André Zhidi: Shkrimtari i shquar, me intuitë të mprehtë
“Unë nuk jam si të tjerët”. Kjo britmë vetjake përshfaq veprën dhe jetën e tij. Ndikoi përgjatë gjysmë shekulli botën e letrave, me kronikat e tij. Ai drejtoi për së mbari “Revistën e re franceze”: Cilido nga bashkëpunëtorët e tij nuk do të fliste asnjëherë për tjetrin! Sipas një kriteri të Zhidit vërejmë tek ai njeriun e rrëfimeve dhe autobiografin. Ai çliron, sipas disave; përdhos sipas disa të tjerëve. Përbuz moralin konvencional.
Me t’u kthyer nga vizita në Bashkimin Sovjetik, pendohet thellë. Sipas kritikut letrar Ahymé, e kuptoi më parë se të gjithë të tjerët kurthin e drekave dhe të darkave gratis. E “ata të tjerët” nuk ishin të dorës së dytë. Bënë lavde kolkozesh e “bollëku”, të cilat koha i përgënjeshtroi ashpërsisht. Zhidi pati nuhatje më të mirë! André Zhidi e dalloi shpejt e thellësisht se cili ishte Stalini dhe se si „sukseset“ ekonomike socialiste mbështeteshin vetëm në një propagandë demagogjike. Stefan Denisi, një kritik letrar me prestigj, kishte cituar Luí Aragonin për “sukseset” ekonomike, në B.S.: „Nëse dëshironi të shkruani duke bërë udhëtime, sigurohuni të udhëtoni, së paku, në vendet fituese“. Sepse mjaft nga personalitet e mëdha të kulturës u fshikulluan ashpër nga kritika letrare për flirtimin me nazizmin. Mund të përmenden disa nga këta njerëz të shquar të letërsisë franceze: La Roshélë, Brazilak, Bonar, Frenjò Bremer, ish-majtisti Ramon Fernandez, disidenti komunist Zhak Doriò, akademiku kolaboracionist Bonar, Zhuhandò, Shardònë...
Por edhe ata që ranë në grackën e “sukseseve ekonomike” të Stalinit, në pjesën më të madhe, paçka se me vonesë, e kuptuan sesa të leshtë ishin treguar. Kritika demokratike franceze, ndonëse ata që ishin gjallë në 1956-n e destalinizimit kishin bërë mea culpa, i përmend me ironi: Pierre Paskali, për shembull, përshëndeste „Regjimin e shëndetshëm të punës dhe të edukimit“ në kampet e ferrit në BS! Zhorzh Dyhameli (Duhamel), dukej si i magjepsur nga revolucioni rus ( „Udhëtim në Rusi, 1928 ). Eduard Heriói (Herriot) mahnitej nga „perimoret kolkoziane, të ujitura e të kultivuara në mënyrë të admirueshme“ (kur uria bënte kërdinë në Ukrainë). Hanri Barbysi (Barbusse) në vitin 1935 i bënte lavdet e tij vendit të sovjetëve. Zhan-Pol Sartri (Sartre) dhe Simona Bovuari (Beauvoir) nuk nguruan t’u bëjnë lavde Fidel Kastros dhe Mao ce Dunit, kur këto vende ishin të zhytura në mjerim dhe në shtypje. Në një fotografi të një revist letrare franceze, gjendet ky shënim: “Nuk i kemi parë të protestojnë kundër kampeve komuniste të përqendrimit“.
André Zhidi nuk ra në këto kurthe. Ai nuk shihte ëndrra të bukura me sytë hapur.
