E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama si barrikada e Mitrovicës në Tiranë

16-08-2012 / Gazeta 55

Barrikada e Edi Ramës në prag të marrjes së ftesës si vend kandidat për në BE, i ngjan asaj të serbëve në Mitrovicë. Dihet kush i ngre barrikadat në Mitrovicë, sikurse dihet kush i ngre barrikadat në Tiranë. Ndërsa barrikadat e strukturave paralele serbe në Veri të Kosovës po paralizojnë jetën dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të Mitrovicës, për Shqipërinë e anëtarësuar në NATO dhe ku qytetarët lëvizin të lirë pa viza në Europë, barrikada e Edi Ramës po paralizon integrimin e vendit

Barrikadat janë pengesë për të ardhmen zhvillimore dhe europiane të kombit shqiptar. Kjo fjali e parë qëndron në situatën e sotme si për Kosovën ashtu për Shqipërinë.
Për Kosovën e pavarur barrikadat e strukturave paralele serbe në Veri po paralizojnë jetën dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të Mitrovicës. Për Shqipërinë e anëtarësuar në NATO, ku qytetarët lëvizin të lirë pa viza në Europë, “barrikada” që po paralizon integrimin e vendit është e ngritur “kushte” pas “kushtesh” nga ana e opozitës. Kreu i opozitës, Edi Rama me një ftohtësi të frikshme kërkon të përfitojë kapital në çdo gjë, qoftë kjo interesi madhor i vendit. Ai po përdor plotësimet e 12 rekomandimeve të Bashkimit Europian si një plan-biznesi për të marrë fuqi apo pushtet sa herë lëshon “frenin” e deputetëve socialistë për të votuar ndonjë reformë që kërkon 3/5 e votave të parlamentit…, sikurse pas votimi parimor të ngritjes së Gjykatës Administrative, e cila po pengohet në praktikë me mos votimin e kolegjeve të gjykatave administrative. 
Sigurisht edhe për plotësimin e rekomandimit të posaçëm të BE-së për kufizimin e imunitetit për parlamentarët, gjyqtarët apo zyrtarët e lartë, Rama kërkoi  të fitojë duke qenë në pozicione minoritare. Sepse “kushtet” e propozuara të opozitës  për ndërhyrje të tjera në Kushtetutë janë që të caktohen me shumicë të cilësuar (84 vota) dhe Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës apo gjyqtarë/kryetarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.
Por këto shtesa në ligjin themeltar nuk e nxisin luftën kundër korrupsionit apo rritjen e transparencës publike sepse nga një anë  kufizon imuniteti ndërsa nga ana tjetër  krijon një imunitet të ri, madje të dyfishtë, sepse me logjikë një kryeprokuror apo gjyqtar i Gjykatës së Lartë vështirë se do të hetonte, në një rast hipotetik, deputetët që janë “marr vesh” me konsensus për t’i zgjedhur në krye të këtyre institucione që në Kushtetutë janë të pavarura nga ndikimi i legjislativit.
Megjithatë ka dhe një logjikë formale që e bën të pamundur pranimin e kushteve të Ramës për heqjen e imunitetit. Duke vështruar vijë sjelljen politike disa vjeçare të opozitës, e cila ka kundërshtuar në tërësi proceset integruese dhe reformat mëdha shtet-formuese, që kërkojnë 85 vota; në një rast hipotetik të votimit të kryeprokurorit apo gjyqtarët të lartë me 3/5, vendi do të ishte në një situatë të krizës institucionale pasi opozita do të refuzonte të votonte në parlament për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme sa herë t’i  paraqitej çështja e votimit të krerëve të institucioneve të drejtësisë.
Sigurisht opozita luftën për pushtet ka prioritet, ndërsa demokracia parlamentare ka mekanizma që mbrojnë jetën e qytetarëve nga ekseset jo demokratike.
Kuptohet vetiu që kthimi në gjendjen e ngërçit politik para marrëveshjes së nëntorit 2011, kur jemi përballë sfidave të fundit të integrimit europian, është një përpjekje e turpshme për të ngritur mure mendore e barrikada procedurale rrugës së anëtarësimit europian. Seanca plenare e datës 6 gusht dëfteu motivet e dobëta të politikës së opozitës, dhe në rastin më të keq shfaq urrejtjen ndaj Europës perëndimore. Ndërsa komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori  Erhard Drevs, ka thënë këto ditë se është turp që në anën veriore të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë edhe më tej qëndron barrikada serbe që pengon trafikun dhe qarkullimin e lirë të njerëzve; po kështu për turp është investimi me mish e me shpirt i kryetarit të partisë Socialiste, Edi Rama, kundër aspiratës legjitime të qytetarëve shqiptarë për të afruar me familjen europiane. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›