Edlira Gjoni: Më në fund Vlora ka shansin të votojë të djathtën e vërtetë
Edlira Gjoni: Nga media në politikë: Jo më konstatim, por veprim
Edlira Gjoni është emër mjaft i lakuar në botën e medias. Gazetare në profesion e me një eksperiencë të gjatë në punën me ndërkombëtarët, ajo ka qenë në mënyrë të vazhdueshme kritike e ashpër e politikës, si e mazhorancës, ashtu edhe e opozitës. Që prej datës së themelimit në 30 Prill 2012, ajo është pjesë e Frymës së Re Demokratike dhe kandidate për deputete në Qarkun e Vlorës për këtë parti. Në një intervistë për gazetën Tirana Observer ajo tregon pse kaloi në kampin e politikës dhe pse zgjodhi FRD-në.
Ju që nga themelimi i FRD-së jeni rreshtuar me këtë parti. Pse e ndërmorët këtë veprim? Pse me FRD-në, dhe jo me një parti tjetër?
Erdhi shumë natyrshëm vendimi për të qenë pjesë e Frymës së Re Demokratike. Prej vitesh e shihja me kujdes të veçantë prirjen e zhvillimeve politike në Shqipëri dhe shpesh më dukej se i ishim futur një rruge pa krye, teksa gjenerohej në mënyrë të vazhdueshme konflikt politik dhe po shndërroheshim të gjithë në konsumatorë të një klime të acaruar publiko-politike. Deri sa vura re me shumë kënaqësi që në kaosin e papërgjegjshmërisë politike dhe të shfaqjeve të ulëta që prodhoheshin me gjoja bojkotimet institucionale, kishte edhe politikanë jo vetëm të përgjegjshëm, por edhe stoikë të qëndrimeve të tyre kundër rrymës, duke ruajtur integritetin politik e madje duke vendosur me qetësinë më të admirueshme të mundshme standarde për sjelljen politike në vend. Sot këta njerëz drejtojnë Frymën e Re Demokratike dhe do ishte e pafalshme për mua të mos i bashkohesha karakteristikave dhe kauzave të tyre politike. Pse FRD-në dhe jo një parti tjetër? Sepse Edlira vjen nga një familje me lidhje të forta me pronën; sepse prindërit e mi besojnë tek progresi vetëm përmes përkushtimit personal e jo përfitimit në kurriz të të tjerëve; sepse e kam tolerancën zero ndaj abuzimeve me sistemin e drejtësisë; sepse në jetë respektoj standardet, integritetin dhe meritokracinë; sepse kam dobësi për anën sociale, por jam thellësisht aktive ndaj përkushtimit me çdo kusht në çdo sektor të jetës dhe sepse nuk e konceptoj dot përditshmërinë pa familjen time, të cilës i jap prioritet absolut. Të gjitha këto më bëjnë të djathtë, e do te ishte anatyrale të mendoja për kampin tjetër. Kurse brenda së djathtës, si çdo vlonjat tjetër, e mirëprita me shumë dëshirë FRD-në, sepse e shoh të vetmen dritë në fund të tunelit për habitatin që përmenda më sipër.
Duke qenë se ju vini nga fusha e medias, dhe duke qenë një nga zërat e saj më të ekuilibruar, madje mbushur me kritika për politikën, e patët të vështirë të rreshtoheshit në një parti politike?
Nuk mund të them që e pata të lehtë. Ka qenë një nga vendimet më të forta që më është dashur të marr deri tani. Jo për bindjet e mia, sepse u duk qartë që në fillim se me FRD-në kishte një përputhshmëri shumë natyrale. Por, vështirësia qëndronte në faktin e vendosjes së disa ekuilibrave të rinj në jetën time. Vihej në pikëpyetje pavarësia e mendimit tim, përkatësia politike, vërtetësia e kritikës që deri më 30 Prillin e 2012-ës e thoja pa u sprapsur për asnjë rast. Por, vura re se të gjitha këto kishin fushë të lirë veprimi edhe brenda Frymës së Re Demokratike, ndaj jo vetëm që nuk hezitova, por luftova që të gjithë ta provonin këtë liri që ndjen duke mbrojtur e folur për principet dhe idetë që prej kohësh vërtiten në kokën e çdo personi që punon në media: konstatim dhe shpërndarje. Kaq mund të ishte maksimumi. Kurse përmes një force politike të krijohet mundësia që edhe të flasësh e të mbrosh në mënyrë institucionale idetë dhe iniciativat e tua.
