E Shtunë, 31 Tetor 2026

A nuk e di Rama se ka perënduar koha e të drejtës së më të fortit?

01-06-2011 / Nga Luan Myftiu

“Ligji nxirret që i forti të mos bëjë si dëshiron” - Ovídi

Kur Shqipëría pret verdiktin e paanshëm të Kolegjit Zgjedhor, Rama deklaron se nuk njeh asnjë vendim, që s’i akordon atij mandatin e kryebashkiakut. Dhe këtë e thotë pa iu skuqur faqja, pa u merakosur që kështu barazohet me diktatorët, pa u shqetësuar për shëndetin e vet mendor. “Pushteti mbi gjithçka! - ka qenë deviza e të gjithë diktatorëve komunistë. E, megjithatë, Enver despoti përsërí u përpoq ta fshihte ambicien kriminale për pushtet të pamerituar prapa “vijës së masave”. Kurse Rama tenton të kapërcejë kufijtë e çdo grykësíe për pushtet. Sepse, aq shumë s’e përfill politikisht mazhorancën, aq keq është ndikuar nga mentaliteti i sundimit pa kundërshtarë i komunizmit, sa dhe alternativën e vet elektorale e ngriti mbi akuza fajësísh imagjinare ndaj mazhorancës.
“E drejta është e lartë, s’ka më lart asaj!” - thotë Muhameti. Kurse Rama qëndron më lart se e drejta, sado e shenjtë qoftë kjo. Prandaj fjalimet e tij patetike për shenjtërínë e votës dolën një demagogji banale. Mjerë ata që vazhdojnë t’i besojnë një njeriu, që, i çoroditur, sajon alibi për të shtytur afatin e humbjes së tij të pashmangshme. Si aventurier, a nuk dënoi Enver Hoxha mijëra njerëz vetëm mbi dyshime? Kur e drejta mund të qëndrojë edhe në krahun e pakicës, bolshevikët kanë njohur vetëm atë të shumicës. Prandaj Rama nuk pranon verdiktin e Kolegjit Zgjedhor, edhe pse ky do të ndjekë kërkesat e vetë Ramës për shenjtërímin e çdo vote! Po Rama duhet të ketë nxjerrë shumë mësíme nga filozofia e “dajakut”, me të cilën diktatura detyronte viktimat t’i sajonin vetë fajësítë e tyre të paqena. Mos kërkon ta kërcënojë Shqipërínë se do ta djegë, nëse kjo nuk detyron kundërshtarin e tij t’i dhurojë pushtet të pamerituar ?  Harron i “gjori” Ramë se koha e të drejtës së shumicës ka perënduar ! Se, i llastuar nga diktatura, aty ku Ramës nuk i shërben protesta, vë në veprim shpifjen dhe trillimin. Aty ku s’i pi ujë bllokimi, kërkon zgjedhje të parakohshme. Ndërsa, po dalloi që nuk ia beson njerí akuzat për manipulime, akuzon si tradhëtarë komisionerët e vet. Ndërkohë që etiketon parlamentin si neodiktaturë, Rama akuzon lidershipin e mazhorancës si “oborr hajdutësh”. Pa harruar të shpallë dezertorë deputetët e tij, që nuk pajtohen me bojkotin permanent. Se, ashtu si Enver skizofreni, Rama sheh kudo armiq. Kudo i shfaqen prishës të synimeve të tij të mbrapshta. Dhe, po nuk i gjeti dot “shkaktarë” destruktivitetit të tij, ka për të akuzuar edhe vetë elektoratin socialist, që, gjoja, po “shitet e blihet” nga kundërshtari. Të gjitha pretendimet e pabaza Ramës i burojnë nga e drejta e paarsyeshme e të më të fortit. Prandaj e quan veten fitimtar, kur ka humbur, sulmon institucionet e administrimit zgjedhor, kur këto bëjnë transparencë maksimale. Prandaj vë në dyshim këshillat konstruktive të miqve të Shqipërísë dhe nuk njeh sukseset e bujshme të mazhorancës. Se, vetëm mbi nihilizmin e turpshëm Rama ngre pretendimin për pushtet në tavolinë. Pra, edhe pse i flakur rishtas në opozitë, Rama dëshiron ta trajtojë vendin si të marrë peng prej tij. Ky “misionar” i synimeve meskine, që jo pa qëllim rrí jashtë parlamentit, nuk lejon deputetët e vet të kryejnë detyrimin ndaj zgjedhësve. Dhe kërkon të votohet “përtej së majtës e së djathtës”(!) I çekuilibruar nga humbjet spektakolare, ky “Prometé”, pasi deklaron që nuk është politikan, kërkon me protesta të egra të gjitha pushtetet. Ky properëndimor hipokrit po del më i rrezikshëm se një autoritar që çmon institucionet.
Rama është “liberali” despot, që tallet me ligjin, “Humanisti” modern, që nuk çmon as dinjitetin e sejmenëve. Ky anarkist i çakërdisur, që terrorizon edhe deputetët e vet më të bindur, akuzon haptas komisionerët e tij më të devotshëm. Për ambiciet e veta ky “reformator” i shoqërísë shqiptare mallkon Qiellin dhe Tokën! I kapur prej mafiozëve, tenton ta kompensojë nënshtrimin, duke u tundur gishtin te humda militantëve, që po i falin dhe dinjitetin e tyre. Nuk paska më të rrezikshëm se drejtuesit, që nuk i përkasin vetes! Të zhveshur nga vlerat, këta kapen si rrodhet pas pushtetit. Ndoshta prandaj besojnë se e drejta buron prej forcës, a mëshirës së tyre. Gjykojnë se vetëm ata gëzojnë privilegjin të mos çmojnë drejtësinë. Mos janë këta “qibárë”, që e vlerësojnë veten si mishërim të shtetit? Që kanë të drejtë t’i trajtojnë parimet universale si ca përralla për fëmíjë? Po! Po! Këta e barazpeshojnë autoritetin e tyre me arrogancën! Këtyre u duket natyrale t’i vërë kushte edhe Kolegjit Zgjedhor! Vetëm këta mund të shohin me dyshim këshillat e miqve të mëdhenj të Shqipërísë! Të akuzojnë egërsisht KQZ-në. Mos, vallë, prandaj i shndërroi Rama zgjedhjet lokale në politike, kurse programin elektoral-në paralajmërim konflikti social? Rama ka bërë shumë gabime, që i kanë kushtuar shtrenjtë partisë së tij, Shqipërísë, por dhe atij vetë ! Kungujt bosh - thotë Shekspiri - bëjnë më shumë zhurmë. I pushtuar nga filozofía e urrejtjes, Rama nuk e njeh gëzimin hyjnor të Drejtësisë njerëzore. Kundërshtimi është pjesë e qënies së tij. Rama i lumturohet aq shumë vetes, sa ka arritur të mos njohë rival. Sipas thënies së Senekës ai u përket njerëzve që “kanë një lumturí të zezë” dhe është nga ata që “e pinë vetë pjesën më të madhe të ligësisë së tyre!”. Por ai mund të futet edhe te fatkeqët, që s’e kuptojnë shkakun e mjerimit të tyre! Që i verbon ambicia e pakufishme për pushtet të pamerituar. Se, vetëm kush është i paaftë të bëjë vepra të mira, bindet se është i dobishëm duke bërë të këqija! Ndryshe, nuk ka si shpjegohet që Ramës t’i duken normale kërcënimet e tij, kur zgjedhjet e 8 Majin ishin për t’u lavdëruar me teprí!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›