Edmond Doko: Të investojmë për premiera jetëgjata
Dirigjenti u vu në drejtimin e Carmina Burana, në rikthimin e veprës pas katër vitesh në TKOB. Një vepër që kërkon pjekuri nga të gjithë, është një vepër komplekse. Ndërkohë pjesëmarrja e trupës së baletit, i dha dimensione të reja, të cilat e shndërruan atë në një vepër të plotë skenike, paçka se në zanafillë ajo është një vepër vokal-simfonike
Pas katër vitesh, Carmina Burana është rikthyer në skenën e Teatrit të Operës. A ka kaluar mjaftueshëm kohë për të sjellë një këndvështrim tjetër mbi këtë vepër të njohur artistike?
Po, ka një këndvështrim të ri, dhe kjo është e natyrshme se lidhet drejtpërdrejt me eksperiencën e pjekurinë artistike të fituar këto katër vite. Dhe kjo jo vetëm për mua si dirigjent, por për të gjithë trupën. Carmina Burana është vepër që kërkon pjekuri nga të gjithë, është një vepër komplekse. Ndërkohë pjesëmarrja e trupës së baletit, i dha dimensione të reja, të cilat e shndërruan atë në një vepër të plotë skenike, paçka se në zanafillë ajo është një vepër vokal-simfonike. Një pjesë e mirë e protagonistëve të kësaj rivënie kanë qenë pjesë e interpretimit edhe të para katër viteve. Ishte e natyrshme që në këtë rivënie të reflektohej nivel më i lartë. Ne bëmë kujdes që nga pikëpamja e rivënies skenike të kishte elemente të reja që e rifreskuan konsiderueshëm veprën: p.sh. debutimi i suksesshëm i këngëtarëve të rinj, Blerta Zhegu dhe Safet Berisha, dyfishimi i korit të TOB-it, si dhe e korit të ri të fëmijëve. Risitë, por sidomos pjekuria interpretative, pretendimet artistike, bënë që vepra të përcillej me interes dhe thjesht për shkaqe programimi shfaqja ndaloi ditën e diel. Sidoqoftë ajo mbetet vepër e repertorit aktiv në teatrin tonë.
Duke qenë një vepër popullore, sa dorë të jep kjo pjesë si dirigjent, por edhe orkestrës, korit etj., për një komunikim ndryshe me publikun?
Carmina Burana është një vepër shumë popullore në të gjithë botën, pavarësisht nga premiera e saj e keqkuptuar e vitit 1936 në Gjermaninë naziste. Mesazhet e saj nuk kanë të bëjnë me fate sistemesh politike, perandorish, kryeministrash, kancelarësh, diktatorësh apo diktaturash, por me fatet njerëzore. Vepra është e pasur me skena jete të natyrave lirike, dramatike, mistike, erotike etj. Kaq e njohur është kjo vepër, sa shumë fragmente të saj janë përdorur shpesh në dhjetëra e dhjetëra filma, dokumentarë, koncerte, teatër etj. Perceptohet lehtë nga publiku, por nga ana tjetër, është e vështirë për tu interpretuar, sepse është shkruar me një gjuhë muzikore jo stereotipe, shumë e pasur sidomos në ritme, të cilat janë të pasura e zhdërvjellëta, me motive melodike disi të thjeshta në dëgjim, por të vendosura në instrumentacion e harmonizim me shumë efekte. Muzika me mjetet që më lart nënvizova, përshkruan mjeshtërisht skenat diversive dhe lehtëson përcjelljen e mesazheve që teksti poetik i veprës mbart. Të gjitha këto elemente e bëjnë veprën mjaft popullore.
Premiera e 2008-s dhe rivënia e tanishme janë kontakti i parë me veprën për ju?
