Përmes artit, bëjnë thirrje për drejtësi në rastin “Kiçina”

Mervar Mustafa, student i Fakultetit të Arteve të Kosovës, ka thënë se ekspozita është organizuar në shenjë pakënaqësie për padrejtësinë që po u bëhet luftëtarëve të lirisë në rastin e njohur si “Kiçina”.
“Këshilli Studentor i Fakultetit të Arteve në bashkëpunim me Alternativën Studentore ka marrë iniciativën që sot të bëjmë një performancë artistike e tillë ku nëpërmes kësaj performance ta shprehim pakënaqësinë e institucioneve tona të drejtësisë në lidhje me rastin “Kiçina”. Neve si të rinj na preokupon dhe si gjeneratë e re na preokupon një gjë e tillë, sepse edhe neve në të ardhëm mund të na bëhet një shkelje e tillë dhe një pafajësi e tillë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se ky aktivitet i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese që ta dëshmojë pafajësinë e luftëtarëve në rastin “Kiçina”. Ai po ashtu shtoi se ky aktivitet do të jetë edhe në të ardhëm, ku do të organizohen ekspozita të tjera edhe nëpër institucione të tjera të vendit.
Ndërsa, prodekani i Fakultetit të Arteve, Hajrush Fazliu, ka thënë se ekspozita është organizuar nga studentët e këtij fakulteti. Ai ka shtuar se qëllimi i kësaj ekspozite është që përmes artit t’i parandalojmë dukuritë negative në shoqëri, e njëkohësisht për të bërë thirrje edhe për drejtësi në rastin “Kiçina”.
Prandaj, përmes artit dëshirojmë që të themi edhe njëherë stop dhunës, stop atyre dukurive negative në shoqëri, por edhe njëherit, sidomos në rastin që është aktual ngremë zërin e arsyes për lirimin e vëllezërve tanë, të cilët janë meritorë për këtë liri dhe demokraci që jetojnë vetë studentët tanë apo edhe vetë ne”, ka thënë ai.
Kjo nuk është hera e parë që studentët ngrehin zërin e tyre të protestës lidhur me rastin në fjalë./kosovapress/