E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvin Murati: Jam i zhgënjyer!

Mesfushori shqiptar, Edvin Murati, është zhgënjyer me mosthirrjen e tij në kombëtare për ndeshjet e rradhës me Slloveninë e Bullgarinë. Megjithëse ka qenë me veshët nga Tirana, për ftesën e trajnerit Baric, ai tashmë po përjeton një moment aspak të këndshëm. "Jam shumë i trishtuar që nuk jam pjesë e skuadrës kombëtare për dy ndeshjet e rradhës me Slloveninë dhe Bullgarinë. Nuk e prisja një surprizë të tillë kaq negative, e cila në të vërtet më ka bërë të ndihem shumë keq. Kam bërë sakrifica të mëdha për të qenë gati në të tilla sfida, por me sa duket të gjitha u hodhën poshtë me një të rënë të lapsit".
Edvin, dje morët vesh se nuk do të përfshiheshit në rradhët e kombëtares për ndeshjen me Slloveninë dhe Bullgarinë. Cila është arsyeja sipas drejtuesve të skuadrës?
Pata një bisedë me një nga pjestarët e stafit teknik dje dhe më informoi se kishin menduar të mos më përfshinin në skuadër për dy ndeshjet e ardhshme. Arsyeja, sipas tyre, është mosnjohja e formës time, pas dëmtimit që kam kaluar në fytyrë. Me sa duket, nuk e kanë ditur që jam në gjendje mjaft të mirë dhe mund të jem pa problem në skuadër, duke dhënë maksimumin tim. Kam kohë që stërvitem dhe kam qenë pjesë e skuadrës në tri ndeshjet e fundit.
Si e pritët një lajm të tillë?
Sigurisht që, një gjë e tillë më tronditi shumë, pasi kam qenë gjatë gjithë kohës me sytë dhe veshët nga Tirana, në pritje të një ftese të tillë. Kam bërë maksimumin për të qenë pjesë e kombëtares, për të cilën gjithnjë kam dhënë maksimumin dhe jam gati ta bëj përsëri.
Të vazhdojmë me argumentin e bisedës që kishit me pjesëtarin e stafit teknik të kuqezinjve. Cili mendon se është zëvendësuesi juaj në mesfushë?
Për mua nuk ka rëndësi se cili është, edhe pse e mora vesh një gjë të tillë. E rëndësishme është që unë jam ende në gjendje të jap për fanellën kuqezi dhe t'i shërbej skuadrës kombëtare.
Ndoshta ai është një futbollist i ri që ende nuk ka dhënë prova për t'ju zëvendësuar, ju që keni një eksperiencë mjaft të madhe. Këtë doni të thoni?
Problemi nuk qëndron te provat që unë kam dhënë, por te mundësia që ende kam për të bërë më të mirën. Ai lojtar është e vërtetë që është i ri dhe pa eksperiencën e duhur, por unë nuk kam gjë kundër tij. Unë jam ndër ata që e kam mbështetur afrimin e të rinjve, madje jam gati të lëshoj vendin tim në sezonin e ardhshëm në kombëtare.
Pra, mendoni të tërhiqeni përfundimisht nga kuqezinjtë?
Ndoshta vitin tjetër. Me keqardhje më duhet ta bëj këtë, por besoj se do të jetë momenti i duhur. Dua të largohem me dinjitet, por jo në këtë mënyrë. Kam shumë shpresa se drejtuesit e kombëtares do të më thërrasin përsëri, sepse janë të bindur se mund të jap për të.
Mesazhi juaj për ndeshjet me Slloveninë e Bullgarinë?
Uroj të jenë sa më të sukseshme në mënyrë që të gjithë shqiptarët, kudo që janë, të përjetojnë emocione të vecanta. Unë e di mirë se cdo të thotë fitore dhe për këtë do ta dëshiroja shumë atë në të dyja ndeshjet. Le të shpresojmë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›