Dasma turko-shqiptare
Ata që dëshirojnë të shohin se si duket një dasmë ballkanike duhet medoemos ta vizitojnë Teatrin Kombëtar të Kosovës, pasi që trupa e Baletit të Kosovës sjell në këtë teatër një shfaqje të re të baletit.
Baleti ‘Dasma’, me koreografi të koreografit te njohur nga Turqia Mehmet Balkan, që do të shfaqet sonte (e premte) në ora 20:00 në TKK, është një balet që mundohet të nxjerrë në pah popujt e Ballkanit dhe shtjellon dashurinë dhe vështirësitë e shumta të dy të rinjve që pas përfundimit të luftës së dy popujve mbetën të ndarë. Kjo vepër e baletit do të bartë në skenë njerëzit ballkanas, të cilët para syve të botës kanë vuajtur shumë. Ana tjetër interesante e veprës është se në aktin e dasmës këngët që do të këndohen do të interpretohen live. Kjo është një botë ku kufijtë nuk janë prej zjarri dhe shpirtrat nuk digjen me vuajtje, ku kërcimi dhe hareja e muzikës e simbolizojnë Ballkanin.
Në konferencën për media, që u mbajt të enjten në TK, Ahmet Brahimaj, drejtor i Trupës së Baletit të Kosovës, tha se është i kënaqur si me koreografi, ashtu edhe me kostumografi dhe me muzikë. Për koreografin turk Mehmet Balkan, Brahimaj tha se ai është një nga emrat më të njohur të koreografisë botërore. Përpos koreografit, edhe asistentja e tij si dhe kostumografi vijnë nga Turqia.
Brahimaj shtoi se me këtë balet është bërë një punë e madhe.
“Është punuar në një kohë njëmujore. E gjithë trupa e baletit është e angazhuar. Marrin pjesë mbi tridhjetë balerinë. Është bërë një punë shumë e madhe”, tha Brahimaj.
Ai theksoi se shfaqjen ia ka përshtatë mentalitetit tonë.
“Meqenëse Mehmeti është këtu për herë të dytë, ai e njeh mentalitetin tonë”, tha Brahimaj.
Ndërkaq, koreografi Mehmet Balkan, pasi e falënderoi drejtorin e Baletit të Kosovës që e ka ftuar për herë të dytë, tha se është një kënaqësi e madhe të kthehet me një krijim të ri në Baletin Kombëtar të Kosovës.
“Arsyeja pse e kam përzgjedhur këtë pjesë është se ky tregim është gjithmonë aktual që nga Adami dhe Eva e deri më tani, lufta aktualisht është ende jeta jonë. Ishte një rrëfim prekës kur e lexova librin para më shumë se 15 vjetësh. Gjatë luftës, një burrë dhe një grua kishin rënë në dashuri me njëri tjetrin, por nuk ishin në të njëjtën anë. Fillimi është goxha dramatik, mirëpo dashuria dominon mbi luftën, mbi gjithçka. Është një fund i lumtur. Dy të dashuruarit martohen”, tha Balkan.
Ai tha se ka parë arritje të mëdha në Baletin e Kosovës që kur ka qenë herën e parë.
“Kur kam ardhur herën e parë, kompania ka qenë shumë më e vogël dhe shoh shumë fytyra të reja gjë që më jep shpresë për të ardhmen e baletit në Kosovë”, tha ai.
Balkan për këtë balet ka shfrytëzuar muzikë tradicionale turke, greke dhe shqiptare. Ai tha se ka një rreth të madh familjar nga Maqedonia deri në Greqi dhe është rritur me muzikë ballkanike dhe kësisoj për të nuk ishte diçka e re.
Ndërsa balerina Vjollca Llugiqi theksoi se këtë herë ka qenë pak më e lehtë për arsye se po bashkëpunojnë për herë të dytë me këtë koreograf. Ajo e falënderoi koreografin për besimin që ia ka dhënë për këtë rol.
“Është një rol mjaft i mirë, mjaft kompleks dhe mjaft emocional”, tha ajo.
Në anën tjetër, balerini Sinan Kajtazi shtoi se të punosh me koreograf të kalibrit të Mehmetit është nder për çdo trupë të botës.
“Eksperienca dhe emri i tij bashkë me ekipin ka një domethënie të madhe për ne”, tha Kajtazi.
Ai tha se beson se shfaqja do t’i pëlqejë publikut.