Edvini i kthehet bojkotit, i trembet të kaluarës, por edhe të ardhmes
Rikthimi për diskutim i Kodit Zgjedhor ka detyruar Edvinin t’u kthehet pozicioneve antidemokratike të bojkotimit të parlamentit, në mënyrë që të bllokohet miratimi i ligjit të ri për spastrimin e politikës nga bashkëpunëtorët e enverizmit. Bojkoti synon edhe ndaljen e negociatave me LSI-në, çka do të komprometonte edhe rezultatin elektoral të PS-së, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare
TIRANE – Partia Socialiste, e vendosur në qëndrimin e saj, për të mos hyrë në dialog me Lëvizjen Socialiste për Integrim, për gjetjen e një zgjidhje për përfaqësimin në KQZ, ka radikalizuar dje sjelljen e saj, duke shpallur bojkotin e parlamentit. Ndërsa justifikimi për këtë bojkot, është votimi i Kodit të ri Zgjedhor pas kthimit nga Presidenti, vetëm pak ditë më parë, pikërisht të martën, përfaqësuesit e PS-së në Komisionin e Reformës Zgjedhore, kishin rëndë dakord që t’u lihej 8 javë kohë, ekspertëve, për të shqyrtuar e gjetur zgjidhjen për propozimet e Presidentit, për Kodin e ri Zgjedhor.
Përkundër këtij qëndrimi, të jo më larg se ditës së martë, dje deputetët e PS-së kanë ndryshuar kursin, duke harruar afatin që ju kishin lënë ekspertëve, ndërsa kushtëzuan vijueshmërinë normale të punimeve të Parlamentit, me miratimin sa më shpejt të Kodit të ri Zgjedhor.
Komisioni i Reformës u kishte lënë afat ekspertëve
Komisioni për Reformën Zgjedhore, i mbledhur pak ditë më parë me përfaqësinë e deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës, ka shqyrtuar se çfarë do të rishikohet në nenet e kthyera nga Presidenti i Republikës. Deputeti i PD-së dhe njëkohësisht, anëtari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Eris Hoxha ka shpjeguar dje se “në mbledhjen e parë që Komisioni i Reformës Zgjedhore zhvilloi për të shqyrtuar dekretin e Presidentit, u ra dakord nga deputetët e mazhorancës dhe të opozitës që ti lihen 8 javë afat komisionit për të dalë më pas përfundimet përkatëse”. Deputeti Hoxha ka sqaruar më tej se “deputetët socialistë, anëtarë të këtij komisioni, kanë rënë dakord gjatë mbledhjes dhe nuk ka pasur asnjë kontestim apo kusht të vendosur nga ata lidhur me këtë çështje”.
Rënien dakord për lënien kohë të ekspertëve, e konfirmoi pas mbledhjes së ditës së martë edhe bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafaj. “Komisioni bëri mbledhjen e tij të parë dhe më duhet t’u informoj, se në mbledhje iu ngarkua grupit të ekspertëve të bëjë amendamentin përkatës si dhe relacionin shoqërues që do t’i paraqitet Komisionit dhe do ta shqyrtojë komisioni në mbledhjen e tij më të parë të mundshme dhe do ti kalojë pastaj për miratim seancës”, deklaronte Xhafaj pas mbledhjes së ditës së martë.
Pas kësaj deklarate të bashkëkryetari socialist Fatmir Xhafaj, ku i vetmi merak, ishte sulmi ndaj Presidentit, ndërsa deklaronte se, “dekreti i Presidentit nuk është veçse një pretekst me pasojë shumë të madhe” duket i çuditshëm reagimi i socialistëve për të kërkuar me ngut miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, kur vetëm pak ditë më parë, kishin qenë dakord për tetë javë kohë në dispozicion të ekspertëve për të shqyrtuar amendamentet përkatëse.
PS-ja, mes preteksteve bojkoton parlamentin dhe dialogun
Radikalizimi i qëndrimit të djeshëm të PS-së, duke shpallur bojkotin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë për sa kohë shumica refuzon që të kalojë për miratimin Kodin duke marrë parasysh vetëm vërejtjen e Presidentit të Republikës në dekretin e tij para dy javësh, ka qenë një qëndrimin kundër kërkesave të Lëvizjes Socialiste për Integrim për rishikimin e Kodit të ri Zgjedhor.
Qëndrimi i djeshëm i PS-s, gjatë seancës së djeshme parlamentare, ka qenë befasuese. Pas një ore diskutimi të lirë, Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj ka kërkuar një ndërprerje të seancës dhe pas mbledhjes së grupit, deputetët të PS-së, bëri të ditur vendimin e papritur për largimin nga ajo seancë dhe të tjera pas kësaj, deri në sjelljen në Parlament të dekretit të Presidentit për Kodin Zgjedhor.
Në emër të PS-së, Kryetarja e Grupit Kuvendor, Valentina Leskaj ka deklaruar se “Deputetët socialistë nuk do të jenë në seancë në votimin e asnjë ligji, për sa kohë në parlament nuk do të vijë dekreti i Presidentit për kodin zgjedhor”, deklaroi Leskaj.
Sipas Leskajt me mosmiratimin e këtij kodi brenda muajit dhjetor, zgjedhjet e lira rrezikohen seriozisht për shkak të rrezikimit sipas saj të përgatitjes së listave të zgjedhësve, i cili me dispozitat aktuale të kodit është parashikuar të fillojë 15 ditë pas dekretimit të zgjedhjeve, duke i dhënë 30 ditë kohë hartimit të tyre.
