E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mërgim Mavraj refuzon Kombëtaren

23-vjeçari njofton FSHF-në se do të vazhdojë të presë një ftesë nga Gjermania, edhe pse menaxheri ishte shprehur kundër vendimit Mbrojtësi nuk do të luajë me Shqipërinë, tallja e tretë me fanellën kuqezi

Mërgim Mavraj nuk do të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare. Mbrojtësi kosovar, që militon me Bokumin në Bundesligën gjermane, pritej të debutonte me skuadrën e drejtuar nga Josip Kuzhe në miqësoren e 3 marsit kundër Irlandës së Veriut. Por, kjo nuk do të ndodhë. 23-vjeçari nuk preferon të luajë me Shqipërinë, pasi vazhdon të shpresojë se në të ardhmen do të luajë me përfaqësuesen gjermane të drejtuar nga Joakim Lëv. Vetëm pak orë më parë, Mavraj telefonoi në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit për të konfirmuar vendimin që kishte marrë. “Nuk do të vij për të përfaqësuar Shqipërinë. Matias Samer, drejtori teknik i Federatës Gjermane (DFB), telefonoi në klubin tim për të më thënë që të pres deri në përfundim të Botërorit 2010. Pas këtij aktiviteti unë do të përfshihem në planet e Kombëtares gjermane”, ishin fjalët që zyrtarët e FSHF-së dëgjuan nga krahu tjetër i receptorit. Lojtari e kishte bërë zgjedhjen, pavarësisht se menaxheri i tij e ka kundërshtuar fort. Përfaqësuesi këmbëngulte se Mavraj duhej të luante me Shqipërinë, madje i ka telefonuar edhe trajnerit Kuzhe, për ta falënderuar për grumbullimin në përfaqësuese.

Vendimi i Mërgim Mavrajt natyrshëm ka lënë një shije të hidhur jo vetëm te drejtuesit e federatës, por edhe te trajneri kroat. Kuzhe kishte udhëtuar personalisht drejt Gjermanisë dhe pas ndeshjes Hanover-Bokum, kishte shfrytëzuar rastin që të takohej me mbrojtësin. Pas një bisede të shkurtër, lojtari kishte dhënë siguri se do të luante për ngjyrat kuqezi. Fjalët e tij nuk i kishin lënë asnjë dyshim teknikut, i cili nuk u mendua dy herë për ta thirrur në Kombëtare. Por, u përsërit i njëjti skenar si më parë: 23-vjeçari pret momentin e fundit për të deklaruar se nuk do ta përfaqësojë Shqipërinë. Më parë e njëjta gjë kishte ndodhur edhe kur skuadra drejtohej nga Oto Bariç dhe Ari Han. Si një fëmijë i llastuar, pa respekt për askënd dhe asgjë, e ndoshta duke përfituar edhe nga fakti që FSHF e kërkonte me forcë, Mavraj ka thënë sërish “jo”. Kjo ishte tallja e tretë me Kombëtaren, me fanellën dhe me të gjithë tifozët shqiptarë. Sa herë që Shqipëria zbret në “Qemal Stafa” (por edhe në stadiumet e ndryshme europiane), togfjalëshi “O sa mirë me qenë shqiptar!” është shndërruar në kartëvizitën e mbështetësve kuqezi. Një identifikim dhe një krenari për të gjithë ata që vijnë nga Kosova e Maqedonia deri në Tiranë, për të mbështetur skuadrën. Por, në rastin e Mavrajt gjithçka ndryshon. Kënga e dedikuar për të duhet të jetë: “O sa turp me qenë Mërgim Mavraj!”. Një tallje të tillë Shqipëria nuk e meriton.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›