E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edmond Kapllani kërkon të hakmerret kundër Augsburgut

Bundesliga 2 Sulmuesi i Koblencit synon t’i shënojë skuadrës që ka kartonin e tij

Zakonisht hakmarrja është një pjatë që konsumohet e ftohtë, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Edmond Kapllanin. Vetëm një muaj pasi është larguar nga Augsburgu, për të luajtur në formë huazimi te Tus Koblenci, sulmuesi shqiptar kërkon të ndëshkojë skuadrën që ka në pronësi kartonin e tij. Sot në orën 13:00, në stadiumin “Oberuerth”, Koblenci do të presë skuadrën që pretendon të ngjitet në Bundesligë. Një përballje të cilën 27-vjeçari kuqezi kërkon ta shfrytëzojë për t’u hakmarrë ndaj klubit që e cilësonte si alternativë të gjashtë për repartin ofensiv. Të paktë janë ata që besojnë se Koblenci mund të fitojë: vendasit luftojnë për mbijetesë, ndërsa Augsburgu nuk e njeh humbjen prej shtatë ndeshjeve radhazi. Megjithatë, Kapllani shprehet optimist. Kjo edhe për faktin se ai i njeh mirë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarëve, me të cilët ka luajtur deri në merkaton e dimrit. Për më tepër, durrsaku duket se është rikthyer në formën e tij më të mirë dhe tashmë po gjen vazhdimësinë përpara portës, duke shënuar dy gola në gjashtë ndeshje. “Jam i kënaqur me ecurinë e tanishme. Për rastet që më janë krijuar, mendoj se jam paraqitur mirë”, deklaroi Kapllani. “Objektivi ynë kryesor është që ta fitojmë edhe këtë ndeshje të radhës, për të shpresuar deri në fund që të mos biem nga kategoria. Augsburgu është skuadra e momentit në Bundesligën 2, por edhe ata kanë pika të dobëta. Nëse arrijmë të mos pësojmë gol, ndoshta më pas do të jemi në gjendje që të përfitojmë nga gabimet e mbrojtësve kundërshtarë. Duhet të jemi të përgatitur që t’i shfrytëzojmë mundësitë që do të na krijohen dhe të shënojmë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›