E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: Propozimet e PS nuk sjellin ndryshime nga drafti fillestar

29-03-2012 / Gazeta 55

Debate për Gjykatën Administrative

Mazhoranca dhe opozita përplasen për kontratat administrative dhe trupin gjykues

Komisioni i ligjeve vijoi dje diskutimin nen për nen të ligjit për Gjykatën Administrative. Ndërsa palët janë angazhuar për të realizuar një gjykatë të specializuar, për çështje të caktuara siç është ajo e kontratave administrative, është kërkuar kohë për diskutimin me ekspertët.
Gjatë mbledhjes, Partia Socialiste ka kërkuar që në nenin 6 të draftit të propozuar nga qeveria, që flet për kompetencat lëndore të Gjykatës Administrative, të përfshihet edhe shqyrtimi i çështjeve që kanë në thelb kontratat administrative. Por mazhoranca ka argumentuar se këto çështje gjejnë terren ligjor dhe shqyrtohen nga Kodi i Procedurave Civile e për pasojë, bëhen pjesë e vlerësimit të gjykatave ekzistuese.
Pas debateve, për hir të vijueshmërisë së kompromisit politik, është vendosur shtyrja e shqyrtimit të këtij neni, pasi të jetë zhvilluar një konsultë më e gjerë ligjore.
Gjithashtu, komisionerët e Ligjeve kanë debatuar edhe në lidhje me përbërjen e trupit gjykues, por pa gjetur konsensus. Gjithsesi, mazhoranca dhe opozita kaluan me konsensus 8 nenet e para të ligjit, ndërsa kanë shtyrë diskutimet për nenet e tjera për ditën e hënë. Konkretisht, palët kanë shprehur qëndrime të ndryshme për sa i përket përbërjes së trupit gjykues në Shkallën e Parë. Socialistët propozuan gjykimin me një gjyqtare për efekt shpejtësie, por edhe përgjegjësie, propozim që nuk u pranua nga Ministria e Drejtësisë. Një tjetër nen që palët shprehen qëndrime të ndryshme ishte gjykimi i kontratave të rrugëve. Socialistët kërkuan që të futen si padi administrative, ndërsa demokratët kanë këmbëngulur që çështja të trajtohet si padi civile. Për këto dy nene komisioni i Ligjeve ka rënë dakord që palët ti rishikojnë dhe një herë qëndrimet e tyre.
Pas rreth 3 vitesh ligji për gjykatën administrative është rikthyer në komisionet parlamentare për ty shqyrtuar nga deputetët, dhe më pas në bazë të marrëveshjes politike të kalojë në parlament. Ky ligj kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash.

Enkelejd Alibeaj
“Propozimet e ofruar nga Partia Socialiste mbi draftin e paraqitur nga qeveria për ngritjen e Gjykatës Administrative, nuk sjellin ndryshime të mëdha nga projektligji fillestar”. Kështu u shpreh dje anëtari demokrat i Komisionit parlamentar të Ligjeve, deputeti Enkelejd Alibeaj.
Madje, ai sjell në vëmendje se ndryshimet e kërkuara nga socialistët nuk kanë diferencë edhe në raport me projektin i cili ishte gati të votohej në mars të vitit 2009, por që nuk u arrit për shkak të bojkotit parlamentar të opozitës.
Komisioni i Ligjeve ka nisur tashmë shqyrtimin nen për nen të projektligjit.
Komisioneri Alibeaj, duke marrë në konsideratë ecurinë e diskutimeve që bëhen në Komision, bën edhe një parashikim se kur drafti final mund të jetë gati për votim në seancë plenare.
Projektligji për Gjykatën Administrative, vlerësohet si tepër i rëndësishëm.
Bojkoti që i bëri opozita miratimit të ligjit pranverën e vitit 2009, solli humbjen e 16 milionë dollarëve, ndihmë nga qeveria amerikane, qëllimi i të cilave ishte pikërisht ngritja e Gjykatave.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›