E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, të vret natën e të qan ditën

04-11-2012 / Gazeta 55

Edi Rama ka nxituar të përmendë një numër viktimash, si autorësi indirekte e ekzekutivit, por si në një ushtrim psikologjik, ai në fakt evokon përgjegjësinë e tij për këto vdekje. Shishet e benzinës që iu çuan Lirak Bejkos për ta përdorur si një mekanizëm politik e elektoral, përsërisin përvojën e 21 janarit dhe evokojnë traditën e Enver Hoxhës, i cili në dhjetëra raste shfaqi moralin bolshevik, që të vret natën e të qan ditën

Edi Rama hedh gurin dhe fsheh dorën për pasojat e lëna të grevës politike së nisur gati dy muaj më parë për qëllime elektorale nga një grup i papërgjegjshëm individësh, të kategorizuar në shtresën e ish të përndjekurve politikë. Mirëpo greva e stisur për motive të dobëta financiare dhe interesa të ngushta politike të Partisë Socialiste u mbyll me një të vdekur (Lirak Bejko) në kushtet e vetëflijimit dhe tjetri (Gjergj Ndreca) i mbijetoi flakëve të vëna nga zjarrvënësi me tre emra, që më shumë njihet si, Perikli Shqevi, por herë-herë edhe si Pal Shtjefni.
Kryetar i kësaj greve ishte Skënder Tufa, një i njohur i drejtësisë shqiptare  8 vite më parë, ku arrestua dhe u dënua për trafikim të qenieve njerëzore dhe ushtrim të prostitucionit. 
Gjithashtu, një tjetër eksponent i grevës së urisë, Asllan Patrioti ka vuajtur vitet e burgut në diktaturë pasi është akuzuar për përdhunim. Pra, në tërësi, greva 31 ditore jo domosdo ka patur në thelb interesat e shtresës së ish të përndjekurve politik, të cilët kanë vuajtur internimin dhe burgjet e diktaturës sepse besonin tek ideali i lirisë. Shoqatat e ish të përndjekurve u distancuan jo vetëm nga aktet tragjike të vetëflijimit, por mbajtën qëndrim edhe ndaj protestës-grevë, duke e cilësuar atë si të frymëzuar politikisht dhe larg interesave të vërteta që kanë të përndjekurit.
Megjithatë logjika e shfrytëzimit të personave që s’kanë asgjë për të humbur përpos jetës së tyre në luftën politike për marrjen e pushtetit jo me votë, është në kodin gjenetik të Partisë Socialiste si trashëgimtare e Partisë Punës.
A nuk ishte Enver Hoxha me mentorët e tij jugosllavë që rekrutonin në parti dhe veprimtari kriminale persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore si Myslym Peza, Koçi Xoxe, Nako Spiro, Llambi Peçini, Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu për të marrë pushtetin? A nuk ishte Enver Hoxha që pasi i lavdëroi mirë e mirë për zellin e tyre në mbledhje dhe konferenca partie, më pas i dërgonte në plumb apo i burgoste për hiçgjë?
A nuk është e njëjta logjikë e Edi Ramës  më 21 janar të 2011, ku thirri në demonstratën e dhunshme me grupe njerëzish që kishin “agjendë tjetër”, të përbërë nga individë me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe pasi sulmuan për të djegur kryeministrinë dhe marrjen e pushtetit me dhunë duke përmbysur rendin kushtetues, ku mbetën të vrarë 4 panafakë në përpallje me forcat e sigurisë së institucioneve, një javë të pas organizoi një tjetër demonstratë përkundër rekomandimeve ndërkombëtare për të përkujtuar “heronj” e saj?
A nuk është Edi Rama që stimuloi dhe mediatizoi një grevë urie me 10 persona ish të përndjekur politikë, disa me precedentë penalë në kohët e fundit, një ditë përpara rekomandimit të marrjes së Statusit të vendi Kandidat vetëm e vetëm për të zhurmuar gëzimin e milionave shqiptarëve - duke qarë virtualisht Lirak Bejkon?
Edi Rama është një politikan pa lot, edhe të qarën e ka virtuale, në rrjetin social tëitter.  Ai nxitohet të përmendë një numër viktimash, si autorësi indirekte e ekzekutivit, por si në një ushtrim psikologjik, ai në fakt evokon përgjegjësinë e tij për këto vdekje. Shishet e benzinës që iu çuan Lirak Bejkos për ta përdorur si një mekanizëm politik e elektoral përsërisin përvojën e 21 janarit dhe evokojnë traditën e Enver Hoxhës, i cili në dhjetëra raste shfaq moralin bolshevik, që të vret natën e të qan ditën. Në vend që t’i kërkojë ndjesë të gjithë shqiptarëve për krimet çnjerëzore që etërit e tyre ushtruan ndaj të gjithë atyre që besonin tek liria dhe zhvillimi evropian i Shqipërisë, Partia Socialiste po bën të kundërtën; po tenton t’i cilësojë të përndjekurit sërish si gjahun që duhet përndjekur, internuar dhe vetëflijuar. Kjo pikërisht në vitin 2012-ë, kur koncepti i socializmit thuajse ka vdekur, ose është në grahmat e fundit të mbijetesës, në mendje ndryshkurat të pinjollëve  të regjimit, me të cilët përbehet kupola e PS, xhelatët rikthehet në vendin e krimit. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›