Për të qenë i saktë, kontaktet me fragmente të veprës, siç janë disa nga koralet e famshme të saj, i kam pasur në koncerte të ndryshme, si dhe me veprën e plotë, në premierën e saj para katër vitesh në TKOB. Rivënia e suksesshme që sapo realizuam natyrshëm, ka qenë më e arrirë. Ndiej që në përpjekjen time për të familjarizuar veprën me artistët solistë, me orkestrën, baletin apo korin, kam pasur sigurisht mirëkuptimin e bashkëpunimin e tyre. Suksesin e ndaj me ta dhe me këtë rast, i falënderoj përzemërsisht.
Ka pasur shumë diskutime që vënia në skenë e veprave të ndryshme është bazuar kryesisht në pjesëmarrjen e artistëve të huaj. A mos ky fenomen po rrezikon afrimin e artistëve tanë apo dhe vetë repertorin e TOB? Sa real është ky problem?
Është normale të qarkullojnë artistë, vepra e vlera artistike, pavarësisht nacionalitetit të tyre. Muzika është një gjuhë universale. Këtu nuk ka arsye të paktën për xhelozime. Sidoqoftë ka pasur raste kur tituj veprash janë vënë në skenë me pjesëmarrje të tepruar artistësh të huaj. Në këto kushte, rivënia e këtyre titujve do të ishte sipërmarrje e vështirë apo do të kërkonte buxhete që zakonisht kërkojnë premierat. Mendoj që veprat premierë, për të cilat investohen energji krijuese të konsiderueshme, si dhe një buxhet i tërë, të paramendohen jetëgjata si produksione muzikore, skenike dhe të arrira njëkohësisht. Pasurimi i repertorit të qëndrueshëm është çështje e rëndësisë së madhe për një teatër, se ka të bëjë me vetë jetëgjatësinë e tij, si dhe me marrëdhëniet e ngushta me publikun e gjeneratave të ndryshme. Sidoqoftë, për këtë çështje debati mbetet i hapur. Në lidhje me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë apo të huaj, mirë është të ketë raporte të drejta, por gjithmonë duke pasur parasysh si kriter bazë nivelin e lartë të performancës së gjithsecilit artist, pavarësisht nacionalitetit. Jo rrallë artistë të huaj nuk kanë nderuar veten, vendin e tyre, por dhe produksionet që TKOB ka realizuar. Ka ndodhur të kenë qenë të niveleve periferike, të rinj që kërkojnë të pasurojnë repertorin e karrierën e besoj dhe të lirë në pretendime financiare. Ka ndodhur që produksione të ndryshme, mbase për pamjaftueshmëri buxhetesh, kanë lënë për të dëshiruar apo janë dukur si produksione skenike të marra borxh. Rivënia e këtyre titujve, sigurisht do të kërkonte jo vetëm energji të reja krijuese, por sidomos buxhete të reja, që në këto kohëra sështë e lehtë për tu gjetur.
Viti i 100-vjetorit të Pavarësisë është thënë që do të ketë një program të veçantë edhe në opera…
Është një pyetje për drejtorin, sidomos për atë artistik, mbase edhe për bordin!? Unë jam dirigjent i TKOB-it. Sidoqoftë në dijeninë time ka një program, p.sh. më datë 30 të këtij muaji, do të realizohet një koncert me fragmentet më të bukura të literaturës operistike dhe baletit kombëtar e në vazhdim do të realizohet rivënia e operës Skënderbeu e kompozitorit Preng Jakova.
Cili do të jetë angazhimi i radhës?
Do të drejtoj koncertin e datës 30 maj që përmenda më lart. Gjithashtu jam në kontakte për riprogramimin e dy koncerteve në Kirksville, USA, i ftuar nga Departamenti i Muzikës i Truman University, si dhe në pritje të kartelonit të TKOB në vazhdim, që është duke u përpunuar nga drejtoria e përgjithshme në bashkëpunim me drejtorin artistik dhe bordin e TKOB.
Edmond Doko: Të investojmë për premiera jetëgjata burimi: Gazeta Shqip