Edhe kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, i është bashkuar dje apelit të selisë rozë
që Kodi i ri Zgjedhor të ketë të ndryshuar vetëm ato nene që kërkohen në dekretin
e Presidentin të Republikës.
I pyetur mbi qëndrimin më të fundit të kryeministri Sali Berisha, i cili kërkoi publikisht nga kryesocialisti Edi Rama që ti akordonte LSI-së një përfaqësues nga KQZ dhe KZZ, Gjinushi i kujtoi kreut të shumicës se “8 përqindëshi i LSI, në 2005 ka qenë një votë
që solli Berishën në pushtet, kështu që është detyrimi i tij ta shpërblejë këtë votë, duke dhënë një anëtar komisioni nga PD, meqenëse ajo ka dy anëtarë”.
Bojkoti i deputetëve të PS-së, asnjë lidhje me mazhorancën
Pas largimit të opozitës nga seanca ka reaguar Kryetari i Grupit Kuvendor të PD-së, Astrit Patozi i cili ka deklaruar se “Shpreh keqardhjen time sepse kjo është një protestë që drejtohet në boshllëk, pasi nuk ka asnjë lidhje me mazhorancën”. Astrit Patozi kujtoi se për kalimin e kodit është votuar bashkërisht, duke theksuar se, “janë 112 vota si provë, ne kemi votuar bashkërisht Kodin Elektoral, pra nuk kemi pasur asnjë divergjencë për ta kaluar atë”.
Lidhur me kthimin e Kodit nga Presidenti, Patozi sqaroi se “Kemi pasur qëndrime të përbashkëta lidhur me kthimin e kodit, e kemi konsideruar këtë një gabim i cili nuk duhet të ndodhte dhe një lëvizje e paqëlluar apo e evitueshme e Presidentit të Republikës”, qëndrim ky i përbashkët i PS-së edhe PD-së.
Duke treguar se mazhoranca ka qenë gjithmonë e hapur me opozitën për të bashkëpunuar për Kodin Zgjedhor, Patozi deklaroi më tej se “Ajo që kemi vendosur sërish bashkërisht, ka qenë ringritja e Komisionit të Reformës zgjedhore për të shqyrtuar dekretin e Presidentit të Republikës, si e vetmja formë që lejonte rregullorja për të kapërcyer impaktin ku ne u futëm pas kthimit të kodit”.
Kryetari i grupit kuvendor të PD-së, Astrit Patozi, sqaroi se aktualisht, “ajo që ka ndodhur është vetëm një mbledhje e këtij komisioni të Reformës Zgjedhore i cili i ka ngarkuar ekspertët për të arritur më në fund ndryshimet e nevojshme që kërkohen dhe për të votuar kodin bashkërisht këtu”.
Në vijim, Patozi theksoi se “Kemi një disakordancë të plotë dhe unë nuk e kuptoj se kujt i drejtohet protesta e grupit parlamentar të PS-së, pasi ajo nuk ka asnjë lidhje me mazhorancën”, përfundoi fjalën e tij në Kuvend Patozi.
Astrit Patozi
“Kemi pasur qëndrime të përbashkëta lidhur me kthimin e kodit, e kemi konsideruar këtë një gabim i cili nuk duhet të ndodhte dhe një lëvizje e paqëlluar apo e evitueshme e Presidentit të Republikës. Ajo që ka ndodhur është vetëm një mbledhje e këtij komisioni të Reformës Zgjedhore i cili i ka ngarkuar ekspertët për të arritur më në fund ndryshimet e nevojshme që kërkohen dhe për të votuar kodin bashkërisht”.
Eris Hoxha
“Në mbledhjen e parë që Komisioni i Reformës Zgjedhore zhvilloi për të shqyrtuar dekretin e Presidentit, u ra dakord nga deputetët e mazhorancës dhe të opozitës që ti lihen 8 javë afat komisionit për të dalë më pas përfundimet përkatëse. Deputetët socialistë, anëtarë të këtij komisioni, kanë rënë dakord gjatë mbledhjes dhe nuk ka pasur asnjë kontestim apo kusht të vendosur nga ata lidhur me këtë çështje”.
Valentina Leskaj
“Ky është një ligj i hartuar me konsensus, i miratuar me një shumicë të cilësuar si asnjëherë tjetër, dhe që qëndron në krye të çdo reforme në vend. Duke vlerësuar që zgjedhjet e lira janë në rrezik dhe duke mos u bërë pjesë e lojës politike të Kryeministrit, Grupi i PS nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit deri sa të vijë në Kuvend për miratim, Dekreti i Presidentit për Kodin Zgjedhor”.
Fatmir Xhafaj
“Komisioni bëri mbledhjen e tij të parë dhe më duhet t’u informoj, se në mbledhje iu ngarkua grupit të ekspertëve të bëjë amendamentin përkatës si dhe relacionin shoqërues që do t’i paraqitet Komisionit dhe do ta shqyrtojë komisioni në mbledhjen e tij më të parë të mundshme dhe do ti kalojë pastaj për miratim seancës. Dekreti i Presidentit nuk është veçse një pretekst me pasojë shumë të madhe”.