Sa për Zhan-Pol Sartrin, qé një befasi për mua prej atij shndërrimi 180 gradësh, kur lexova shprehjet e tij antikomuniste të fuqishme, në bashkëbisedim me Isuf Luzajn, në Argjentinë. Luzaj ishte antifashist dhe njëri ndër luftëtarët antikomunistë, që u arratis në mbarim të luftës. Përndryshe do ta kishte pësuar si Llazar Fundo, aq tepër i çmuar nga F. Noli dhe miku i tij i afërt, V. Kokona. “Mëkati” i I. Luzajt ishte se fashizmin e kishte luftuar në rangjet nacionaliste, jo çlirimtare! Për kohën e internimeve të përbashkëta nga italianët, Luzaj shkruan: “Në Ventotene takova Llazar Fundon, filozofin më të madh të racës shqiptare”. Në botën e lirë Isuf Luzaj kishte ndriçuar për diturinë e tij dhe u bë me emër si ndër profesorët më të mirë në universitetet amerikane dhe në ato argjentinase. Ishte dekoruar nga dy presidentë amerikanë. Ishte një historian i përkryer dhe ndër ata që shkëlqenin në degën historike të epistemologjisë. Qé ndër njohësit më të mirë të kësaj dege, që përdorte metodat matematikore në proceset historike. Një pjesë e bisedave të tyre është paraqitur nga “55-a”. Zhan-Pol Sartri ishte i ftuari i Luzajt në Argjentinë. Në universitet ku jepte mësim Luzaj, Sartri shpalosi ekzistencializmin e tij, me komentet e Luzajt dhe me pyetjet e shumta të studentëve. Në bashkëbisedimet e tyre mund të japim edhe ndonjë citim tjetër, që s’ishte dhënë në “55-n”: “Komunizmi është vetëm një spekulim idesh sofistike të prejardhura nga baza false, subjektive dhe nga statistika të pasakta dhe të painterpretuara në kohë të caktuar, në vend të caktuar, në funksion të caktuar. Kështu, komunizmi mbetet vetëm një fushatë politike për atë kohë kur u konceptua, u shkrua dhe u përhap, në një popull të prapambetur; anakronik për qytetërimin perëndimor dhe për teknologjinë moderne”. Konsiderohej si një ideologji shkatërrimtare, me përmasa planetare. Nuk po përsëritim thënie të tjera. Por edhe ato që cituam duhet t’i kemi vath në vesh, veçanërisht né shqiptarët. Ia vlen, ndërkaq, të themi sërish se çifti Sartrë-Bovuar, kishte iluzione jo vetëm për Stalinin, por edhe për Mao Ce Dunin dhe për Fidel Kastron. Për të bërë edhe një parantezë të vetme me këtë subjekt, më duhet të them se nuk janë të pakët personalitetet e mëdha të artit dhe të letërsisë që u ftilluan dhe kanë bërë vepra tepër të spikatura, paçka se u kanë rënë mohit mendimeve të mëparshme të gabuara. Dhe kanë arritur të bëjnë vepra madhore të kurorëzuara, madjé, me çmimin Nobel. Le të përmendim nobelistin hungarez Imre Kertész dhe të tjerë, për të cilët do të shkruajmë njëherë tjetër. “Ç’do të thuhet për né, që e kemi deklaruar BRSS-në si një atdhe të zgjedhur, si një shembull, si një udhërrëfyes?- shkruan Zhidi, i trishtuar, duke dënuar regjimin stalinist. Na duhet të shtojmë edhe se është një dukuri e përgjithësuar ajo e kalimit nga iluzionet e gabuara komuniste, në anën tjetër të peshores. Vetëm në vendin tonë, për një “paradoks” molisës, ka gjetur vend dukuria e anasjellë: Për ndonjë qejfmbetje të lehtë, gazetarë, politikanë e persona të tjerë, kanë kaluar në kundërrymë, duke u bashkuar me majtizmin tonë, të rreshtuar në partinë emërndërruar, e cila nuk mund të mohojë se ka brenda saj të gjithë mëkatarët e regjimit diktatorial të dështuar. Një mendim i pathelluar na çon në habinë sesi është e mundur që një pjesëz e popullit që ka vuajtur më shumë se çdo tjetër në të gjithë Lindjen europiane ish-komuniste, të jetë në një gjendje të quajtur paradoksale, të mos kuptojë sa e si duhet që një parti e frymëzimit enverist, në minorancë, të vërë kushtëzime ngërçesh absurde, për të bllokuar për të tretën herë marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, madje të mëtojë që të zhvatë edhe pushtetin pa zgjedhje, qoftë édhe me 1300 viktima, duke na kujtuar edhe ‘97-n tregishtore të një kryengritjeje bolshevike. Duhet të kemi parasysh, duke u çuditur në këtë mënyrë, se despotizmi ka qenë aq mizor, sa shpëlarja e trurit në masë ishte krejtësisht e mundshme. U përhap, si vajët në lakra, ajo mendësia komuniste që të çorodit edhe sot e kësaj dite. Fillesa është destalinizimi i mohuar (1956-’57 e më tej) , kur në vendet homologe thuajse kishin marrë fund dënimet politike, ndërsa këtu te ne bëhej kërdia. Prandaj atë fjalën paradoks, diku më sipër, e kemi vënë nën thonjëza.
Ne duhet të kuptojmë, në të gjithë domethënien e saj, atë thënien e publicistit të njohur francez, Sevilia : “Në Rusi, në Pekin apo në Havanë, në ëndrrat e ëndërrimtarëve, ishte fshehur ferri“. Ferri i fshehur në ëndrrat e ëndërrimtarëve në vendet demokratike, vrik e shërueshme, a nuk përngjason paksa me shpëlarjen e trurit te ne, tepër e vështirë për t’u shëruar? Personaliteti i lartë i Komunitetit Europian, miku i shtrenjtë i popullit shqiptar, Tadeus Masovievski, a nuk na dha një këshillë të paharrueshme, kur na vizitoi në vitet e para të ndërrimit të sistemeve? “Bëni dekomunistizimin!”. Por punët në Shqipëri nuk janë dhe aq të lehta. Arsyet dihen. Janë shkruar. Por duhen edhe më shumë botime si ato të “55-s”. Pasuria më e madhe, édhe në makinën propagandistike, është “e tyrja”. Prandaj kërkojnë të mbrojnë me ödo kusht pasurinë e paligjshme, përmes ruajtjes së imunitetit.
