E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatkeqësitë që na ka shkaktuar mendësia komuniste

01-06-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Nëse shtrohet pyetja se përse Shqipëria, pas rënies së komunizmit, u paraqit në një gjendje më të mjeruar se të gjitha vendet e komunizmit europian në pushtet, përgjigjja është e thjeshtë: nga vasaliteti ndaj Jugosllavisë së Titos dhe nga shmangia e destalinizimit në vitin 1956. Këta dy faktorë kanë një përgjegjës kryesor: Enver Hoxhën.
Asnjë nga lëvizjet nacionalçlirimtare të Europës kundër fashizmit, nuk e ka bërë luftën kundër okupatorit, nën një zgjedhë të dyfishtë, si vendi ynë. Enver Hoxha, i joshuri i Titos, gjithmonë ka menduar për pushtetin vetjak të premtuar. Sipas oficerit britanik Simkoks, Enveri ka menduar më shumë për luftën e vogël, (atë që u quajt „lufta civile“, madje edhe nga hipokriti E. Rama), qoftë edhe ndaj antifashistëve nacionalistë (të shpallur si armiq, veçanërisht pas Mukjes), sesa për Luftën e Madhe. Në vitin 1956, për të ruajtur karrigen, e shndërroi Shqipërinë në të vetmin vend stalinist, të komunizmit lindor europian. Në të dyja këto veprimtari, u flijuan interesat kombëtare.
34 vite komunizëm shtesë, përforcuan interesat e mëkatarëve në atë ndarje të popullit në “tanët” dhe në “armiq”. Ata me emërtimin “tanët”, u frynë në abuzimet, shpesh arbitrare, ndaj gjysmës tjetër të popullatës fatkeqe. U përftua, kështu, edhe ajo mendësi perverse, që u shtoi privilegjeve të diktaturës edhe grabitje pronash  ( dukuria e “pronarit të ri”),  në pluralizëm. Neokomunistët e ushtruan  zanatin e babait të tyre shpirtëror edhe pas ndërrimit të sistemeve. Edi Rama ishte shpallur kryetar bashkie në vitin 2000 me 1/6-ën e votuesve, siç është argumentuar në një libër analitik të I. Nezirit. Në zgjedhjet e majit të këtij viti, socialistët i filluan gër-mërret me “analistë” që mëtonin se boja në thua fshihej me një letër të butë pastrimesh që jepen nëpër bar-bufetë, ndërsa njerëzit, edhe sot e kësaj dite, i kanë shenjat në gisht, të dukshme. Shembull banal, por domethënës...
***
Para 9-10 vitesh, pata rastin të lexoj një libër të bujshëm që bënte fjalë për nënshtrimin e Toliatit ndaj Stalinit. Tregonte për mizorinë  komuniste ndaj robërve të L.II.Botërore. Autorët Françesko Bigaci dhe Evgjeni Zhirinovi, kishin tronditur opinionin publik italian. Përshkruanin  kalvarin e robërve italianë dhe trajtimin e tyre në lagerët sovjetikë, pas Luftës II Botërore. Tregonin për kalvarin e 81.059 ushtarëve italianë dhe, veçanërisht, për  njëzet e tetë të fundit. Përshkruhet fati tragjik i tyre. Është  njollosur, për bashkëfajësi, edhe Partia Komuniste Italiane, me ndikimin e natyrshëm në qeverisjen e pasluftës, por edhe me shpërfilljen ndaj fatit të bashkatdhetarëve, për të mos e diskredituar Bashkimin Sovjetik.
Autorët janë të revoltuar për këtë mizori të trajtimit të robërve. Sepse, siç argumentojnë ata, pas armëpushimit të vjeshtës së vitit 1943, Italia u rendit si bashkëluftëtare e Aleatëve, domethënë edhe e sovjetikëve. Dhe kjo nuk ndikoi aspak që robërit italianë të trajtoheshin, në ndonjë farë mënyre, sipas konventave ndërkombëtare të të burgosurve.
Publicisti Pakuale Kesa fajëson për shpërfillje  édhe interesimin e dobët të autoriteteve ushtarake italiane të pasluftës, që të burgosurit  të riatdhesoheshin sa më shpejt.
