Edicioni i tete i Giffoni Shqiperia
Pas rrugëtimit në Durrës dhe Shkodër, edicioni i tetë i “Giffoni Shqipëria” është mbyllur në Tiranë me një ceremoni të veçantë festimesh , ku fëmijët kanë shijuar fillimisht disa çaste muzikore , ku në qendër ishte muzika patriotike.
Drejtori i festivalit, Namik Ajazi bëri të ditur se çmimi special që mban emrin e regjisores së njohur për fëmijë “Xhanfise Kekos” i ka shkuar Elisabeta Kamberit
Në fjalën e saj, Kamberi e quajti një surprizë këtë çmim dhe iu drejtua të rinjve duke theksuar se ata janë me fat që sot kanë mundësinë të jenë kaq pranë kinemasë.
Ndërsa të rinjtë dhe fëmijët që kanë votuar në Durrës, Shkodër, Tiranë, përfshirë dhe jurinë ndërkombëtare, kanë zgjedhur si filmin më të mirë për gjeneratën + 13 filmin “Cool kids don’t cry”(Fëmijët e klasës së tetë nuk qajnë), një prodhim belgo-hollandez me regji të Dennis Bots. Nga 820 anëtarët jurie ky film ka marrë 700 vota. Protagoniste është Aki, një vajzë plot energji, e cili zbulon se vuan nga leuçemia.
Një film që u foli të rinjve se çdo çast i jetës duhet jetuar, edhe në situata të tilla. Gjenerata +16 votuan si filmin më të mirë “Lol”, një realizim amerikan i regjisores Lisa Azuelos që vë në qendër raportet e një Adoleshenteje, Lolës me të ëmën e saj, duke sjellë në fokus problematikat e marrëdhënieve mes brezave. Në muajin korrik, një grup të rinj shqiptar do të udhëtojnë për të qenë pjesë e jurisë ndërkombëtare të ‘Giffoni Film Festival” në Itali.