Pas këtij digresioni, vazhdojmë me pjesën e dytë të autorit tonë të madh, Zhidit, që e djathta e ka për zemër.
* * *
Disa veçori të rregullit të tij jetësor: Banon në rrugën Vano, 2 bis. Ngrihet në mëngjes në orën shtatë e gjysmë. Ha thjesht, pa teprim. Nuk pi kafe as alkool. Shkruan faqet e fundit të “Ditarit” të tij. Ekzekuton në piano partiturat e Shopenit, ndonjëherë për një kohë të gjatë. Miku i tij, Mark Alegré, mundi ta filmojë. Ai del aty një gjysh shembullor dhe një baba model ndaj vajzës së tij. Nuk i vijnë shumë njerëz për vizitë. “Më lini në qetësinë time!” Para ngrënies, lexon Virgjilin në një botim shkollor. Në shtratin e tij të hekurt, varet një bastun, dhuratë e Frencis Xhejms-it, me një gdhendje vargjesh me biçak.
Vetëm njerëzit e mëdhenj kanë privilegjin që të lindin së dyti. Zhidi nuk bën përjashtim. Vargani i madh i atyre që e shoqëruan për treçerek shekulli, është aty, për ta frymëzuar. Nuk kanë harrur asgjë prej tij: Mënyrën e të rrufiturit, kapelat e çuditshme, kërshërinë e pangopshme, vizatimet e tij, rrugëtimet, pasionet. Për secilën nga këto, ishte një ngjarje për ta takuar. Zhan Gionó nuk mund të harronte ç’i tha e ëma kur e takoi, ndonëse nuk e njihte:
-Është i madh dhe me një mirësjellje që të bën përshtypje. Flet për bukuri. Di të të dëgjojë.
-Por a të tha se cili ishte?
-Po, më tha se e quanin Zhid. Takim i veçantë: Gionó e takoi njëherë, por nuk mundi të qëndronte më shumë se pesë minuta. Ishte nëpunës në një bankë dhe, atë ditë, ai duhej të bënte pagesën e kuponave. “Isha në një kohë ters, - tha ai – se kisha hallin e ruajtjes së vendit të punës, ku merrja 800 fr. në muaj”. Miqësia e të dy njerëzve u trash menjëherë dhe Gionó e çonte personazhin e tij në Alpet, ku kishte një banesë alpine të tipit zviceran. Atje tregonin ngjarje, pinin uzo dhe mblidhnin bimë mjekësore. Në pijetore, Zhidi i lexonte me zë të lartë, i përkulur, “Françeskës”, letrat e Ljuis Karolit. Ai lozte shah. Por lidhjet ndërmjet Zhidit dhe bashkëbiseduesve nuk vendoseshin gjithmonë aq lehtësisht sa me Giononë dhe me Efantenin. Botanika dhe shahu kanë një të folur të rehatshëm.
Ishin të shumtë ata që i afroheshin Zhidit, siç i ishin afruar Pití-së. Ata kërkonin Orakullin. Ëndërronin biseda të jashtëzakonshme, me fraza të bujshme që mendonin se bëheshin për Gëten, për Erazmin apo për Montenjin. Por ishte e rrallë që Zhidi të jetësonte këto shpresa. Ai ngulmonte në disa fjalë. Si Bodleri, ai kishte kursivet veta në zërin e tij. Nëse ndonjëherë vinte ré se e merrnin si Dalai Lamë apo si Papë, ai e kthente muhabetin në një qyfyr. Kur, disa ditë para se të vdiste, ai zbulon te Rusoi këtë aforizëm: “Ai që parapëlqen të vërtetën më shumë se lavdinë e tij, mund të shpresojë ta preferojë të vërtetën më shumë sesa jetën”. Këtë ia thotë Dominik Druenit (Drouin). Por, që të mos i lërë përshtypjen se ishte duke dhënë një mesazh – që ishte i tillë në të vërtetë, - shton akoma: - Po, miku im i dashur, a nuk të duket e çuditshme? Ai kishte qejf të lozte me fëmijët dhe i donte lodrat, në përgjithësi. Ishte tepër i ndjeshëm për letrat që merrte. Ai ruante ato të thartat. Lavdet nuk i ruante medoemos. Ajo që ruhej si nga një koleksionist, ishte një letër me një shkrim të shkapërderdhur, ku fyhej vrazhdë: “Po nuk vendose vetë të ngordhësh, kam ruajtur plumbin e parë për ty!”. Përkundrazi, zakonisht nuk i ruante dërgatat ditirambike në të cilat trajtohej si “shkrimtari më i madh i kohëve”, si “një perëndi”, ku thuhej se ndaj tij ndjenin një adhurim mistik”. Ai nuk para i ruante këto, duke thënë: - Gjëra që bien erë!