Sipas një artikulli me titullin „Kalvari i 28 të burgosurve“, një publicist shkruan se „ky qé një persekutim i vërtetë politik dhe ideologjik,  për të cilin janë të akuzueshëm Palmiro Toliati dhe Moska”. Në artikullin bëhet fjalë për një bashkëfajësi kriminale, në të cilën Toliati ka përgjegjësi të pafalshme.
Këta të njëzet e tetët pësuan një trajtim mizor, njëfarë Nurembergu të vogël, në mbështetje të akuzave false apo absurde, në një gjendje dhune të një gjyqi të montuar, që përfundoi në janar-shkurt të 1954-s.
Autorët e librit kanë bërë një punë të mundimshme për gjetjen e dokumenteve në arkivat e  Moskës, ndërmjet peripecive burokratike dhe pareve nën dorë, për të nxjerrë në shesh të vërtetën dhe për të provuar manipulimet, që komunistët i kanë në përvojën e tyre, për të përdhunuar të vërtetën.
Edhe pa e lexuar librin që është  në shitje në Itali, duke u nisur nga përmbajtja dhe nga vështirësitë e autorëve për të nxjerrë të vërtetën, mund të nxirren, të paktën,  dy përfundime, të cilat shqiptarët mund t’i kuptojnë vetëtimthi. Së pari: se nuk ka komunizëm të mirë e komunizëm të keq. Komunizmi është një kolerë e kuqe, siç është shprehur në testamentin e tij Zef Mala.  Dhe kjo është e lidhur me vetë sistemin e mungesës totale të lirisë, me diferencimin klasor dhe me ekonominë e dështuar të centralizuar, që i bën njerëzit parazitë e hajdutë. Kryehajdutët në vendin tonë, që e kanë bërë Shqipërinë të shënohet me gisht, janë ata që instinktin e pasurimit të paligjshëm e kanë të injektuar nga një mendësi e prejardhur. Nuk njihet, në të gjitha eksperimentimet historike, një vend i vetëm ku komunizmi të ketë qenë njerëzor dhe i suksesshëm.
Së dyti: Komunizmi është sistemi i përdhunimit të së vërtetës dhe i manipulimeve nga më neveritëset. Historiografia shqiptare e kohës së diktaturës është një nga rastet skandaloze. Komunizmi është sistemi i hedhjes së gurit e i fshehjes së dorës. Megjithatë Toliati nuk ka mundur t’i bëjë atë të keqe Italisë, duke u bërë vasal i Moskës, nga ç’i ka bërë E. Hoxha Shqipërisë, në vasalitetin e tij ndaj Titos. Toliati akuzohet për flijimin e padrejtë të ushtarëve italianë, për të mos i prishur qejfin Stalinit. Kurse E. Hoxha e ngriti Stalinin në piedestal, ndonëse ky e përdori vendin tonë si plaçkë tregu, siç është vërtetuar, tashmë, historikisht.
Historia vonon, por nuk harron. Qoftë edhe kur komunistët janë të interesuar të fshehin të vërtetat.
Komunistët janë falsifikatorë. I tillë është edhe Rexhep Q. kur, për t’i dalë në krah Edvin R-së, hedh baltë mbi policinë e sotme shqiptare. Pavarësisht nga lavdet e faktorit ndërkombëtar, Qosja e krahason policinë tonë HH me policinë e Gadafit të Libisë! Por harrojnë, si njëri, ashtu dhe tjetri, se do të futemi se do të futemi në BE, jashtë vullnetit të tyre të kamufluar. Atëherë do të qëmtohet në mënyrë të frytshme se cilët janë shkaktarët e gjallërimit të mendësisë komuniste në vendin tonë, në kundërshtim me Rezolutën e KE-së së BE-së. Dhe komunizmit tonë, të stimuluar nga PS-ja = PPSH-ja, do t’i dalë boja përfundimisht. Do të qartësohet se kjo jona është e krahasueshme vetëm me PS-në e Mira Markoviçit, bashkëshortes së Sllobodan Millosheviçit. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›