E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon mazhoranca: “Edi Rama po rreshtohet përkrah të atit, i cili firmosi varjen e poetëve në litar”

TIRANE – Absurditeti socialist nuk po di të dalë nga llogoroja e sistemit që shtypi vendin për 50 vjet dhe po mbron me fanatizëm krimet dhe të këqijat që iu sollën popullsisë nga diktatura më e egër në botë. Duke pasur si qëllim në vetvete mbrojtjen e babit, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, për lidhjet e tyre të errëta me armën famëkeqe ët Sigurimit të Shtetit, Edi Rama ka zgjedhur zvarritjen e diskutimit të projektligjit të dosjeve, nën kërkesën e “gjetjes së një konsensusit”.
Dyfytyrësinë e Edi Ramës, i cili disa ditë më parë urdhëroi deputetët e PS-së të bojkotojnë seancën e diskutimi të projektligjit të dosjeve, e denoncoi dje PD-ja

Denoncimi i PD-së
Përballë pretendimeve të Edi Ramës, i menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Demokratike, nëpërmjet zëdhënësit Gerti Bogdani, i cili theksoi se Rama po përpiqet të mbrojë xhelatët që vranë me gjyqe politike shqiptarët dhe masakruan dhunshëm ata që bënin thirrje për liri. “Edi Rama vazhdoi serialin e tij të akuzave, shpifjeve dhe trillimeve. Partia Demokratike informon shqiptarët se Edi Rama nuk mbron prokurorinë e pavarur dhe pavarësinë e saj, por mbron xhelatë të shqiptarëve që i kanë lidhur me tela me gjemba dhe kanë urdhëruar zvarritjen publike të tyre në Sarandë e gjetiu. Edi Rama nuk mbron pavarësinë e gjyqësorit, por mbron firmën e të atit për varjen me litar të Havzi Nelës në vitin 1989. Edi Rama nuk mbron institucionet, por mbron Kolekët nga dosjet e tyre që fillojnë nga Këneta e Maliqit e përfundojnë deri te dosja Bumçi. Edi Rama nuk mbron institucionet, por mbron spiunllëqet e tij ndaj kolegëve dhe trajnerëve të klubit Dinamo”, u shpreh Bogdani.
Ai vuri në dukje më tej se Partia Demokratike i bën thirrje Rama t’u kërkojë të falur, më së paku, të gjithë atyre që u pushkatuan, burgosën apo u varën për bindjet e tyre politike, në aktet finale të të cilave ka firmosur edhe i ati ose kanë pasur si persekutor politik famëkeqin Spiro Koleka.
“Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të ketë kurajë dhe të mos ketë frikë nga hapja e dosjeve. I bën thirrje të shkëputet nga e kaluara, sepse ka nevojë të domosdoshme për katarsis”, përfundoi zëdhënësi i selisë blu Gerti Bogdani.

Pafytyrësia e Ramës
Kryesocialisti Edi Rama vazhdon që të mbrojë me fanatizëm të kaluarën kriminale komuniste, duke mos lëshuar aspak në qëndrimin e tij kundër projektligjit për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Duke u strehuar pas disa deklaratave të ndërkombëtarëve mbi këtë çështje, kreu i PS-së ka rikërkuar dje nga kryeministri Berisha rishikimin e këtij projekti.
Kur pritej se kryesocialisti do të jepte konsensusin për ligjin e dosjeve në mënyrë që zyrtarët e lartë ti nënshtroheshin procesit të lustracionit, ai po përpiqet të bllokojë këtë nismë, duke aluduar vjedhurazi me deklaratat e përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare në Tiranë, të cilët megjithëse vlerësuan vullnetin e mazhorancës për të miratuar ligjin e dosjeve theksuan se procesi do të jetë gjithëpërfshirës dhe të evitohen problemet kushtetuese të ligjit në nenet e tij. Por kaq i mjaftoi Edvinit për të filluar reprezaljet për këtë ligj, i vlerësuar tejet i rëndësishëm, pasi do të pastrojë administratën e lartë shtetërore nga shërbëtorët dhe pinjollët e komunizmit, të cilët mbeten një rrezik permanent për stabilitetin e demokracisë në Shqipëri.  
Dje, ai përsëri ushtoi egërsisht nga selia rozë, me pretekstin se projekti për hapjen e dosjeve është antikushtetues!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›