Pse njerëzit duhet të votojnë FRD-në? Çfarë ka kjo forcë politike më tepër se sa PD dhe PS?
Emri flet vetë. FRD sjellë një frymë të re në politikën shqiptare. Një mënyrë të re të të bërit politikë, jashtë sharjeve të rëndomta e retorikës së ditës. FRD ka sjellë standarde të reja në jetën politike e publike, e po imponohet me qytetarinë e saj edhe në perceptimin publik, që tanimë nuk do më ti bërtasësh në fytyrë, por kërkon dialog, përfshirje e pjesëmarrje të prekshme në politikë-bërje. FRD përcjell qetësi e pozitivitet në mënyrë shumë natyrale. Ka dinamizëm, energji pozitive dhe cilësi në politikën dhe sjelljen e FRD-së. Cili shqiptar nuk ka nevojë për këto? Është fllad i ri FRD, që fryn në ngushticën e sharjeve PDPS. Ndaj edhe pëlqehet dhe shihet si era e ndryshimit që vetëm kur të prek, e kupton sa shumë ia ke pasur nevojën.
Ju jeni kandidate për deputete e FRD-së në qarkun e Vlorës. Cilat janë prioritetet e FRD-së për këtë qark? Dhe pse PS dhe PD, sipas jush nuk e kanë bërë aq sa duhet për këtë qark?
PD e ka harruar Vlorën dhe Vlora akoma e ndëshkon PD-në që nga viti 1997. E bën këtë në mënyrë sistematike dhe e kuptoj mjaft mirë votën e bashkëqytetarëve të mi. Vlora ka përqindjen më të ulët të pjesëmarrjes në votime në rang vendi dhe kjo nuk është rastësore. Ka qenë më 37% pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe ata që nuk dalin të votojnë, janë të djathtët e Vlorës. Deri tani. Se me ardhjen e FRD-së në këto zgjedhje, edhe votuesit vlonjatë e kanë më në fund alternativën e zgjedhjes. E djathta ka përfaqësuesen e saj të denjë, që Vlorës do ti kthejë pamjen që i takon, bazuar në nevojën e saj për të qenë mbretëresha e turizmit, por edhe e zhvillimit cilësor të qytetit, infrastrukturës dhe rehabilitimit të natyrës së tij të tjetërsuar. PD nuk ka shanse ta provojë këtë, sepse do të vijojë të ndëshkohet për vitin e saj të mbrapshtë me vlonjatët në 1997. Kurse PS ka 11 vjet që e shkatërron plot sukses qytetin që të gjithë e duan e askush nuk e njeh më nga deformimi që ka pësuar. PS ka fituar lehtë në Vlorë thjesht sepse nuk ka pasur kundërshtar politik në qytetin anti-Berishë. Por, edhe shëtitje në park që ti çosh një listë të majtë fyese me deputetë të importuar, a thua se Vlora mbaroi për vlonjatë të denjë, nuk mund të jetë për PS-në. Vlora e ka të hidhur inatin. Ndaj besoj se këtë radhë, të dyja partitë e vjetra do të përballen me shijen e hidhur që të përplas në fytyrë vota vlonjate, kur nuk i respektohet ekzistenca e saj. Për më tepër, FRD ka vendosur në krye të listës një njeri shumë të nderuar të librave e të letrave, e jo biznesmenë e ndërtues pallatesh që betonizojnë qytetin, siç kanë bërë të dy partitë e vjetra.
Ju nuk keni bërë koalicion me asnjë parti, duke dalë të vetëm në zgjedhje. Po pas zgjedhjeve të 23 qershorit a do të bëjë FRD koalicion qeveritar me partinë fituese?
FRD nuk ka bërë koalicion sepse asnjë prej partive politike në Shqipëri nuk kishte synim të përbashkët me tonin për ti dhënë fund tranzicionit. Ndaj, nuk mund të bëheshim palë me forca politike që janë të interesuara për qëndrimin në vend numëro të Shqipërisë. FRD do të jetë parti me rol kyç për parlamentin e ardhshëm dhe si e tillë, dyert e vetme që do kërkojë të hapë, do të jenë ato që i shërbejnë qytetarit shqiptar, e jo interesave të partive vjetarake e pa asnjë mundësi reale të sjellin ndryshim, kur në thelb, kanë ngelur të njëjta.
Intervistoi: Altin Sinani