Edi Rama të kërkojë falje për fyerjet kolektive ndaj skraparllinjve
PD prezanton kandidatët për deputetë në rrethin e Skraparit. Premtimi i kryeministrit Berisha: “Do ndërtojmë në çdo skaj të Skraparit, infrastrukturë moderne”
“Po i them dy fjalë atij tjetrit, unë flas lirshëm, nuk jam rritur rrëzë Tomorrit, por rrëzë Shkëlzenit, ndaj do t’i kërkoni Ilir Metës një gjë, ta sjellë këtu Edi Ramën dhe të kërkojë të falur për fyerjet kolektive që i ka bërë Skraparit e skraparllinjve, po se bëri këtë asnjë votë për të, votoni për veten tuaj”
Kryeministri Sali Berisha theksoi dje, në Çorovodë, se qeveria do të vazhdojë të ndërtojë në Skrapar në çdo skaj të tij infrastrukturën moderne që ju meritoni. Gjatë mitingut elektoral, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të këtij qarkut të Beratit në zgjedhjet e 23 Qershorit, Kryeministri Berisha tha se “Skrapari është një rreth me potenciale të mëdha dhe pasuri të pafundme. Qeveria do të financojë çdo projekt të qytetarëve të Skraparit për ullishte, vreshta, qershi dhe dru të tjerë frutorë”. “Skrapari ka ndër potencialet e turizmit malor më të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Jam këtu për tu zotuar se në katër anët e rrethit po ecim drejt Përmetit, shumë shpejt do të ecim drejt Tomorrit, të cilin do ta bëjmë të njohur në Europë e botë për potencialin e tij të jashtëzakonshëm turistik”, theksoi kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë u shpreh se zotimi im është të bëjmë gjithçka për shfrytëzimin e potencialit të jashtëzakonshëm të Tomorrit në të gjitha anët e tij. “Me infrastrukturën e ardhshme ju do të keni lidhje me Përmetin, Gramshin dhe me trajektoren e TAP-it rrugën me Korçën”. Sipas tij, “shumë shpejt merret vendimi për TAP-in dhe shumë shpejt gjeografia juaj do të ndryshojë në mënyrë thelbësore”. “Skrapari ka një kanion ndër më të bukurit në Shqipëri, rajon e më gjerë. Ne ndërtuam rrugën dhe unë jam shumë i sigurtë se Raftingu, krahas resorteve fantastike të skive, do ta bëjë Skraprin të njohur në Europë e botë. Skrapari në malet e tij fsheh gurë dekorative, që po ndërtojne pallatet më të mirë në Europë e botë, ka ujëra në të cilat po ndërtojmë e do të ndërtojmë dhjetëra HEC, ku do të punësohen qindra gra e burra të Skraparit”, tha Berisha. Kryeministri premtoi edhe rritjen e pagave e pensioneve dy herë më shumë se çmimet si dhe rikthimin e pagës së trembëdhjetë për administratën. Programi i Ramës për heqjen e taksave, tha kryeministri, është shkatërrim për prodhimin vendas. “Shoku i autobusit mavi premton heqjen e TVSH-së për qumështin, çka do të thotë që qumështi i lopëve tuaja të mbetet pa shitur, sepse po erdhën gjemitë me qumësht pluhur dhe qumësht tjetër pa TVSH-së, atëherë ai do të shitet më një çmim që do të mbysë prodhimin vendas të qumështit. Autobusi mavi premton të heqë TVSH-së për miellin, në mënyrë që në Shqipëri askush të mos ketë më leverdi të mbjellë grurë apo misër. Shoku i autobusit mavi erdhi këtu në Berat dhe deklaroi se vaji i ullirit ka mbetur pa shitur. Ai tani premton të heqë TVSH-në për vajin e ullirit, çka do të thotë që ju të mos shisni dot edhe 1 litër vaj, sepse vajrat e vendeve që kanë 600-700 milionë rrënjë ullinj do të pushtojnë Shqipërinë. Ndaj dhe ne zotohemi ta mbajmë TVSH-në për këto ushqime, por zotohemi të rrisim rrogat dy herë më shumë se çmimet, të rrisim pensionet dy herë më shumë se çmimet. Ne zotohemi të vendosim rrogën e 13 për të gjithë punonjësit e administratës shtetërore. Zotohem të heqim për bizneset, këtu dhe kudo, çdo taksë dhe tarifë doganore për makineritë edhe materialet që do të përdoren për prodhim”, u shpreh Berisha. Vota për numrin 44 është votë për fshatin e zhvilluar dhe për të ardhmen europiane të Shqipërisë”- deklaroi kryetari i Partisë Demokratike. Duke iu referuar rivalit politik në këto zgjedhje, Berisha tha se Edi Rama duhet të kërkojë të falur për fyerjet kolektive që i ka bërë Skraparit e skraparllinjve. “Ktheni sytë kur ishin në pushtet çfarë bënë për Skraparin, edhe rrugën Poliçan-Skrapar ia dhanë Koços dhe e katranosi, u detyruam ta asfaltojmë për së dyti dhe segmenti i mbetur do të rindërtohet me shpejtësinë më të madhe”. “Ndaj edhe ata të cilët duan të shohin Skraparin turistik, të fermerëve, Skraparin e punonjësve që u rriten rrogat e pensionet, Skraparin e HEC-eve që po ndërtohen njëri pas tjetrit, të votojnë Partinë Demokratike”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë tha se “po i them dy fjalë atij tjetrit, unë flas lirshëm, nuk jam rritur rrëzë Tomorrit, por rrëzë Shkëlzenit, ndaj do t’i kërkoni Ilir Metës një gjë, ta sjellë këtu Edi Ramën dhe të kërkojë të falur për fyerjet kolektive që i ka bërë Skraparit e skraparllinjve, po se bëri këtë asnjë votë për të, votoni për veten tuaj”. “Kaq t’i kërkoni sepse askush në botë nuk ka të drejtë t’u fyejë ju kolektivisht, sepse ju keni një histori me të cilën krenoheni e do të krenoheni gjithmonë sepse ju në çdo rast që ka patur nevojë kjo tokë nuk keni kursyer asgjë për mbrojtjen e saj”, theksoi Berisha. Në këto vite, në rrethin e Skraparit qeveria ka investuar në të gjitha drejtimet, dhjetëra kilometra në fshatra e komuna, ndërtuar e rindërtuar 20 shkolla, 22 ujësjellësa, kemi financuar mbi 520 fermerë për vreshta, ullishte, sera e ferma të tjera bujqësore. Ne do të trefishojmë financimet tona për fermerët e Skraparit. “Kjo është rruga jonë që kalon me sakrifica, mund e djersë, por një rrugë që çon drejt zhvillimit, begatisë e prosperitetit”, tha Berisha.