Edi Ramës i erdhi vjeshta me 1 qershor, Ditën e Fëmijëve
Ngjyrat e zverdhura të pensionit politik u konfirmuan dje nga kryesocialisti, i cili kërkoi t’u bënte presion institucioneve kushtetuese, me fraza fëminore, të denja për 1 qershorin. Por, një ditë para Ditës së Fëmijëve, Edi Rama u kuptua qartë se s’ka takat, s’ka takat të pranojë humbjen që tiranasit i dhanë në zgjedhjet e 8 majit, bile s’ka takat as të prishë festën e tyre të ndryshimit
Dje kryesocialisti Edi Rama ka qenë në një gjendje zverdhjeje që do t’i shkonte shumë për shtat stinës së vjeshtës dhe jo sezonit aktiv politik që ai premton se do të çiftëzojë me fillimin e sezonit turistik. Në një deklaratë pa fund e pa krye, Edvini ka përsëritur ofshamën e tij disajavore, se s’do të pranonte me gjithë zemër asnjë rezultat që s’do ta shpallte atë fitues të bashkisë së Tiranës. "Vendimi i Kolegjit nuk është thjesht një domosdoshmëri për të legjitimuar një rezultat që e panë të gjithë, por edhe për të mos rritur koston për vendin dhe njerëzit, të një procesi të dalë përfundimisht nga binarët, përmes vullnetit të mbrapshtë të një njeriu që për fat të keq është kryeministri i këtij vendi, i cili nuk ka pranuar kurrë humbjen dhe që nuk fiton dot pa vjedhur kundërshtarin", tha Edvini, duke u konfirmuar gazetarëve se s’mund të pranonte humbjen e se të gjithë gjyqtarët, me emër e me mbiemër, kishin për ta parë se ç’do t’u punonte nëse nuk do t’i jepnin në tavolinë mandatin e kryebashkiakut të kryeqytetit. Për të parandaluar këtë fatkeqësi, ai si shpesh këto kohë, apelin e ka të njëjtë, i lutet “presidentit Topi”. Për ta bërë përrallën edhe më të vërtetë, vjen edhe detaji i ofertës së konsulencës nga Komisioni i Venecias, por siç duket, kjo konsulencë kërkohet aposteriori, veç për zgjedhjet e përgjithshme, por e gjitha, pa investimin e strukturave të përcaktuara për këtë procedurë; pra Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë si dhe sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës.
Një ditë para ditës së fëmijëve, Edi Rama u shfaq si një politikan i moshës së tretë, si një politikan në vjeshtën e karrierës së tij dhe që i ngre të gjitha alibitë, për të siguruar një pension më të lartë sesa meriton. Një ditë para 1 qershorit, Edi Rama u kuptua qartë se s’ka takat, s’ka takat të pranojë humbjen që tiranasit i dhanë në zgjedhjet e 8 majit, bile s’ka takat as të prishë festën e tyre të ndryshimit. Krejt si verdhacuk politik, ai dje s’mundi të paraqesë as parakushtet fëminore për marrëveshje, ato që kanë lidhje me mëshirën dhe me krijimin e qetësisë për veshët e bashkëqytetarëve tanë, në prag të sezonit turistik.
Merret vesh se opinioni publik s’ka për t’ia falur e pension të lartë politik s’do të marrë megjithë përplasjen e këmbëve e palo-kërcënimet për destabilizim, megjithatë, s’mund të lëmë pa kujtuar se autoritete ligjore e kushtetuese si anëtarët e Kolegjit Zgjedhor s’kanë për t’u ndikuar nga qurravitjet fëminore të njërit që me 1 qershor lajmëron pensionin e tij politik.