nëse pallatin tuaj e përfshin Tirana 1 apo Tirana 2. Po ne një privatizim kemi bërë – i them unë. Gjejeni mes jush këtë punë. Sepse ne një Telekom kishim, me sa di unë. E ke gabim, më thonë. Ne jemi dy. Njëshi dhe dyshi. Shpresoj atëherë që të jeni privatizuar që të dyja – i them unë. Pse? Sepse kështu e kam të sigurt një shërbim të shpejtë e të mirë. Hallall edhe nëse tarifa është më e lartë.

Mësova se isha nxituar. Pallatin tim s’e merrte përsipër as njëshi as dyshi. Kujt i takon ti? – më pyesnin që në hyrje. Nga ta dija unë? Gjejeni ju se kujt i takoj unë – i thashë më në fund! Mua më duhet thjesht të blej tek ju një shërbim telefoni. Ma shisni dot?

Jo, më thanë disa ditë pasi kisha depozituar kërkesën. Të ka dalë negative (përgjigjja)! Pse? Sepse - sipas një shpjegimi më “teknik“- pallati ynë nuk ka “boks”. Domethënë nuk janë shtrirë ato nja dhjetë metra kabëll që e ndajnë nga pallati tjetër. Si dhe nuk kanë montuar një kuti llamarine me ca lidhje. Edhe sot nuk kemi boks në pallatin tonë të lartë e të bukur. Askush nuk do ta vendosë. Kam frikë se ai shtetërori do e kish vendosur tashmë.

Natyrisht që privatizimi i KESH-it do t’i ketë gjitha ato vështirësi shtesë. Por nëse mbahen parasysh e harmonizohen mirë të katër dimensionet: koha, vlera, eficenca pas-privatizim dhe shërbimi i përmirësuar për qytetarin, patjetër që do të kemi një proces efektiv e të dobishëm. Që në rastin në fjalë do të shërbejë si katalizor edhe për hallkat e tjera të sektorit energjetik. Skemat konkrete të marrëdhënies midis operatorit privat dhe rregullatorit publik të interesave, gjithnjë mund të gjenden.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›