“Drejtësia të hetojë organizatorët dhe gjithë përgjegjësit e akteve kriminale të grevës”
PD-ja ngushëllon familjen e Lirak Bejkos, qeveria merr masa për kthimin e trupit në shtëpi
Partia Demokratike i shprehu dje ngushëllime të sinqerta familjes Bejko, dhe ndan dhimbjen me ta për humbjen e jetës së ish të përndjekurit politik. Dy ditë më parë në Bari, ndërroi jetë grevisti Lirak Bejko, që pasi u lye me benzinë i vuri flakën vetes para kamerave.
Në një deklaratë për shtyp, PD-ja theksoi se, “kryeministri i vendit ka porositur të merren masa për të ndihmuar kthimin e trupit në shtëpi”.
Ndërsa dënoi keqpërdorimin e kauzës së ish të përndjekurve politike nga aleanca Tufa-Rama, që për motive të dobëta organizuar një grevë urie të pashembullt një ditë përpara marrjes së statusit të vendit kandidat. “Partia Demokratike dënon organizimin dhe përdorimin politik të këtij akti dhe i thotë zotit Rama se vërtetë jeta e Lirak Bejkos ishte një dramë me disa akte, që filloi me burgosjen e tij nga ata që firmosnin burgosjet, varjet, ekzekutimet për fjalën ndryshe e mendimin ndryshe, vazhdoi me socialistët e Edi Ramës që në një akt klasor armiqësor ndërprenë në 8 vitet e pushtetit të tyre dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë”.
Më pas deklarata e PD nënvizon se kjo dramë inskenua dhe u finalizuar për t’i dhënë kredi kreut të opozitës në luftën për të ardhur në pushtet me të gjitha mjetet, duke përdoruar njerëz të rrezikshëm shoqërisht.
“Kjo dramë u finalizua sërish nga Edi Rama dhe kupola e PS me organizimin kundrejt pagesës për qëllime politike të grevës, vendosjes në krye të saj të kriminelëve dhe terroristëve si Tufa dhe Shqevi, djegies për së gjalli për qëllime politike nga Perikli Shqevi të Gjergj Ndrecës, selektimit mbi bazën e kartelës shëndetësore të të ndjerit Lirak Bejko dhe dërgimit direkt te ai me shishet e ujit të shishes së benzinës, duke besuar se flakët që do digjnin trupin e tij do shndërroheshin në vota për karrigen e Ramës”.
Në fund Partia Demokratike i shprehu dhe një herë ngushëllimet familjes Bejko, ndërsa i bëri thirrje prokurorisë të hetonte ngjarjen e rëndë.
“Partia Demokratike kërkon nga organet e drejtësisë të hetojë të gjithë organizatorët dhe përgjegjësit e akteve të cilat kishin për qëllim shndërrimin e kufomave në vota”, përfundon deklarata e PD.