E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama tani po falsifikon edhe njerëz

04-04-2013 / Gazeta 55

S’i dalin më llogaritë as me falsifikime tokash, as me falsifikime pronash e as me falsifikime aleatësh. Tani ka nisur të falsifikojë edhe njerëz, duke ia paraqitur publikut si të djathtë, për të krijuar “frymën e vdekur” të ndryshimit. Me një performancë astmatike, në Laprakë ai shfaqi anëtarë socialistë të ardhur nga Dibra, ndërkohë që dje në Lezhë, komedia me një akt i doli për hundësh, pasi i iku e gjithë dega vendore e PS-së

Jemi në një paradoks të madh. Nga njëra anë Edi Rama fton në aleancë Lëvizjen Socialiste për Integrim se “ashtu është puna” duke dhënë se jemi brenda një ideologjie të majtë ndërsa nga ana tjetër sajon takime duke shitur militantët socialistë si ish- të përndjekur apo themelues të Partisë Demokratike që bashkohen me PS.
Në zonën e Laprakës, në Tiranë, Edi Rama shfaqi në media antarë socialistë të ardhur nga Dibra si themelues të PD, ndërkohë që në Lezhë, gjeti mbështetjen tek rrjeti i kodoshit Skënder Tufa dhe i quajti pacipësisht ish-të përndjekur. Por komedia në Lezhë kishte një akt të dytë, pasi Edi Ramës i iku e gjithë dega vendore e PS-së.
Strukturat e Partisë Socialiste në Lezhë njoftuan largimin e tyre me motivacionin e “tiranisë së kryetarit të PS Edi Rama”. Padyshim, largimi i deputetëve Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjanit nga PS-ja nuk janë një gjë e parëndësishme në përllogaritjet e votave në qarqe. Por Edi Ramës i intereson ta paraqesë vetveten si një njeri “përtej të majtës dhe së djathtës”. 
Në sytë e militantëve në Lezhë deklaroi se, “nuk ka nevojë për të majtë dhe të djathtë. Nuk ka nevojë për ideologji”. 
Hapi tjetër i kësaj logjike është deklarata se nuk ka nevojë për parti dhe për demokraci. Depersonalizimi i jetës politike në të majtë ecën paralelisht në të njëjtin binar të shthurjes morale të Edi Ramës. Pa përfillje për opinioni publik ai kërkon që të pranojmë falsifikimet e pallatit të familjes të bashkëshortes së tij, të pranojmë falsifikimet e faturës 2 euro metri katror të pronës në Dajt, të pranojmë se jeton si fukara veç me 3 mijë euro. Ai kërkon të pranojmë edhe falsifikimin e aleatëve të tij. Kreu i PS Rama për të dhënë idenë se ka një koalicion të gjerë në opozitë rreshtoi disa persona anonimë dhe sigla partish që nuk figurojnë të regjistruara në Gjykatë as në  regjistrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Madje, kryesocialisti Edi Rama për ta bërë dhe më të besueshme gënjeshtrën e mbështetjes së aleatëve të rinj e gjithëpërfshirës u ka caktuar selinë e PSD të Skënder Gjinushit si seli e partive të opozitës. Pra, opozita do të funksionojnë dy seli paralel për koalicionin, njëra në Partinë Socialiste dhe tjetra në selinë e Skënder Gjinushit.
Megjithatë Edi Rama mendon se mund të gënjejë ashiqare duke marrë për bazë gjithçka  që thotë përpara kamerave të medieve apo lajmeve të trafikuara nga shtabi i tij elektoral pa i verifikuar më parë. Shumica e partive që figurojnë në aleancë paraprake me PS nuk ekzistojnë fare, janë fiktive. Ai ka arritur të falsifikojë opozitën duke ia hequr të gjithë epërsinë morale që i jep moskonsumimi i pushtetit politik. Nuk ka faqe rrjeti social që nuk e shan kreun e PS për amoralitet dhe cinizëm të basifondeve të shoqërisë. Madje, me një editorial në blogun personal arrin të deklarojë se e parashikonte një gjë të tillë, por s’ka gjë! Rama thotë se “kjo aleancë la një shije balte në gojë”.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: Edi Rama i futi në baltë deri në fyt socialistët e ndershëm. 
Edi Rama bëri pis gjithë kauzën socialiste të këtyre katër viteve duke zhvlerësuar si të parëndësishme bojkotit 6 mujor parlamentar, të gjithë batarenë politike dhe ligjore të  hapjes së kutisë dhe transparencës, i hoqi vizë të kuqe grevës së urisë dhe tradhtoi për së dyti njerëzit e demonstratës së dhunshme 21 janarit. Ky është paradoksi më i madh.     

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›