E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulejman Demollari: Kombëtarja ka nevojë për rinovim

Rinovimi i kombëtares shqiptare është kthyer në temën e ditës në ambjentet futbollistike dhe tashmë që po afrojnë edhe dy ndeshjet e radhës së eliminatoreve të Kampionatit Europian 2008 të gjithë presin me padurim për të parë skuadrën e re të trajnerit Oto Baric, i cili ka deklaruar vetë se në pranverë kuqezinjtë do të kenë "look" të ri.
Takimi i fundit i përfaqësueses shqiptare, ai kundër Maqedonisë më 7 shkurt, i cili përfundoi me fitoren minimale 1-0 të miqve tregoi më së miri se rinovimi i kombëtares duhet të ndodhë sa më shpejt pasi u pa qartë forca e "gardës së vjetër" që hodhi në fushë tekniku kroat. Për futjen e elementëve të rinj në në ekipin përfaqësues janë shprehur shumë specialistë futbolli dhe njerëz të lidhur ngushtë me lojën magjike.
Një prej tyre është edhe ish-trajneri i kuqezinjve dhe ish-lojtar i Dinamos, Sulejman Demollari, i cili deklaron se rinovimi i kuqezinjve duhet të ndodhë dhe kjo gjë vihet re qartë nga rezultatet e dobta që ka arritur ekipi aktual në këto tre ndeshjet e para eliminatore pa përmendur ato miqësore.
I pyetur se si e shikon ecurinë e përfaqësueses tonë deri më tanë në këto eliminatore, ish-tekniku kuqezi shprehet: "Përsa i përket ecurisë së kombëtares shqiptare në këto elimintore mund të them se rezultatet që janë arritur deri më tani nuk janë të kënaqshme duke pasur parasysh që në tre ndeshje është siguruar vetëm një pikë. Gjithsesi mendoj se nuk mund të pretendojmë që ne të arrijmë të kualifikohemi direkt në kompeticione të rëndësishme sic është Kampionati Europian apo ai Botëror, por duhet që të jemi më realistë dhe t'i shikojmë gjërat ashtu sic janë dhe jo me entuziazmin e fillimit që më pas bie gradualisht deri sa në fund themi, ‘ikën edhe këto eliminatore, të mendojmë për të ardhshmet'" deklaron ish-tekniku kuqezi, Demollari, i cili ka dhënë një kontribut të madh edhe në fushën e blertë me fanellën e kombëtares.
Më pas ai vazhdon duke deklaruar se është kohë e humbur që thuhet se do të kualifikohemi në këto apo ato eliminatore, sipas tij duhet që ekipi përfaqësues i Shqipërisë të rinovohet sa më shpejt dhe më pas të mendohet për të ardhmen. "Unë jam që ekipi kuqezi të rinovohet pasi kjo është një gjë e domosdoshme që duhet të ndodhë sa më shpejt. Objektivat që thuhet se do të kualifikohemi në kompeticionin e ardhshëm për mua janë të paarritshme. Duhet që kuqezinjtë të rinovohen dhe më pas të mendohet seriozisht për të ardhmen aq më tepër që elementët nuk mungojnë" shprehet ish-trajneri i përfaqësueses Demollari. I pyetur se si e shikon ai punën e teknikut Baric në krye të kuqezinjve, ish-tekniku u shpreh qartë se atë e tregojnë më së miri rezultatet që ka arritur ekipi deri më sot.
"Punën e një trajneri e tregojnë rezultatet dhe e njëjta gjë është edhe për teknikun e kombëtares, Baric. Shihni rezultatet që kanë arritur kuqezinjtë dhe më pas gjykoni vetë. Unë, personalisht mund të them se nuk jam i kënaqur me punën që është bërë deri më sot dhe me atë që po bëhet" përfundoi prononcimin e tij ish-tekniku i kombëtares, Sulejman Demollari.
Besar Bozgo

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›