Shënon 4 gola në miqësore, Granoke ul Bogdanin në stol
Erjon Bogdani po humbet gjithmonë e më shumë terren në duelin me Pablo Granoken, për një fanellë titullari te Kievo. Sulmuesi shqiptar u aktivizua si titullar në miqësoren e zhvilluar kundër amatorëve gjermanë të Falkes, por loja e tij nuk ishte në nivelin e pretenduar. Në mënyrë surprizë, skuadra modeste e mbylli pjesën e parë të takimit në avantazhin e dy golave, por gjithçka ka ndryshuar në fraksionin e dytë, kur në fushën e lojës është futur Granoke. Sulmuesi uruguaian ka realizuar katër gola, duke i dërguar një mesazh të fortë trajnerit Mimo Di Karlo përpara sfidës së të dielës në “Bentegodi” me Kaljarin. Pas kësaj paraqitjeje, Granoke bëhet kandidati kryesor për të luajtur përkrah kapitenit Pelisier në sulm, ndërsa Bogdani pritet ta nisë ndeshjen nga stoli.
#